Reduktimi i buxhetit ka krijuar një situatë kaotike në Teatrin e Kumanovës

    “Fluturimi mbi teatrin shqiptar” është një nga projektet ambicioze me të cilin Drama shqiptare në Kumanovë ende nuk nisur provat. Një muzikal, i përshtatur për teatrin shqiptar nga dramaturgu Jeton Neziraj, por nisja e provave është shtyrë dhe nga Teatri nuk janë të sigurt se kur mund të fillojnë. Me buxhetin e vënë në dispozicion nga Ministria e Kulturës, gjithsej 1.5 milion denarë (për dy shfaqje) institucioni e ka të vështirë të plotësojë të gjitha kërkesat e stafit për realizimin e një muzikali. Përveç kushteve të vështira të funksionimit, duke qenë se që prej themelimit Teatri shqiptar ndan të njëjtat ambiente me Qendrën e Kulturës dhe Teatrin maqedonas, por edhe buxhetin e vogël (deri në 2.7 milionë denarë vitin e kaluar), entuziazmi ka qenë motivimi kryesor i trupës shqiptare. Inkurajuar edhe nga publiku, që për dallim nga teatrot e tjera është më i madh në numër në çdo reprizë. Udhëheqësi artistik i Teatrit Mirsad Abazi pohon se reduktimi i buxhetit të sivjetshëm ka krijuar një situatë kaotike dhe të paparashikueshme.

    “Mund të them tani arsyet e vonimit për shfaqjen e re, që ende nuk kemi nisur, janë pikërisht vështirësitë për buxhetin e vogël dhe organizimin e një ekipi të madh, por jam shumë mirënjohës për mirëkuptimin që po gjej me pjesën artistike, regjisori, autorët, aktorët, etj. Një nga shfaqjet që vlerësohet si projekt i madh, me autor, Jeton Neziraj, që do të jetë në regjinë e një tjetër emri të suksesshëm, Erson Zymberi. Faza e parë e përgatitjes ka filluar gati një muaj dhe jemi në përfundim të ekipit, ku përfshihen kasta e aktorëve, kostumografi, skenografi, muzika autoriale, koreografi, etj. Ju premtoj se do të jetë një projekt shumë i suksesshëm dhe, pa marrë parasysh këto sfida financiare me ndihmën e të gjithë kolegëve dhe dashurinë që kemi për Teatrin dhe artin, do t’i dalim me sukses”, thotë Abazi.

    Nëse gjithçka do shkojë si duhet premiera e shfaqjes do të jepet në fund të muajit qershor, ndërsa premiera e dytë, me regji nga Gert Cajani, do të jetë në muajin shtator.

    Që prej themelimit ansambli i Dramës shqipe në Kumanovë ka trashëguar një zinxhir problemesh pa asnjë lloj përmirësimi. Si në asketin financiar, ashtu edhe në atë të akomodimit. Së bashku me Teatrin maqedonas, por të pabarabartë sa i takon shfrytëzimit të hapësirave, shërbimeve skenike, gardërobës, dhomave të posaçme për aktorët.., e deri tek numri i aktorëve, regjisorëve, mungesave të suflerëve… e të tjera. Prej disa kohësh ndryshimi i vetëm është edhe punësimi i një asistent regjisori dhe rikonstruktimi i Teatrit të Kumanovës ka nisur dy vjet më parë.

    Përfundimi i punimeve besohet se do të zgjidhë së paku problemin me hapësirat dhe sistemimin e përhershëm të teatrit shqiptar, ku së bashku me atë maqedonas do të funksionojnë në ambiente të ndara. Sa i takon financave, zgjidhja i takon po Ministrisë së Kulturës sesa do t’i akordojë për realizimin e projekteve vjetore. Teatri shqiptar këto ditë ka publikuar thirrjen për aplikim për projektet e vitit të ardhshëm. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Gratë të cilat vuajnë dënim me burg, do t’i kenë të drejtat dhe lehtësimet e njëjta si meshkujt

    Lajmi i rradhës

    Nuk ka fuqi punëtore në Ohër dhe Strugë – turistët e parë veçse kanë arritur

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë