Qyteti i bllokuar: në Tetovë s’ka as rrugë, as parking

    Me afrimin e festave të fundvitit, në rrugët e Tetovë është shënuar rritje e ndjeshme e numrit të automjeteve, çka ka sjellë trafik të rënduar dhe kaos të dukshëm në komunikacion, veçanërisht gjatë orëve të pasdites. Mungesa e vendeve të parkimit, rrugët e ngushta dhe fluksi i dyfishuar i automjeteve kanë bërë që qarkullimi në zonën qendrore të qytetit pothuajse të paralizohet. Pikërisht në këtë periudhë, kur përqendrimi i qytetarëve është më i madh, zona qendrore mbetet destinacioni kryesor i automjeteve, duke shkaktuar bllokime, vonesa të gjata dhe vështirësi serioze në lëvizje.

    Nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë njoftojnë se janë shtuar kontrollet në komunikacion dhe se policia është vazhdimisht në terren për të ruajtur rrjedhën normale të trafikut.

    “SPB-Tetovë ka përpiluar plan veprimi, sipas të cilit në zonat me frekuentim më të madh, sidomos në pjesën qendrore të qytetit, kemi angazhuar numër më të madh të pjesëtarëve të policisë. Ata rregullojnë komunikacionin, kryesisht duke liruar korsitë e dyta, me qëllim që të mos krijohen ngërçe dhe të mundësohet kalimi i lirë i automjeteve emergjente, si zjarrfikësit, ndihma e shpejtë dhe policia”, deklaroi zëdhënësi i SPB-Tetovë, Fatmir Rexhepi.

    Ai shtoi se janë vendosur edhe pika kontrolli në hyrje dhe dalje të qytetit dhe, në raste urgjente, bëhet devijimi i komunikacionit për të shmangur bllokimet totale. Nga Policia apelohet te qytetarët që të shmangin daljet e panevojshme me automjete personale dhe të përdorin alternativa të tjera transporti, me qëllim uljen e ngarkesës në rrugët e qytetit.

    “Apelojmë që qytetarët të kenë kujdes dhe të mos dalin pa nevojë në rrugë. Në këtë periudhë kemi edhe një numër të  madh mërgimtarësh që kanë ardhur për festat dhe qëndrimi i tyre është i shkurtër. Prandaj, le të tregojmë mirëkuptim që qarkullimi i tyre të jetë sa më i lehtë”, theksoi Rexhepi.

    Situata me trafik të rënduar pritet të zgjasë deri në përfundimin e festave të fundvitit, pas së cilës pritet normalizim gradual i komunikacionit. Gjendja nuk është më e lehtë as në rrugët dytësore brenda qytetit, por as në akset kryesore hyrëse dhe dalëse nga Tetova, veçanërisht në drejtim të Shkupit, Gostivarit dhe pikës kufitare të Jazhincës, ku fluksi i madh i automjeteve shkakton vonesa dhe nervozizëm te drejtuesit e mjeteve. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Thaçi: pa barazi për shqiptarët, s’ka paqe sociale as rrugë europiane

    Lajmi i rradhës

    Shtetësia shqiptare “ëndërr” edhe jashtë kufijve! Rritet interesimi për aplikim nga shqiptarët e RMV

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë