RAPORTI I “AMNESTY INTERNATIONAL” PËR MAQEDONINË: Ligje që nuk zbatohen, segregacion, sulme fizike…

    Tensionet ndëretnike të rënduara nga gjuha e urrejtjes, Ligji për mbrojtjen e grave nga dhuna nuk është zbatuar plotësisht, romët i nënshtrohen segregacionit në arsim, pjesëtarët e komunitetit LGBT janë përballur me sulme fizike… Këto janë vetëm disa nga situatat e vërejtura në Maqedoni në raportin e Amnesty International për vitin 2022. Ky raport vjetor përfshin edhe aktgjykimin e fundit për ish-kryeministrin Nikolla Gruevski, gjendjen me emigrantët dhe refugjatët, dhunën në familje, degradimin e mjedisit, lirinë e mediave, çështjen e të zhdukurve në konfliktin e vitit 2001, si dhe kontestin mes Shkupit dhe Sofjes. “Bullgaria vazhdoi të kundërshtojë anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian (BE), duke pretenduar se historia, identiteti kulturor dhe gjuha e saj janë bullgare. Zgjidhja e propozuar nga Franca përfshinte për herë të parë njohjen e pakicës bullgare në Kushtetutë. Kjo u prit me protesta të mëdha publike në korrik dhe opozitë politike. Në shtator, Komisioni Evropian nisi një proces shqyrtimi për anëtarësimin e mundshëm në BE”, thuhet në raportin vjetor të Amnesty.

    Në sektorët ku trajtohet situata me torturën, abuzimin dhe dhunën ndaj grave dhe vajzave, evidentohen rastet e nëpunësit të parë civil që vuan dënimin me burg për abuzim dhe rasti i Pale Iloskës, e cila vrau burrin e saj në vetëmbrojtje. “Në muajin maj, në rigjykim, një punonjës policie me iniciale G.P. u dënua me një vit burg – zyrtari i parë që vuante dënimin me burg për maltretim. Një dëshmitar e incizoi G.P. në vitin 2020 duke shkelmuar Nevzat Jasharov, rom, derisa ishte i shtrirë në tokë. Dy gra u vranë nga një familjar. Ligji për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Familje i vitit 2021 ende nuk është zbatuar plotësisht. Autoritetet nuk miratuan aktet nënligjore, buxhetet dhe procedurat përkatëse, dhe policia shpesh hezitonte të vepronte. Në shkurt, pas një proteste nga OJQ-të e grave, akuza për vrasje nga pakujdesia kundër Pale Ilovska u ndryshua në vetëmbrojtje. Ajo theri me thikë burrin e saj oficerin e policisë në shtator 2021, ndërsa ai e goditi me grushte, shkelma dhe u përpoq ta mbyste. Fqinjët dhe familjarët dëshmuan se kanë denoncuar vazhdimisht dhunën e tij në polici, e cila nuk ka reaguar”, thuhet në raportin e Amnesty International.

    Organizata vë në dukje gjithashtu kodin e ri penal, të propozuar në korrik 2022, i cili përfshin dispozita për mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve, duke përfshirë rritjen e dënimit për sulm ose vrasje dhe detyron autoritetet të ndjekin penalisht. Në pjesën E drejta për jetë, organizata veçon hapjen e procedurës kundër dy drejtuesve të spitalit në Tetovë dhe një mjeku, të akuzuar për vdekjen e 12 pacientëve dhe dy të afërmve të tyre gjatë zjarrit në spitalin modular të Tetovës. Raporti është më i gjerë në seksionin mbi të drejtat e komunitetit LGBT dhe diskriminimin ndaj romëve.

    “Në mars (2022), në mungesë të mbështetjes parlamentare, qeveria tërhoqi papritur Projektligjin për Njohjen Gjinore të mbështetur nga OJQ-të 2021, i cili do të parashikonte që personat trans të ndryshonin ligjërisht identitetin e tyre gjinor përmes një procedure të thjeshtuar noteriale. Për vitin 2023 ishte parashikuar një ligj i përpunuar. Në maj, Bekim Asani, drejtor i OJQ-së LGBT United me bazë në Tetovë, u dhunua verbalisht nga katër burra ndërsa ishte ulur me nënën e tij te varri i babait të tij dhe u sulmua nga njëri prej tyre. Ai u sulmua dy herë në gusht, për të cilin një autor u dënua me gjashtë muaj burg, ndërsa rasti tjetër mbeti në pritje”, thuhet në raportin e “Amnesty International”.

    Për degradimin e mjedisit, Amnesty citon një raport të OJQ-së Bankwatch, bazuar në monitorimin e vitit 2021, i cili dokumentoi ndikimet negative shëndetësore në popullatën lokale të emetimeve nga termocentrali në Manastir, minierat e hapura dhe vendet e depozitimit të hirit. Emetimet e pluhurit dhe dioksidit të squfurit rregullisht tejkalojnë kufijtë ligjorë dhe udhëzimet e OBSH-së, thekson Amnesty dhe shton se Qeveria nuk ka marrë asnjë masë për të reduktuar emetimet e dëmshme.

    2022 ishte një pikë kthese për rendin ndërkombëtar. Por nuk kishte asnjë pikë kthese në frontin e të drejtave të njeriut. Me agresionin rus (kundër Ukrainës), sistemi ndërkombëtar multulateral, i dobësuar prej dekadash, vazhdoi të destabilizohej. Lufta në Ukrainë ka larguar burimet dhe vëmendjen nga kriza klimatike, konfliktet e tjera të gjata dhe vuajtjet njerëzore në mbarë botën. 2023 shënon 75 vjetorin e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut. Le të mos presim që bota të digjet përsëri për të jetuar me të vërtetë sipas lirive dhe parimeve që u kushtuan miliona jetëve, tha mes tjerash Amnesty në raport. /koha/

    Lajmi Paraprak

    ZGJIDHJE PËR PAGAT | Rritja me pagën minimale apo me mesataren?

    Lajmi i rradhës

    Pendarovski kundër rritjes së pagave në kohë krize, kërkon zgjidhje

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë