Reagime për vizitën e Albin Kurtit, Pendarovski: Të ndëshkohen organizatorët

    Presidenti Stevo Pendarovski kërkon sanksionimin e organizatorëve të aktiviteteve të dy ditëve më parë në Çair dhe në Tetovë, gjatë vizitës së kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, për shkelje të ligjeve të vendit. Theksimi i i konografisë provokuese nacionaliste që promovon ide shoviniste të shteteve të mëdha paraqet nxitjen e urrejtjes dhe jotolerancës etnike, e cila pa mëdyshje sulmon parimet dhe vlerat bazë të Marrëveshjes Kornizë si dhe konceptin e Maqedonisë si shtet multietnik, thuhet në reagimin e tij.

    “Organizatorët e tubimeve publike në Tetovë dhe Çair duhet të sanksionohen ligjërisht për shkeljen e dispozitave ligjore për përdorimin e flamurit dhe himnit shtetëror dhe flamujve dhe simboleve të komuniteteve, duke i injoruar plotësisht simbolet e shtetit. Në këtë drejtim, u bëj thirrje organeve kompetente që sa më parë të kryejnë procedurat e parapara”, tha Stevo Pendarovski, president.

    Presidenti më tej kërkon rishikimin e vendimit për riemërimin e rrugës në Çair me emrin e ri “Adem Demaçi”.

    “Mënyra e realizimit të idesë së riemërtimit të rrugës në komunën e Çairit bie ndesh me parimin e debatit demokratik dhe respektimit të trashëgimisë historike të të gjitha komuniteteve në shtet. Në këtë kuptim, pres që shërbimet kompetente inspektuese të kontrollojnë nëse është respektuar parimi i votimit me shumicë të dyfishtë gjatë marrjes së vendimit, ku duhet të përfshihen edhe votat e komuniteteve që nuk janë shumicë në atë komunë”, shtoi Stevo Pendarovski, president.

    E ndërkohë kanë vazhduar edhe reagime të ngjashme në rrjetet sociale por edhe nga partitë politike. LSDM-ja kërkon përgjigje nga Mickoski.

    “Hristijan Mickoski nuk duhet të fshihet, të dalë para opinionit dhe të përgjigjet për ngjarjet në Shkup dhe Tetovë të organizuara nga partnerët joformal të koalicionit Mickoski dhe DPMNE”, thonë nga LSDM.

    Kurse VMRO-DPMNE-ja kërkon përgjegjësi nga LSDM-ja.

    “Demaçi nuk ka asnjë lidhje me historinë e vendit, as me Shkupin, përkundrazi, ai njihet për qëndrimet e tij nacionaliste ndaj vendeve të huaja. Pasi që as BDI-ja dhe LDS-ja nuk e dinin se kryeministri i Kosovës do të vinte për të vizituar vendin, atëherë kush dha leje për sigurimin e tij policor?” – VMRO-DPMNE.

    Kurti në Shkup dhe Tetovë takoi vetëm politikanë të Frontit opozitar dhe asnjë nga radhët e pushtetit. Ata përuruan bashkë emrin e ri të rrugës Adem Demaçi në Komunën e Çairit dhe më pas folën për projektin për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren. Ai tha se këtë vizitë e bën si kryeministër, në mënyrë vëllazërore dhe miqësore. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Tetovarët ditët e nxehta i kalojnë nëpër pishina

    Lajmi i rradhës

    BE mbylli sytë ndaj gjyqësorit të keq në Bullgari dhe Rumani, e në Maqedoni?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë