ZGJIDHJE PËR PAGAT | Rritja me pagën minimale apo me mesataren?

    Të punësuarit në dikasterin e kulturës po protestojnë disa ditë me radhë të pakënaqur me të ardhurat mujore. Ata kërkojnë rritje të pagave ngjashëm me dikasterin e financave që kanë rritje për 30 për qind dhe të punësuarve në Kuvend që ju janë rritur pikët sipas titujve dhe vlerës së pikës që lidhej me pagën minimale. Shtojnë se diferenca në pagat e punëtorëve të kulturës me kolegët e tyre nga organet tjera shtetërore arrin në 10.000 denarë për të njëjtin vend pune. Nga ekzekutivi thonë se punonjësit e kulturës kanë një nga marrëveshjet më të mira kolektive.

    “E drejta e protestës është gjithmonë e disponueshme për të gjithë, ne jemi një vend demokratik. Ministria e Kulturës, apo punonjësit, kanë një marrëveshje kolektive që është një nga më të mirat për punëtorët. Sigurisht që do të mund të bisedojnë me autoritetet në ministri për realizimin e të drejtave të tyre, sepse secili ka të drejtë të kërkojë pagë më të lartë”, thonë nga Qeveria.

    Paga më të larta dhe harmonizimin e saj me rritjen e pagës minimale e kërkojnë edhe të punësuarit në shëndetësi, polici, administratë dhe gjyqësor. Sindikalistët e shëndetësisë kërkojnë rritje të pagave të punonjësve , për shkak se sipas tyre pas rritjes së pagës minimale personeli mjekësor i mesëm do të merr te njëjtën pagë me pastrueset.

    Kërkesa kryesore e Sindikatës së Administratës është nevoja urgjente për rritjen e pagave të punonjësve të administratës dhe një mënyrë e re e llogaritjes së pagave në administratë dhe gjyqësor duke i lidhur ato me pagën mesatare.

    Nga Ministria e Financave thonë se po punohet për Ligjin e Pagave në Sektorin Publik ku zgjidhja po kërkohet për pagat e të punësuarve në të gjithë sektorin publik sipas një metodologjie të qëndrueshme dhe afatgjate e bazuar në kritere të përcaktuara në mënyrë objektive. Shtojnë se çështja e pagave do ta zgjidhet së bashku me partnerët si sindikatat dhe punëdhënësit në Këshillin Ekonomik dhe Social.

    “Në Ligjin e Nëpunësve Administrativë është krijuar metodologji me të cilën paga minimale vendoset si komponent bazë në pagën e administratës shtetërore dhe lidhur me këtë rriten pagat e të gjithë të punësuarve në administratën shtetërore në përputhje me kriteret e përcaktuara për rritjen e pagës minimale. Kjo i referohet të punësuarve që përfshihen me këtë ligj, ndërsa për të tjerët rritja e pagave rregullohet me marrëveshje kolektive”, thonë nga Ministria e Financave.

    Nga Banka Popullore thonë se nevojitet të bëhet kujdes me pagat, për shkak se ato mund të rrisin inflacionin.

    Në kohë krize, kur Banka Kombëtare po shtrëngon vazhdimisht rripin për të frenuar inflacionin, rritja e pagave do të shkaktojë efektin e kundërt. Do të rritet konsumi personal tek familjet, gjë që do të shkaktojë rritje të kostos së jetesës. Pagat duhet të rriten nëse produktiviteti i punëtorëve rritet, por te ne ai është në rënie, thotë guvernatorja Anita Angellovska-Bezhoska.

    “Ne duhet të mbajmë politika monetare të mençura. Por duke marrë parasysh tronditjet komplekse monetare me të cilat po përballemi, është thelbësore që politikat monetare të mbështeten me politika fiskale për të parandaluar rritjen e pagave që nuk kanë të bëjnë me rritjen e produktivitetit”, thekson Angellovska, guvernatore e Bankës Popullore.

    Ndryshe, edhe me rritjen e pagës minimale në 20 mijë denarë, sërish edhe dy paga të tilla nuk mjaftojnë për të mbuluar shportën sindikale minimale prej 51 mijë denarë. Apo me fjalë tjera, një pagë minimale në një familje arrin vetëm të mbulojnë harxhimet mujore për ushqime të llogaritura sipas shportës sindikale

    Shtrenjtimin e madh të ushqimit në tre vitet e fundit, jo vetëm që po e ndjejnë qytetarët në xhepin e tyre, por atë e konfirmojnë edhe raportet e ndryshme statistikore. Njëherësh të dhënat statistikore tregojnë se harxhimet për ushqime dhe pije joalkoolike në muajin janar të këtij viti janë rritur për 25 për qind karshi atyre në muajin janar të vitit 2022. Për më tepër çmimet janë rritur me 9.2 për qind në janar të 2022 karshi muajit janar 2021,që i bie se për dy vite kostoja e ushqimit është rritur për 34 për qind. Gjithashtu statistika ka regjistruar se kostoja e jetesës u rrit me 17.1 për qind nga janari i vitit 2022 në muajin janar 2023. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Vetëm Struga nuk i ka deklaruar ndërtimet pa leje

    Lajmi i rradhës

    RAPORTI I “AMNESTY INTERNATIONAL” PËR MAQEDONINË: Ligje që nuk zbatohen, segregacion, sulme fizike…

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë