Rama: Bashkimi Kosovë-Shqipëri më i mundshëm jashtë BE-së sesa brenda saj

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një intervistë për gazetën gjermane “Merkur” ka folur për procesin integrues të Ballkanit Perëndimor dhe çështje tjera.

    Sipas Ramës, BE-ja ka nevojë për Ballkanin Perëndimor për hir të sigurisë së vet, ndërsa ka folur edhe rreth deklaratave për bashkimin Kosovë-Shqipëri.

    Në pyetjen se në rajon disa kanë frikë nga bashkimi Kosovë-Shqipëri, Rama ka thënë se “Lojëra të tilla mendimesh kanë më shumë gjasa jashtë se brenda BE-së”.

    Pjesë të intervistës së Ramës për gazetën gjermane: 

    Procesi i anëtarësimit ka ngelur prej kohësh në vendnumëro. A jeni i zhgënjyer?

    Rama: Në krye të herës po, por jo më. Sot BE-ja nuk është më e njëjta si në kohën e themelimit të saj. Ajo është e fragmentarizuar, vuan pasojat e agjendave kombëtare dhe të interesave të papërputhshme me njëra-tjetrën. Unë besoj se që pas krizës së refugjatëve, BE-ja ndikohet fort nga kahet ekstreme të politikës. Vërtet që partitë e ekstremit të djathtë nuk janë në pushtet, por ato kanë ndikim të madh në politikat e qeverive të moderuara. Hera-herës kjo bie në kundërshti me vlerat dhe parimet e BE-së.

    Këto fjalë nuk tingëllojnë aspak si një fjalim që të do të bindë BE-në për ta pranuar. Përse vazhdoni të doni të bëheni vend anëtar?

    Rama: Nuk bëhet fjalë për gjendjen e bashkësisë në një çast konkret të historisë. Për ne Bashkimi Evropian është një premtim paqeje. Këtë njerëzit në Perëndim e kanë harruar, sepse falë Zotit nuk kanë parë luftë prej kohësh. Ama ne po. Ndoshta rrugëtimi i BE-së do të jetë me kthesa e pengesa edhe për ca kohë, por në finish ajo mbetet padyshim e ardhmja e kontinentit.

    Por me Ballkanin Perëndimor BE-ja fut probleme në derën e shtëpisë, si për shembull konflikti për çështjen e Kosovës.

    Rama: BE-ja ka nevojë për Ballkanin Perëndimor për hir të sigurisë së vet. Nuk ka kuptim që të ketë kufi të brendshëm me ne. Dhe nuk ka aspak kuptim që ta lëshojë rajonin tonën nën ndikimin e të tjerëve…

    …E keni fjalën për Kinën dhe Rusinë?

    Rama: Ato janë veç pjesa e dukshme. Mos harroni se në rajon jetojnë të krishterë e myslimanë. Do të ishte çmenduri ta lësh Ballkanin Perëndimor një portë të hapur për radikalizimin dhe terrorizmin. Ka ardhur koha që BE-ja ta kuptojë këtë.

    Edhe njëherë, tensionet në rajon po shtohen. Para pak kohësh Serbia vendosi mjete të blinduara në kufirin me Kosovën…

    Rama: Por kjo nuk ka të krahasuar me tensionet e kohëve të mëparshme. Madje kjo lidhet edhe me faktin që kundërshtarët e dikurshëm  sot duan të anëtarësohen të gjithë së bashku në BE. Konfliktet ushtarake lindin kur shtetet janë të izoluara e jo kur janë në një bashkësi. Kujtoni zhvillimet pozitive që sollën marrëdhëniet franko-gjermane apo dhe rastin e Irlandës. Rreziku që BE-ja të importojë konflikt brenda shtëpisë është i vogël.

    Në rajon disa kanë frikë se ju doni të bashkoheni me Kosovën për të krijuar Shqipërinë e Madhe…

    Rama: Lojëra të tilla mendimesh kanë më shumë gjasa jashtë se brenda BE-së. /tch/

    Lajmi Paraprak

    Të dielën linjë telefonike falas për raportim të shkeljes së drejtës zgjedhore në zyrat e Avokatit të Popullit

    Lajmi i rradhës

    “El Clasico” edhe në Superkupën e Spanjës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë