Raporti më i fundit një hulumtimi të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) hedhin dritë mbi një prirje shqetësuese që po forcohet në heshtje mes adoleshentëve në vend. Sipas të dhënave, 10 për qind e nxënësve të shkollave të mesme të moshës 15 dhe 16 vjeç kanë përdorur ilaçe kundër dhimbjes, analgjetikë, pa pasur nevojë mjekësore apo pa rekomandim profesional. Hulumtimi është realizuar me mbi 2.800 nxënës dhe përfaqëson një nga pasqyrat më të qarta të sjelljeve të rrezikshme në këtë grupmoshë.
Përtej përdorimit të analgjetikëve, të dhënat tregojnë se 6.6 për qind e nxënësve kanë konsumuar sedativë ose qetësues pa recetë. Ekspertët e shëndetit publik theksojnë se ky fenomen është veçanërisht i rrezikshëm, pasi ilaçet, ndryshe nga drogat ilegale, perceptohen shpesh si të padëmshme. Disponueshmëria e tyre në shtëpi, mungesa e kontrollit dhe kultura e vetë-mjekimit krijojnë një terren të favorshëm për keqpërdorim, sidomos tek të rinjtë që ndodhen në fazë të ndjeshme zhvillimi psikologjik dhe emocional.
Ndërkaq, ISHP vlerëson se përdorimi i barnave pa recetë tek adoleshentët nuk është një dukuri e izoluar, por pjesë e një modeli më të gjerë të sjelljeve të rrezikshme. Këto sjellje shpesh lidhen me presionin social, stresin shkollor, ankthin, por edhe mungesën e edukimit shëndetësor dhe informimit për pasojat afatgjata që mund të sjellë përdorimi i pakontrolluar i substancave.
Sa i përket drogave ilegale, kanabisi mbetet substanca më e përhapur mes nxënësve. Sipas hulumtimit, pesë për qind e nxënësve kanë deklaruar se e kanë përdorur të paktën një herë në jetë, 4.3 për qind gjatë vitit të fundit dhe 2.6 për qind gjatë muajit të fundit. Edhe pse këto shifra kanë mbetur relativisht të qëndrueshme gjatë 15 viteve të fundit, ISHP thekson se kjo stabilitet nuk duhet interpretuar si lajm pozitiv. Përkundrazi, kanabisi vazhdon të jetë pjesë e asaj që ekspertët e quajnë “sjellje e normalizuar e rrezikut” tek adoleshentët.
Veçanërisht shqetësues është fakti se një pjesë e nxënësve raportojnë se kanë nisur përdorimin e kanabisit në moshën 13 vjeç ose edhe më herët. Ky fillim i hershëm rrit ndjeshëm rrezikun për varësi, probleme të shëndetit mendor dhe pasoja në zhvillimin njohës. Të dhënat tregojnë gjithashtu se përdorimi është më i shpeshtë tek djemtë sesa tek vajzat, çka përforcon nevojën për qasje të diferencuar në politikat parandaluese.
Ndërkohë, përdorimi i drogave më të rënda si kokaina, amfetaminat dhe ekstazia mbetet nën dy për qind, por ISHP paralajmëron se edhe këto shifra nuk duhet nënvlerësuar. Eksperiencat e para me substanca “më të lehta”, përfshirë kanabisin apo ilaçet pa recetë, shpesh përbëjnë hapin e parë drejt sjelljeve më të rrezikshme.
Hulumtimi evidenton gjithashtu probleme serioze me abuzimin me alkoolin, si dhe rritjen e përdorimit të cigareve elektronike, të cilat shpesh perceptohen si alternativë më e sigurt ndaj duhanit tradicional. Sipas tyre, ky perceptim i gabuar po kontribuon në zgjerimin e konsumit tek të rinjtë, pa qenë të vetëdijshëm për pasojat shëndetësore që lidhen me nikotinën dhe substancat e tjera që përmbajnë këto produkte.
Ndryshe, ISHP thekson se të dhënat e këtij hulumtimi duhet të shërbejnë si alarm për institucionet, shkollat dhe familjet. Sipas vlerësimeve, mungesa e programeve të vazhdueshme parandaluese, komunikimi i pamjaftueshëm brenda familjes dhe qasja e lehtë në substanca të ndryshme po krijojnë kushte që rreziku të normalizohet, në vend që të adresohet në kohë. /Koha/





