Qytetarët e RMV vazhdojnë të “rrjepën” nga përmbaruesit

    Edhe pse sipas ligjit të ri për përmbaruesit për 5 vjet lëndët vjetërsohen ndërsa kamata nuk guxon ta tejkalojë borxhin kryesor, qytetarët ende ballafaqohen me pasoja sipas ligjit të vjetër. Marijan Ristevski, aktivist për ndryshime në punën e përmbaruesve thotë se kanë dorëzuar një sërë ankesash në Gjykata duke u thirrur në ligjin e ri por të njëjtat janë refuzuar. Kjo sepse ligji që është në fuqi nga korriku i këtij viti e që gjithashtu ka fuqi retroaktive është kontestuar në Gjykatën Kushtetuese nga përmbaruesit dhe disa grupe tjera që kanë interes nga i njëjti. Sipas tij, zvarritja e ligjit po bëhet qëllimisht.

    “Kemi informacion tani se edhe nga Gjykata e Apelit janë shpallur jokompetent dhe nuk e di a ndodh një gjë e tillë në ndonjë shtet. Gjykata thotë se është jo kompetente, atëherë kush duhet të gjykojë në shtet? Parashtrohet pyetje a duhet qytetarët vetë ta marrin drejtësinë në duar? Durimi i qytetarëve po mbaron, por jemi duke pritur të shohim me ministrin e drejtësisë si është puna. Kam frikë se me këtë që po bëhet vetëm po blihet kohë që pastaj nga Gjykata Kushtetuese, shpresoj të më demantojnë, por të thonë se ligji është jo kushtetues”  Marijan Ristevski, aktivist për ndryshime në punën e përmbaruesve.

    Por nga ajo që kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Dobrilla Kacarska tha gjatë kësaj jave në Click Plus të TV21, kjo lëndë është mjaft e vëllimshme prandaj edhe për të njëjtën nuk ka vendim ende.

    “Këto janë iniciativa të reja diku rreth 19 ose 20  iniciativa që janë bashkuar në një lëndë, do të thotë bëhet fjalë për lëndë të vëllimshme. Lënda po punohet, ndërsa ato iniciativa janë pranuar ndoshta para një muaji edhe atë në periudhë të pushimeve vjetore. Lënda po punohet, madje është kërkuar edhe mendim nga Komisioni e Venecias. Më besoni po punohet me ritëm të përshpejtuar por nuk mund të pritet nga ne për një muaj të dalim me vendim”, theksoi Dobrilla Kacarska – kryetare e Gjykatës Kushtetuese.

    E derisa nuk ka vendim final nga Gjykata Kushtetuse, përmbaruesit do të vazhdojnë të thirren në ligjin e vjetër, e për këtë shkak Ristevski paralajmëroi protesta masive edhe pse sipas tij qytetarët kanë humbur shpresat se dikush në këtë shtet do të punojë në favor të tyre.

    Lajmi Paraprak

    Mungesa e masave dhe ulja e fondeve e bën të pashmangshme ndotjen e ajrit

    Lajmi i rradhës

    Pamje nga sulmi terrorist në Ankara, fillimisht gjuan me pushkë automatike dhe më pas aktivizuan jelekun me eksploziv 

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë