Reformat nuk duhet të jenë vetëm një detyrim në letër, por duhet të shndërrohen në mbështetje reale për bizneset, vlerësojnë ekspertët. Në kushtet kur Agjenda e Reformave (2024-2027) dhe Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian hapin hapësirë për përparim ekonomik, vlerësohet se pyetja kryesore nuk është nëse reformat janë të nevojshme, por si ato mund të ndihen më shpejt dhe me efikasitet në operaçionet e përditshme të kompanive, përmes rregullave të thjeshtuara, aksesit më të mirë në tregje dhe mbështetjes reale për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Marko Troshanovski drejtori i Institutit për Demokraci thekson se një nga qëllimet kryesore është zvogëlimi i hendekut midis proceseve abstrakte të reformave dhe ndikimit të tyre real në jetën e përditshme.
“Reformat shpesh përfundojnë në ligje dhe procedura që u duken të largëta qytetarëve, por ato ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e tyre, nga kostot më të ulëta bankare deri te qasja më e lehtë në shërbime në rajon. Komuniteti i biznesit gjithashtu duhet të përfshihet në mënyrë aktive në proces. Ai nuk është vetëm përfitues, por edhe bashkëkrijues i reformave, dhe për këtë arsye qëllimi i këtij eventi është të hapë një diskutim mbi zbatimin e tyre, veçanërisht në fushën e mjedisit të biznesit”, shton Troshanovski.
Në mungesë të përparimit të vërtetë në pjesën formale të procesit të anëtarësimit, pra dështimit për të filluar negociatat, përmes këtyre proceseve po përpiqemi të inkurajojmë shtetin, institucionet, por edhe komunitetin e biznesit dhe opinionin, në mënyrë që të rritet mbështetja, mirëkuptimi dhe zbatimi i reformave, tha Troshanovski, në kuadër të konferencës
“Më pak pengesa, më shumë mundësi: Reforma për mbështetjen e bizneseve të vogla dhe të mesme”, e organizuar nga Instituti për Demokraci.
Mile Boshkov nga Konfederata e Biznesit, thekson se pavarësisht ekzistencës së dokumenteve dhe nismave të ndryshme strategjike, sfida kryesore mbetet zbatimi i tyre praktik.
“Ne kemi strategji, agjenda dhe plane, por ajo që na mungon është zbatimi konsistent i standardeve dhe parimeve që jemi zotuar t’i zbatojmë”, shton ai.
Nga Instituti për Demokraci, theksohet se niveli i ulët i njohjes rreth Axhendës së Reformave dhe Planit të Rritjes është afër 43 për qind prandaj është e nevojshme që këto procese t’u afrohen qytetarëve dhe komunitetit të biznesit dhe të inkurajohen përfshirja e tyre më aktive.
“Aktualisht, zbatimi i Agjendës së Reformave është rreth 30%, d.m.th. vetëm një pjesë e vogël e hapave të parashikuar janë përfunduar plotësisht, ndërsa shumica e reformave janë ende në proces ose ende nuk janë zbatuar. Ne presim që intensiteti më i madh i zbatimit të ndodhë gjatë këtij viti, duke pasur parasysh se agjenda e reformave zgjat deri në vitin 2027. Prandaj, është e rëndësishme që reformat të mos mbeten vetëm në letër, por të ketë presion publik për zbatimin e tyre në kohë dhe efektiv”, tha Anamarija Velinovska nga Instituti për Demokraci.
Ndryshe, aspekte kryesore të reformave, nisin me harmonizimin rregullator dhe integrimin në tregun e vetëm të BE-së, deri te tërheqja e investimeve, nxitja e inovacionit dhe transformimi dixhital. /Koha/






