Raportohet se disa trupa ruse po largohen nga kufiri me Ukrainën

    Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë të martën se disa trupa të pozicionuara afër kufirit me Ukrainën, janë duke u kthyer në bazat e tyre, pas përfundimit të stërvitjeve, ka raportuar agjencia e lajmeve, Interfax.

    Sipas saj, stërvitjet e shkallës së gjerë në Rusi do të vazhdojnë.

    Ende nuk dihet sa trupa janë duke u larguar edhe nëse ky vendim do të ulë tensionet.

    Shtetet e Bashkuara kanë vlerësuar se 130,000 ushtarë gjenden afër kufirit me Ukrainën.

    Më 14 shkurt, Rusia e ka lënë derën e hapur për më shumë diskutime me qëllim të zgjidhjes së krizës.

    Gjatë një takimi televiziv me presidentin rus, Vladimir Putin, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka thënë se “gjithmonë ka mundësi” për të arritur marrëveshje me Perëndimin për Ukrainën.

    Rusia ka insistuar se nuk ka plane për pushtim, por në të njëjtën kohë kërkon garanci për çështje të sigurisë në Evropë, përfshirë atë që NATO-ja të mos zgjerohet në shtetet si Ukraina, apo ish-republika tjetër sovjetike, Gjeorgjia.

    Në kërkesat e Moskës ndaj Perëndimit përfshihen edhe ato që:

    • NATO-ja t’i japë fund aktivitetit ushtarak në Evropën Lindore dhe të tërheqë trupat nga Polonia dhe republikat baltike, Estonia, Letonia dhe Lituania
    • Aleanca veriatlantike të mos pozicionojë raketa në shtetet afër apo në kufi me Rusinë

    Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja janë përgjigjur duke thënë se Ukraina ka të drejtë të zgjedhë aleatët e vet, mirëpo i kanë ofruar Rusisë mundësinë e negocimit rreth raketave dhe çështjeve tjera.

    Nëse Rusia pushton Ukrainën, kjo nuk do të ishte hera e parë.

    Rusia ka aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë më 2014.

    Ky vend po ashtu mbështet rebelët në konfliktet në rajonet lindore të Ukrainës, në të cilat kanë vdekur rreth 14,000 persona. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Do të protestohet para Qeverisë për shkak të krizës me energjinë elektrike

    Lajmi i rradhës

    Sindikata e policisë: Kërkojmë paga më të larta në MPB

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë