TOP 10 FURNIZIMET PUBLIKE 2022: Tetova me zero, Manastiri me dy kompani!

    Qendra e Tetovës/Fotografia: Nistori

    Analiza e prokurimeve publike më të mëdha në vitin për furnizimet e ndërmarrjeve publike, tregon se në top dhjetëshin e bizneseve nuk figuron asnjë kompani nga Tetova dhe bile dy kompani nga Manastiri. Njëherësh me vite fitojnë të holla të mëdha kompanitë e njëjta si “Pucko Petrol”, kompania e ndërtimit “Markovski”, kompania për tregti me shumicë të barnave “Panovski”, prodhuesi i barnave “Alkaloid”, si dhe kompania “Makpetroll”.

    Analizat e Qendrës për Komunikime Qytetare tregojnë se nga vlera totale e kontratave të lidhura të prokurimit publik në vitin 2022, e cila arrin në 1.1 miliardë euro, madje 20 për qind i takon vetëm 10 operatorëve ekonomikë. Në të njëjtën kohë, numri i kontratave që kanë lidhur ato në vitin 2022 është 1.987 dhe vlera e tyre totale është 13.7 miliardë denarë, apo 223 milionë euro.

    Sa i përket konkurrencës, i pafavorshëm është edhe fakti se 8.922 kontrata, nga gjithsej 28.270 kontrata (31.56 për qind ), janë lidhur në procedura në të cilat është marrë vetëm 1 ofertë, pra në një proces jo konkurrues. “Niveli i ulët i konkurrencës çon në një përqendrim të lartë të vlerës së tenderëve në një numër të vogël firmash. Në Byronë për furnizime publike, janë të regjistruar 16.500 operatorë ekonomikë, por vetëm 6400 prej tyre janë aktivë. Por, përpunimi i të dhënave të vitit 2022 nga ekipi i ynë tregon se ka një përqendrim të lartë të vlerës së tenderëve në një numër të vogël firmash”, thonë nga Qendra për Komunikime Qytetare.

    Nga atje sugjerojnë se institucionet duhet të punojnë në nxitjen e konkurrencës, sepse ajo është e vetmja garanci për shpenzimin racional të parasë publike. Është thelbësore të punohet për një hulumtim më të plotë të tregut, si në aspektin e vendosjes së kritereve të duhura për përcaktimin e aftësisë së ofertuesve, ashtu edhe në aspektin e përcaktimit të kushteve në specifikimet teknike. Për ndryshe, procedurat e prokurimit publik humbasin kuptimin e tyre dhe reduktohen në një shpallje formale, por jo në një kërkesë reale për më shumë ofertues.

    Nga ana tjetër, të dhënat tregojnë se kompania e shitjes së naftës “Pucko Petrol” me vite renditet ndër bizneset që kryesojnë fitimin e tenderëve apo që kanë fituar më shumë të holla nga kontratat e nënshkruara me ndërmarrjet publike për mallrat dhe shërbimet. Sipas analizës së Qendrës për Komunikime Qytetare, “Pucko Petrol” në vitin 2022 ka fituar 413 kontrata me vlerë prej afër 49.8 milionë euro që përbën 4.48 pesë për qind të vlerës totale të prokurimeve publike në vitin e kaluar që analizon harxhimin e parave të popullit, duke u renditur në vendin e dytë pas kompanisë për furnizimin me energji elektrike “EDS” me 241 kontrata të vlefshme 50.3 milionë euro që përbën 4.53 për qind të totalit të furnizimeve publike totale në vend.

    Raporti i fundit i publikuar javën e kaluar, tregon së sërish ndër përfituesit më të mëdhenj renditet një kompani nga Manastiri apo kompania “ Markovski”, që kësaj radhe me 11 tenderë të vlefshëm 24.6 milion është vendosur në vendin e tretë 2.22 për qind të totalit të tenderëve të fituar. Kompania shtetërore për prodhimin e energjisë elektrike Elektro Ekonomia e Maqedonisë me vite lidh kontrata re për huazimin me qira të makinerive ndihmëse për nevojat e minierave në termocentralin e Manastirit.

    Në vitin e kaluar të dyja palët kanë lidhur një mori kontratash për prokurim publik me një vlerë totale prej rreth 25 milionë eurosh, ku kontrata më e vlefshme ishte për minierat e qymyrit dhe mbetjeve ndërshtresore e lidhur në fund të vitit të kaluar, me vlerë 19.5 milionë euro.

    Ndër dhjetë marrëveshjet e nënshkruara për furnizime publike për shërbime, në vitin 2022 në vendin e katërt renditet kompania e tregtimit dhe shitjes së naftës dhe përpunimeve të saja “Makpetrol ” me 326 kontrata të vlefshme afër 24 milionë euro.

    Një nga kompanitë më të mëdha vendore në vend e prodhimtarisë së barnave e orientuar fuqishëm edhe në eksport, në vitin e “Alkaloid” vjet ka fituar 271 kontrata me vlerë prej afër 17 milionë euro.

    Në vendin e gjashtë renditet kompania “Dr. Panovski” që me vite fiton tender nga sektori i shëndetësisë për shkak të specifikës së furnizimeve dhe llojeve të veçanta të materialeve mjekësore që i ofron në treg. Ajo në vitin e kaluar ka fituar 271 kontrata të vlefshme afër 13 milionë euro. Kjo kompani ka kohë që është lider në sektorin e shëndetësisë dhe nga kjo kompani blihen barnat e shtrenjta apo terapia e njohur biologjike e vendosur në vitin viti 2019 e në vazhdim. Furnizimet e tjera kanë qenë për blerjen e barnave për sëmundje të rralla, për hemofilinë, insulinë.

    E gjithë procedura zhvillohet përmes Ministrisë së Shëndetësisë, duke qenë se bëhet fjalë për tenderë të vlefshëm me miliona , të cilat spitalet nuk kanë fuqi financiare t’i zbatojnë ato.

    Në vendin e shtatë renditet kompania “Rud –Kop ”, nga Manastiri, me dy tenderë të vlefshëm 12 milion euro. Kjo kompani më 3 tetor të vitit 2022, kishte lidhur marrëveshje me Elektro Ekonominë e Maqedonisë në vlerë prej 11.5 milionë euro për gërmimin dhe zbulimin e qymyrit në minierën Brod-Gneotino, që duhet të furnizojë me qymyr termocentralin Manastirit. Të njëjtin tender për të njëjtën shumë ajo e ka marrë edhe në vitin 2021. Një përllogaritje e përafërt tregon se, nga viti 2017 e deri më tani, Rud-kop ka nënshkruar kontrata me Elektro Ekonominë për mbi 43 milionë euro. Në fakt, në dekadat e fundit, Kompania shtetërore e prodhimit të rrymës ka qenë objekt i kritikave për dhënien e shumave të mëdha parash për aktivitete të tilla në vend që të blinte makineri me prokurime publike. Vitet e fundit, kompania ka blerë makineri për nevojat e minierave të qymyrit, por ende nuk është e pavarur nga shërbimet e jashtme, që kushtojnë mjaft.

    Në vendin e tetë dhe të nëntë me vlerën e tenderëve renditen kompanitë e telekomunikacionit “ A1” me 266 kontrata të vlefshme afër 11 milionë euro dhe “ Telekomi i Maqedonisë“, me 184 kontrata të vlefshme afër 10.7 milionë euro.

    Në vendin e 10-të renditet kompania e ndërtimit “ Zobek Mining Grup”, nga Shkupi me 2 kontrata të vlefshme 10.4 milionë euro. Kontrata më e vlefshme e saj me afër 8 milionë euro është me Drejtorinë e zonave industriale për realizimin e punimeve në infrastrukturën e zonave në Shtip dhe Strumicë.

    1. EDS: 241 kontrata – 50.3 milionë euro
    2. Pucko Petrol: 413 kontrata – 49.8 milionë euro
    3. Kompania Markovski: 11 kontrata – 24.6 milionë euro
    4. Makpetroll: 326 kontrata – 24.2 milionë euro
    5. Alkaloid: 271 kontrata – 17.1 milionë euro
    6. Dr Panovski: 271 kontrata – 31.2 milionë euro
    7. Rud Kop: 2 kontrata – 11.8 milionë euro
    8. A1: 266 kontrata – 10.8 milionë euro
    9. Telekomi i Maqedonisë: 184 kontrata – 10.7 milionë euro
    10. Zobek Mining: 2 kontrata – 10.3 milionë euro.

    /koha/

    Lajmi Paraprak

    Dibrës i kthehet epidemiologu i pensionuar

    Lajmi i rradhës

    Personat me nevoja të veçanta në RMV kërkojnë rritje të ndihmës financiare

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë