Ramiz Merko është rekordmen për paratë e shpenzuara nga komuna e Strugës

    Qindra mijëra euro para të popullit në vitet e kaluara në kohën e qeverisjes së Ramiz Merkos si kryetar i Komunës së Strugës janë shpenzuar për gjëra joproduktive, akuzojnë VMRO dhe Aleanca për Shqiptarët në Strugë. Sipas VMRO-së, shumica në këshillin e përbërë nga LSDM dhe BDI verbërisht i dëgjon dhe i ndjek të gjitha idetë, konceptet, propozimet e tij dhe voton për to, sado që ato janë në kundërshtim me rregulloret ligjore. Nga partia opozitare thonë se vetëm një shembull i vogël i kësaj janë blerjet e automjeteve të shtrenjta dhe shumat e larta që pretendohet se janë shpenzuar për dreka dhe darka zyrtare. Ka pasur edhe raste të tjera të tilla.

    “I tillë është edhe rasti me ndriçimin e shtratit të lumit Drini i Zi, ku gati 7 milionë denarë janë parashikuar në buxhetin e kryetarit të komunës për atë dedikim, për çdo vit. I tillë është rasti me mjetet për prezantim. E dimë se Merko është rekordmeni sipas parave të shpenzuara për prezantim. Por, këshilltarët e LSDM-së dhe BDI-së në buxhetet vjetore i votuan nga 5 milionë denarë në emër të prezantimit. I tillë është rasti me shpërndarjen e parave nga qytetarët në emër të rindërtimit të deponive të mbeturinave dhe nga viti 2018 e deri më tani janë shpenzuar mbi 50 milionë denarë”, deklaroi Alen Dereban – kryetar i VMRO-DPMNE-së Strugë.

    Aleanca për Shqiptarët në Strugë akuzon Merkon se Komuna nga janari deri në prill të këtij viti ka shpenzuar 742.000 denarë për pije, dreka dhe darka.

    “Çfarë përfitimesh kanë Komuna e Strugës dhe qytetarët nga këto pije, dreka, darka? Ju siguroj se me këtë shumë të shpenzuar do të ishte bërë tredhja dhe sterilizimi i qenve endacakë në Strugë…”, tha Lulzim Nasufi, Aleanca për Shqiptarët, Strugë.

    Ndryshe, llogaria e Komunës së Strugës është bllokuar në vitet e kaluara. Gjykata lokale Themelore, ndonëse ka ditur për shpenzimet e diskutueshme, megjithatë, siç akuzon VMRO-ja, gjithmonë ka lejuar që në buxhetin e kryetarit të ketë para me të cilat pretendohet se janë bërë të gjitha shpenzimet jodedikuese. SHBA e vendosi Merkon në listën e zezë dhe e shpalli atë persona non grata për korrupsion dhe ndërhyrje në çështjet gjyqësore. Alsat pyeti Prokurorinë Publike se deri ku është hetimi për lëndët e lidhura me të. Na u përgjigjën se komisioni, i cili ishte për kontroll në Prokurorinë Themelore Publike të Strugës dhe Prokurorisë së Lartë Publike në Manastir, ende është duke e përpiluar raportin e mbikëqyrjes. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Studentët e mjekësisë kundër “pengmarrjes së diplomës” nga shteti

    Lajmi i rradhës

    “Nxehet” debati për ndryshimet kushtetuese

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë