Legjitimitet nuk janë numrat”, Qoku: BDI tregoi se legjitimitet është më shumë “Maliqi” se ligji
Bekim Qoku, në studion e Daily Click në TV21, tha se BDI me nxjerrjen në pah të legjitimitetit tregoi mangësitë e sistemit politik në vend dhe siç tha, tregoi edhe pozicionin e shqiptarëve brenda këtij sistemi politik, përcjell Nistori.
“Zbuloi një nga mangësitë e sistemit politik në Maqedoni po edhe pozicionin e shqiptarëve brenda këtë sistemi. Ajo tregoi se legjitimiteti është më shumë Maliqi se ligji. Tregoi që sa herë që ato janë në pushtet e menjanojnë idenë e legjitimitetit dhe në momentin që nuk janë në pushtet e ven theksin aty”, deklaroi Qoku.
Qoku tutje shtoi se, legjitimiteti nuk janë numrat, por siç tha, ka të bëjë më sigurinë, lirinë dhe pavarësinë.
“Një nga arsyet pse gabon BDI është se legjitimitetin e mbështet vetëm me numra. Unë them se numri është një nga elementet e legjitimitetit por jo i rëndësishëm. Legjitimiteti ka të bëjë me lirinë, pavarësinë, me drejtësinë, kanalizimin, me sigurinë e qytetarëve, korrupsionin. Mund të themi se legjitim është ai që bën kanalizim në Zajaz, ai që zgjedh çështjen e arsimit në Çashkë”, tha Qoku.
Qoku tregon sukseset e Qeverisë në afërsi të 100 ditëshit e parë
Qoku ka numëruar të arriturat e qeverisë që nga marrja e detyrës. Sipas Qokut, ndarja e buxhetit për ndërtimin e kampusit të Universitetit “Nënë Tereza”, është prej investimeve më të mëdha të bëra në 30 vitet e fundit, ndërkohë që përmendi se do të ndahen edhe 100 milionë euro për komunat në të cilat nuk ka pasur shumë investime.
“Disa të arritura që i ka bërë, p.sh. investimi 34.5 milionë euro për kampusin e UNT-së. Është investimi më i madh që është bërë në këto 30 vite të fundit për një projekt që është etnikisht shqiptar. E dyta, janë 100 milionë euro që po ndahen për komunat por që është në funksion të barazisë rajonale. Është një shancë e mirë për komunat shqiptare që kanë pasur investime të pakta gjatë 20 vite të fundit”, tha Qoku.
Qoku: karizma e Ali Ahmetit ka qenë një mjegull e shqiptarëve, me ikjen e tij dhe të BDI-së janë kthjelluar gjërat
Sipas Qokut, shkuarja e BDI-së në opozitë i ka kthjelluar gjërat dhe kanë dalë në pah problemet reale, pasi siç tha, karizma e Ali Ahmetit ka qenë një lloj mjegulle dhe uji i turbullt për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
“Shkuarja e BDI-së në opozitë pas 22 viteve, shkuarja e Ali Ahmetit sidomos pasi figura qendrore e BDI-së është Ali Ahmeti. BDI-ja në këto 22 vite pushtet ka qëndruar falë karizmës së Ali Ahmetit dhe ai ka bërë babën e shqiptarëve, është mbrojtësi i të drejtave të shqiptarëve këtu dhe ndryshimi që po vjen është pak a shumë i pabesueshëm se si ka mundësi që ne si shqiptarë të Maqedonisë të ecim pa Ali Ahmetin. Ky lloj funksionimi i shqiptarëve ka bërë që shqiptarët mos të kenë shumë punë. Karizma e Ali Ahmetit ka qenë një lloj mjegulle, një lloj uji i turbullt i gjithë shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Me ikjen e Ali Ahmetit dhe BDI-së pak a shumë janë kthjelluar gjërat është pastruar situata dhe na dalin në pah shumë probleme që janë realisht këtu”, tha më tej Qoku. /Nistori/