Qeveria: Po përpilohet një kod i ri zgjedhor

    Qeveria ka dhënë mendim negativ për propozimin e modelit me një njësi zgjedhore, edhe pse LSDM-ja ka deklaruar rishtas se është në mbështetje të këtij modeli. Propozimi i deputetëve nga partitë më të vogla Pavlla Trajanov, Dimitar Apasiev, Panço Minov, etj., në Kuvend është në rend dite në seancën e re por pika e 58 me radhë. Megjithatë, mendimi negativ i Qeverisë zbulon se shumica nuk do ta mbështesë atë. Në mendimin e firmosur nga zv/kryeministri i parë Artan Grubi, thuhet se në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë vazhdon me punë grupi i punës për një Kod zgjedhor tërësisht të ri ku do të shqyrtohet edhe propozimin për modelin me një njësi zgjedhore.

    Mendimi i Qeverisë

    Mandati i grupit të punës është përpilimi i një Kodi zgjedhor krejtësisht të ri, duke pasur parasysh faktin se që nga viti 2006 e deri më sot janë bërë mbi 30 ndryshime dhe plotësime që e bëjnë Kodin zgjedhor jokonzistent, vështirë të lexueshëm dhe të komplikuar për zbatim. Planifikohet debat i grupit të punës me të gjitha partitë politike parlamentare në të cilin do të shqyrtohet edhe propozimi për ndryshimin e modelit zgjedhor.”

    Në mendimin e Qeverisë gjithashtu potencohet angazhimi për respektimin e rekomandimeve të OSBE-së që ndryshimet eventuale të Kodit zgjedhor të bëhen të paktën gjashtë muaj para zgjedhjeve. Duke pasur parasysh se zgjedhjet lokale janë në muajin e 10 dhe që tash jemi në muajin e 5 të vitit, konkludojmë se ky rekomandim është shkelur.

    Alsat pyeti në Ministrinë e Drejtësisë për të rejat nga grupi i punës për Kodin zgjedhor. Ai përbëhet nga përfaqësues të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Antikorrupsionit, Entit të Revizionin, Agjencisë së Mediave, përfaqësuesve politik dhe të sektorit civil. Nga dikasteri i Drejtësisë njoftuan se që nga dhjetori dhe deri më tani grupi i punës është takuar 8 herë dhe takimi i fundit ka qenë më 22 mars. Takimi i ardhshëm nuk është caktuar akoma dhe nuk dihet se kur puna e tyre eventualisht do të konkretizohet me një propozim të një Kodi zgjedhor të ri.

    Ndërkohë dy liderët politik, Zoran Zaev dhe Hristijan Mickoski gjatë takimit të fundit muajin e kaluar deklaruan se ndryshimi i modelit zgjedhor është subjekt diskutimi edhe mes grupit të punës të krijuar për këtë qëllim nga deputetët në Kuvend. Alsat ka njoftuar rishtaz se prej javësh ky grup pune është jofunksional. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Si ndikon sheqeri i lartë në shëndetin e trurit

    Lajmi i rradhës

    Videoja virale “Charlie bit my finger” do të dalë në ankand dhe do të fshihet nga YouTube

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë