Reforma sociale, peng i 47 milionë eurove

    Projekti i reformimit të sistemit të ndihmës sociale në Kosovë – ndonëse i publikuar tash e sa muaj – duket se ka mbetur peng i miratimit të një kredie ndërkombëtare, në vlerë prej 47 milionë eurosh.

    Kjo kredi është nënshkruar në tetor të vitit të kaluar ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim (IDA), që është pjesë e Bankës Botërore.

    Komisioni për buxhet, punë dhe transfere i Kuvendit të Kosovës e ka miratuar në parim projektligjin për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, por kur ka dalë para deputetëve të Kuvendit të Kosovës në janar, ai nuk ka kaluar edhe është kthyer sërish në Qeveri.

    Në një seancë të Kuvendit, të mbajtur këtë javë, Armend Muja, deputet i partisë në pushtet – Lëvizjes Vetëvendosje, ka bërë thirrje që marrëveshja për kredinë të procedohet dhe miratohet sa më shpejt në Kuvend.

    “Është e rëndësishme, ato janë para për t’i ndihmuar shtresat më të varfra të Kosovës. Nëse pretendohet se ka inflacion, është koha për t’i ndihmuar këto shtresa”, ka thënë Muja.

    InfografikëSa i kushton Kosovës mirëqenia sociale?

    Disa deputetë të opozitës e kundërshtojnë marrëveshjen, e cila, meqë është ndërkombëtare, duhet patjetër të ratifikohet në Kuvend.

    “Kurrë, asnjëherë, Kosova nuk ka marrë kredi për të paguar paga apo asistencë sociale. Është kundër logjikës fiskale”, ka thënë Avdullah Hoti, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, në të njëjtën seancë të Kuvendit.

    Ministria e Punës, Financave dhe Transfereve e Kosovës nuk i është përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë se kur do të dërgohet në Kuvend marrëveshja për kredinë me Bankën Botërore.

    REL-i e ka pyetur këtë ministri edhe ku ka arritur me projektin e reformës sociale, por nuk ka marrë përgjigje.

    Qysh në gusht të vitit të kaluar, Ministria e Punës, Financave dhe Transfereve ka të publikuar në ueb-faqen e saj një projekt për reformën sociale, që thuhet se ka për qëllim të zbusë varfërinë.

    Me të, siç thuhet në dokument, synohet “të përmirësohet sistemi i ofrimit të mbrojtjes sociale”, si dhe “të promovohet aktivizimi i përfituesve të ndihmës sociale në tregun e punës”.

    Dokumenti, megjithatë, nuk ofron detaje se si mund të realizohen këto dhe çështje të tjera që përmenden aty.

    Sipas deklarimeve të mëhershme të ministrit të Punës, Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, projekti i reformës sociale do të mundësohet me kredinë prej 47 milionë eurosh nga Banka Botërore dhe do të zgjerojë bazën e asistencës sociale, në raport edhe me nevojat e qytetarëve.

    Murati, po ashtu, ka thënë se ky projekt do të krijojë mekanizma që i ndihmojnë familjet në nevojë të dalin nga varfëria, duke u siguruar atyre ndërlidhje me tregun e punës.

    Më shumë se 25 mijë familje me asistencë sociale

    Në Kosovë, sipas të dhënave të muajit shkurt të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, më shumë se 25,000 familje me 102, 333 anëtarë kanë marrë asistencë sociale nga buxheti i shtetit të Kosovës.

    Shuma e rregullt që marrin këto familje është nga 60 deri në 180 euro në muaj, varësisht nga numri i anëtarëve.

    Familja Çitaku nga Mitrovica e Jugut është njëra prej atyre që marrin nga 110 euro në muaj.

    Kryefamiljari Mexhiti, i cili jeton bashkë me gruan, vajzën dhe djalin, thotë se merr asistencë sociale qysh nga viti 2004. Por, sipas tij, shuma është e mjaftueshme vetëm për ilaçe.

    “Përpara, kur kanë qenë gjërat më lirë, ia dilja disi. Tash janë shtrenjtuar shumë, nuk kam mundësi t’ia dal. Bashkëshorten dhe djalin i kam të sëmurë. Tash edhe unë kam fituar bronkit. I kam bërë disa kontrolle te mjeku. Terapia më bëhet 200 euro. Nuk kam se si t’i siguroj paratë dhe nuk po mjekohem fare”, thotë Çitaku për Radion Evropa e Lirë.

    Me ushqime, ai thotë se ndihmohet nga fqinjët dhe bashkëqytetarë të tjerë. Ai shprehet se me shumë dëshirë do të punonte, por, siç shprehet, e ka të pamundur, pasi i duhet të kujdeset për bashkëshorten dhe djalin.

    Djali i tij, 15 vjeç, ndjek mësimet në shkollë të mesme, ndërsa vajza e ka përfunduar shkollimin e mesëm, por nuk ka gjetur punë.

    Asistenca sociale në Kosovë u jepet familjeve me kushte të vështira financiare dhe që nuk kanë asnjë anëtar të punësuar.

    Miliona euro për skema sociale 

    Ndonëse të pamjaftueshme për disa, këto asistenca, buxhetit të Kosovës i kushtojnë miliona euro në vit.

    Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shuma e mjeteve që janë ndarë për familjet në nevojë në muajin shkurt ka qenë mbi 3 milionë euro.

    InfografikëPapunësia në shifra

    Sipas një analize të Bankës Botërore, të publikuar në mars, Kosovës i duhet t’i reformojë programet e saj për mbrojtje sociale, në atë mënyrë që të reduktojnë varfërinë në vend.

    Kosova, në total, ka 15 skema sociale e pensionale, nga të cilat përfitojnë mbi 400 mijë qytetarë.

    Për mbulimin e tyre, nga buxheti i shtetit ndahen mbi 500 milionë euro çdo vit. Buxheti i Kosovës për vitin 2022 është 2.7 miliardë euro.

    Përveç qytetarëve të papunë dhe me vështirësi sociale, nga skemat sociale përfitojnë edhe familjarë të dëshmorëve, veteranë të luftës, pensionistë të moshës etj.

    Shumat mujore që ndahen për ta janë të ndryshme dhe, sipas Bankës Botërore, ato “krijojnë pabarazi”.

    “Shpenzimet për ndihmë sociale në Kosovë janë të orientuara drejt transfereve të parave të gatshme që nuk kanë lidhje me varfërinë, duke e bërë sistemin për mbrojtje sociale të pabalancuar, përkundër buxhetit të konsiderueshëm”, thuhet në analizën e Bankës Botërore.

    Sipas saj, “është koha” që Qeveria e Kosovës “ta reformojë sistemin për mbrojtje sociale dhe ta përdorë atë për ta zhdukur varfërinë, për të rritur punësimin, si dhe për të ofruar kushte të mira jetese për të gjithë”.

    Skemat sociale të Kosovës janë kritikuar shpesh edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili ka tërhequr vërejtjen se ato mund ta fusin Kosovën në krizë fiskale.

    Ngjashëm, edhe njohës të çështjeve ekonomike dhe sociale kanë kërkuar vazhdimisht që Kosova t’i modifikojë skemat sociale.

    Punësimi i disa personave që marrin ndihmë sociale do të ishte mënyra më e mirë e zbutjes së varfërisë, ka thënë në një deklaratë të mëhershme për Radion Evropa e Lirë, Behxhet Gaxhiqi, profesor i Shkencave Sociale në Universitetin e Prishtinës.

    Të dhënat e fundit të Bankës Botërore për varfërinë në Kosovë janë të vitit 2017 dhe, sipas tyre, mbi 23 për qind e qytetarëve të Kosovës jetojnë në varfëri.

    Në Kosovë, pothuajse të gjitha produktet e konsumit janë shtrenjtuar dukshëm që nga viti i kaluar.

    Në shkurt, inflacioni ka arritur në 7.5 për qind, krahasuar me 0.7 për qind sa ka qenë në të njëjtën periudhë të vitit 2021. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Lewandowski e ka pranuar ofertën e Barcelonës

    Lajmi i rradhës

    Pushteti dhe opozita me akuza të ndërsjella, kush kujdeset më shumë për qytetarët në kohë krize

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë