Racizmi dhe varfëria, dy anët e medaljes!

    Njerëzit me ngjyrë, muslimanët dhe njerëzit nga Azia janë më të rrezikuarit nga varfëria, tregon një studim i ri. Nuk ndikon tepër madje as shkollimi i tyre.

    Racizmi është shumë i përhapur në Gjermani. Por çfarë pasojash konkrete mund të ketë për ata që janë prekur prej tij? Qendra Gjermane për Kërkimin, Integrimit dhe Migracionit (DeZIM) në Berlin e trajtoi këtë çështje në një studim. Sociologët Zerin Salikutluk dhe Klara Podkovik donin të zbulonin nëse ka një lidhje midis racizmit dhe varfërisë. Dhe arriti në përfundimin se – ka.

    Baza e analizës së tyre është Monitori Kombëtar i Diskriminimit dhe Racizmit (NaDiRa), në të cilin Salikutluk bashkëpunon. “Nëse shikoni statistikat zyrtare ose raportet e qeverisë gjermane mbi varfërinë dhe pasurinë, ato ndahen kryesisht midis atyre me prejardhje migrante dhe atyre me shtetësi gjermane. Por cila është gjendja e njerëzve që janë të prekur nga racizmi në Gjermani – nuk mund të themi asgjë për këtë deri më tani”.

    Diskriminimi i përditshëm

    Për të hedhur më shumë dritë mbi këtë fushë janë bërë hulumtime të ndryshme, shpjegon studiuesi në një intervistë për DW. Sistemi arsimor, tregu i punës, tregu i banesave dhe sistemi shëndetësor, kanë qenë disa prej fushave të studiuara. Studime të tjera kanë treguar tashmë se diskriminimi ndodh kur kërkoni një punë. E gjithë kjo rrit rrezikun që njerëzit të jetojnë nën kufirin e varfërisë.

    Në Gjermani, ata që kanë më pak se 60 për qind të të ardhurave mesatare konsiderohen si të rrezikuar nga varfëria. Në vitin 2023 ky nivel ishte 1.310 euro në muaj. Nën këtë kufi, siç thonë ata, ishin pesë për qind e gjermanëve vendorë. Ndërsa në mesin e njerëzve me ngjyrë, myslimanëve dhe njerëzve nga Azia, kishte një mesatare prej plot 20 për qind.

    Shkollimi i mirë dhe varfëria

    Në të njëjtën kohë, një arsim i mirë (duke u nisur nga një diplomë master e deri në një doktoraturë nga një universitet) mbron vetëm në raste të caktuara nga një situatë e vështirë financiare. Nga gjermanët pa prejardhje migrante me shkollim të mirë, pesë për qind deklaruan se janë të kërcënuar nga varfëria. Ndërsa njerëzit që kanë përjetuar ndonjëherë racizëm raportuan një rrezik dy deri në shtatë herë më të madh të varfërisë.

    Burrat myslimanë janë më të prekurit me 33 për qind. Autorja e studimit, Zerin Salikutluk, ka këtë shpjegim për këtë: rreth 20 për qind e të anketuarve të besimit mysliman kanë ardhur në Gjermani pas vitit 2013 – kryesisht nga Siria dhe Afganistani. Pra nga vendet që ishin shumë të prekura nga lufta dhe varfëria. E tek refugjatët tashmë dihet se ata janë më të kërcënuarit nga varfëria për shkak të aksesit më të vështirë në tregun e punës”.

    Nëse emri tingëllon i huaj…

    Megjithatë, diskriminohen edhe personat me origjinë të huaj që kanë jetuar në Gjermani për shumë më gjatë ose kanë lindur madje në këtë vend dhe kanë nënshtetësi gjermane. Salikutluk kujton eksperimentet në të cilat dërgoheshin aplikime për një vend të lirë pune me kualifikime të njëjta, por me emra të ndryshëm. Rezultati ishte si më poshtë: “Njerëzit, emri i të cilëve tingëllon turqisht, kanë më pak shanse të ftohen në një intervistë për një punë.”

    Rezultatet e këtij hulumtimi tregojnë se është e nevojshme të merren masa të synuara në luftën kundër varfërisë dhe të inkurajohen mundësitë e barabarta për grupet që janë të diskriminuara, thotë Salikutluk. Në studim jepen edhe propozime konkrete se si të tejkalohet gjendja. Një prej rekomandimeve është njohja e diplomave të marra jashtë vendit, thuhet në studim.

    Si të ulni shkallën e varfërisë?

    “Kjo do të përshpejtonte hyrjen e refugjatëve dhe emigrantëve të tjerë në tregun gjerman të punës dhe do të mundësonte aksesin e specialistëve me diploma të huaja në profesione të përshtatshme”, thuhet në studim. Për integrim më të shpejtë në tregun e punës, ekipi rreth Zerin Saliktluk dëshiron akses më të shpejtë në kurset e gjuhës dhe kurset e integrimit. Sepse, vetëm nëse është e mundur që të ardhurat nga disa punë të mbulojnë nevojat e jetesës, shkalla e varfërisë te refugjatët mund të ulet. /DW/

    Lajmi Paraprak

    10 konkluzat që na dhuruan këto zgjedhje

    Lajmi i rradhës

    Ku u zhdukën 51 mijë refugjatë të mitur?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë