Qeveria teknike drejt shembjes – Mickoski sfidon rregullat e zgjedhjeve

    Debati për shfuqizimin e qeverisë teknike, e cila për vite me radhë është konsideruar mekanizëm mbrojtës për procesin zgjedhor, është rikthyer fuqishëm në skenën politike. Kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëroi se në ditët në vijim do t’u dërgojë ftesa të gjitha partive parlamentare për një takim liderësh, ku në fokus do të jenë ligjet reformuese dhe vetë modeli i qeverisë teknike që formohet 100 ditë para zgjedhjeve parlamentare.

    Takimi pritet të mbahet brenda shtatë deri në dhjetë ditësh, përpara pjesëmarrjes së Mickoskit në Forumin Ekonomik Botëror në Davos. Sipas tij, qëllimi nuk është imponimi i një zgjidhjeje politike, por testimi i vullnetit për konsensus në një moment që ai e cilëson vendimtar për reformat dhe rrugën evropiane të vendit. Kryeministri shprehu pritjen që të gjithë liderët politikë ta pranojnë ftesën, duke mos përjashtuar mundësinë që rendi i ditës të zgjerohet edhe me tema të tjera, nëse partitë e shohin të arsyeshme.

    QEVERIA TEKNIKE, GARANCI APO PENGESË?

    Mickoski rikujtoi se edhe LSDM-ja, para zgjedhjeve të fundit, kishte shprehur qëndrimin se qeveria teknike nuk është më e domosdoshme. Sipas tij, kjo e bën aktuale pyetjen nëse ekziston vullnet real politik për ndryshim.

    “Nëse të gjithë pajtohemi se qeveria teknike është një implant që e ngadalëson sistemin dhe krijon bllokada artificiale, atëherë duhet guxim politik për ta ndryshuar këtë model. Por ndryshimet nuk mund dhe nuk duhet të bëhen pa konsensus”, deklaroi Mickoski, duke theksuar se veprimet e njëanshme do të ishin të papranueshme politikisht.

    Në interpretimin e tij, ekzistenca e qeverisë teknike është pasqyrim i mungesës së besimit institucional ndër vite, ndërsa shumica aktuale synon të tregojë “gjerësi politike” në një periudhë të reformave të ndjeshme dhe sfidave serioze në procesin e integrimit evropian.

    BDI DO TË SHQYRTOJË PJESËMARRJEN

    Nga BDI thonë se qëndrimi për pjesëmarrje në takim do të merret vetëm pasi të mbërrijë ftesa zyrtare. “Ftesa ende nuk ka arritur. Kur të pranohet, do ta shqyrtojmë dhe më pas do të kemi qëndrim për pjesëmarrjen tonë”, deklaroi për gazetën KOHA zëdhënësja e partisë, Arta Bilalli Zendeli. Përtej çështjes së qeverisë teknike, kryeministri e zhvendosi debatin te sistemi gjyqësor, të cilin e cilësoi si një nga problemet më të thella strukturore të shtetit. Sipas tij, gjyqësori është pjesërisht i “kontaminuar” nga vendimet e qeverive të mëparshme të LSDM-së dhe BDI-së, veçanërisht përmes ndryshimeve në Kodin Penal.

    Mickoski theksoi se problemi nuk qëndron te shumica e gjyqtarëve dhe prokurorëve, por te një rreth i vogël individësh që, sipas tij, veprojnë si instrument politik dhe minojnë besimin publik në drejtësi. “Kjo pakicë e kontaminuar është relikt i pushtetit të mëparshëm dhe lufton për të mbrojtur interesa personale dhe politike, duke e dëmtuar perceptimin për të gjithë sistemin”, tha ai.

    DY MOMENTE QË, SIPAS MICKOSKIT, E DËMTUAN DREJTËSINË

    Kryeministri identifikoi dy periudha kyçe që, sipas tij, kanë lënë pasoja afatgjata: politizimin e zgjedhjes së gjyqtarëve në Parlament dhe ndryshimet në Kodin Penal të miratuara nga qeveria e mëparshme, veçanërisht fshirjen e dispozitave të nenit 353. “Këto ndryshime u bënë për të krijuar bazë ligjore për amnisti. Së pari për veten, së dyti për të menduar se do të dëmtonin opozitën e atëhershme. Në pjesën e parë ia dolën, në të dytën jo”, tha Mickoski.

    Sipas tij, pasojat juridike janë tashmë të pakthyeshme, pasi ish-zyrtarët gjithmonë do të mbështeten në ligjin më të favorshëm që ishte në fuqi në kohën e veprës së supozuar.

    Me këtë narrativë, VMRO-DPMNE-ja e lidh debatin për qeverinë teknike dhe drejtësinë me një tezë më të gjerë politike: nevojën për rikonfigurim të sistemit institucional përmes konsensusit politik. Nëse ky debat do të prodhojë ndryshime konkrete apo do të mbetet në nivel deklarativ, pritet të shihet pas takimit të paralajmëruar të liderëve. Qeveria teknike, e dalë nga Marrëveshja e Përzhinës mes Zoran Zaevit dhe Nikola Gruevskit, mbetet edhe sot një nga temat më të debatueshme politike, varësisht se kush ndodhet në pushtet dhe kush në opozitë. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Barcelona tashmë ka zgjedhur trajnerin i cili do ta zëvendësojë Hansi Flick në rast largimi

    Lajmi i rradhës

    Raporti: mbi 6 për qind e nxënësve kanë konsumuar sedativë pa recetë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë