Qytetarët e RMV nuk i parapëlqejnë shërbimet online

    Anketa e fundit e Institutit për Hulumtime Politike ka zbuluar se për një numër të madh të qytetarëve vazhdon që tradita e vjetër e sporteleve të mbetet më e mirë pasi sipas rezultateve të dala nga kjo anketë, 2/3 e qytetarëve të Maqedonisë asnjëherë nuk i kanë shfrytëzuar shërbimet administrative digjitale, ndërsa afër 60% e tyre preferojnë që shërbimet t’i marrin në sportele dhe jo online.

    Sipas saj 58.2% e qytetarëve nëse kanë nevojë për një shërbim të caktuar preferojnë që atë ta kryejnë personalisht në sportel, dhe vetëm 33.9% shprehen se nëse do të mundnin do ta kryenin punën online. Ky hulumtim nxori në pah se më rezistentë ndaj kompjuterëve janë më të moshuarit pasi vetëm 19.1% e atyre që janë mbi 60 vjet do të donin që punën ta kryenin online, ndërsa nga mosha 18 deri në 50 vjeç përqindja e të anketuarve që thanë se preferojnë që shërbimet t’i marrin online është diku rreth 44%.

    Nëse bazohemi në strukturën arsimore, ky hulumtim tregon se qytetarët me arsim më cilësor kanë më shumë gjasa që t’i drejtohen shërbimeve administrative online. Nëse për 62.1% e të anketuarve me arsim të lartë shërbimet online janë më shumë të preferuara, mendim të njëjtë ndajnë vetëm 11.6% e atyre që nuk kanë të mbaruar as arsimin fillor. Anketa tregon gjithashtu se 2/3 e qytetarëve nuk kanë përdorur kurrë një shërbim online në një institucion publik. Derisa vetëm 26.5% kanë deklaruar se kanë përdorur shërbimet online të institucioneve shtetërore, 69.2% kanë deklaruar se as nuk kanë tentuar të marrin një dokument apo shërbim online. Ata të cilët kanë përdorur shërbimet online në masë të madhe shprehen të kënaqur. Rreth 87.4% e të anketuarve janë shprehur se janë të kënaqur me shërbimin online që kanë institucionet shtetërore, ndërsa 11.6% shprehet të pakënaqur me këto shërbime. Më së shumti që përdoren janë shërbimet online të Ministrisë së Punëve të Brendshme me 25.6%, pas saj vjen DAP me 10.6%, e ndjekur nga kadastra me 7.8%.

    Shumica e qytetarëve thonë se nuk kanë frikë për të dhënat e tyre personale me të cilat disponojnë institucionet shtetërore, ndërsa 1/3 e tyre ende janë skeptikë. 44% e qytetarëve besojnë se të dhënat e tyre personale janë të sigurta në institucionet shtetërore, dhe 32.1% nuk besojnë në diçka të tillë. Sa i përket efikasitetit të institucioneve që ofrojnë shërbime administrative, shumica e qytetarëve janë shprehur se nuk shohin ndonjë ndryshim në 5 vitet e fundit. 35% e tyre thonë se sot nuk është as më e lehtë por as edhe më e vështirë të marrësh një dokument në krahasim me kushtet e para 5 viteve, 30.3% besojnë se sot dokumentet dhe shërbimet administrative janë më të lehta për tu marrë, dhe 25.7% besojnë se tani është më vështirë për të ardhur deri tek ato. Ata janë shprehur se reformat në administratën publike nuk duhet të bëhen nëpërmjet punësimeve të reja, por përmes uljes së numrit të punonjësve dhe digjitalizimit. Qëndrim të tillë mbajnë 53.3% e qytetarëve, ndërsa 23.7% mendojnë se reformat në administratën publike duhet të synojnë punësime dhe trajnime të reja. Anketa e Institutit për Hulumtime Politike është realizuar nga 28 shkurti deri më 3 mars 2023, me gjithsej 1107 të anketuar. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Uthulla për pastrim – Rastet kur duhet ta përdorni

    Lajmi i rradhës

    Si të dalloni nëse peshku është apo jo i frekskët

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë