Qytetarët nuk vërejnë se janë rritur pagat

    Gjashtë vjet pas premtimit për pagë mesatare prej 500 euro, Qeveria aktuale e LSDM-së u lëvdua se e ka përmbushur premtimin, pasi Enti Shtetëror i Statistikës ka njoftuar se paga e paguar për muajin mars ka qenë 31.080 denarë. Megjithatë, qytetarët thonë se kjo shumë është e pamjaftueshme, duke pasur parasysh rritjen e çmimeve të produkteve.

    “Vallahi unë për 500 euro nuk di asgjë, kush u ka treguar për 500 euro rrogë? (Po nga Qeveria thonë se tani rrogat janë nga 500 euro?…) Aj meazallah, unë se di, unë kam 40 euro pension me katër bajpasa, punë kam bërë për 14 vjet dhe i kam 60 euro loçka jem. (A keni anëtar të familjes që marrin 500 euro?…) Mazallah, gruan kam, fëmijët, por jo çfarë 500 euro. A po, avokatët gjykatësit, doktorët po”

    “Gjithçka rritet ndërsa rrogat më së paku”.

    “Nuk besoj se me këtë standard mund t’ia dale dikush, nëse është diku te 700 euro ndoshta edhe po”.

    Kryeministri Dimitar Kovaçevski, përmes videos, tha se LSDM ka arritur ta realizojë premtimin edhe pse ishte cak i kritikave dhe talljeve.

    “Ne e kuptojmë se sa i rëndësishëm është investimi në të ardhurat e qytetarëve dhe punëtorëve. Me rritjen e pagave, ne mbrohemi nga rritjet e mëdha të çmimeve dhe e drejtojmë buxhetin atje ku është më i nevojshëm. Para nesh kemi një dimër të vështirë, në të cilin do t’i bëjmë të gjitha përpjekjet për t’i ulur goditjet e çmimeve”, tha Dimitar Kovaçevski – Kryeministër

    VMRO-DPMNE, nga ana tjetër, theksoi se rritja e pagës mesatare është artificiale, duke pasur parasysh çmimet më të larta të rrymës, derivateve dhe produkteve bazë të ushqimit.

    “Standardi i qytetarëve është shkatërruar, është shkatërruar ekonomia, rrogat kanë humbur vlerën që kanë pasur më parë, edhe atë falë LSDM-së, mos i hutojnë qytetarët dhe të mos gënjejnë opinionin, sepse askush nuk u beson atyre më, sepse e njohin e dinë qytetarët sa u vlen rroga e tyre kur bëjnë pazar nëpër markete”, tha Dimçe Arsovski – zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

    Sipas statistikave të fundit, pagën mesatare më të lartë sipas sektorëve e marrin programerët – mbi 80 mijë denarë, si dhe bankierët dhe menaxherët, rreth 56 mijë. Në fund të listës janë të punësuarit në industrinë e tekstilit dhe veprimtaritë e shërbimit, ku paga mesatare është rreth 21 mijë denarë. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Bizneset “fërkojnë” duart, me padurim presin dasmat

    Lajmi i rradhës

    Për çfarë do të bisedohet gjatë takimit mes Petkovit dhe Kovaçevskit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë