REFORMAT NË ADMINISTRATË: “Avash avash” drejt Europës!

    Mungesë vizioni për reformat e vërteta në administratë, shpallje të vazhdueshme për punësime në institucione të ndryshme, kritika për çdo vit nga ana e Komisionit Europian në raportet e progresit. Maqedonia e Veriut me vite angazhohet për një profesionalizëm më të madh në administratë, mirëpo akoma mbetet shumë punë për të bërë. Nga ana tjetër, ministri për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Admirim Aliti, në kuadër të procesit të skriningut në takimin e fundit në Bruksel, gjatë takimit me përfaqësuesit e Komisionit Europian, theksoi se reformat në Administratën Publike mbeten një nga prioritetet kyçe të Qeverisë. Ai shtoi se po punohet në mënyrë intensive për të mundësuar një administratë publike të depolitizuar, kompetente, efikase, të përgjegjshme dhe transparente, e cila do të ofrojë shërbime cilësore për qytetarët dhe komunitetin e biznesit.

    Në ndërkohë, ekspertët e kësaj lëmie shtrojnë çështjen se sa shteti ka edhe vullnet politik për reforma në administratën publike. Profesori universitar Borçe Davitkovski thotë se për reforma në administratë nevojitet vullneti politik që aktualisht mungon, andaj edhe ajo po rritet shumë dhe vështirë se atë do të mund ta durojë arka e shtetit, ndërsa në vazhdimësi do të ulet edhe cilësia e punës së saj.

    Nga ana tjetër, sipas ambasadorit evropian në Shkup, David Geer, administrata duhet të përshtatet me nevojat aktuale dhe të ndjekë ndryshimet në korniza botërore. “Maqedonia ka nevojë për një administratë publike të pavarur dhe profesionale, dhe jo të partizuar. Nuk mund të thuhet se nuk ka rezultate në drejtim të riorganizimit, por sistemi ka edhe dobësi që sigurisht vërehen dhe është i dukshëm edhe ndikimi shumë i fortë partiak në pjesë të caktuara të administratës”, thekson Geer.

    Në ndërkohë, eksperti Davitkovski thotë se vendit i nevojitet ndryshime shumë serioze dhe rrënjësore me qëllim që të përmirësohet kjo situatë. Për shembull ai thekson se në mjaft nivel mungon personel, ndërsa në të tjerat kemi mbi punësime si në shëndetësi ku nga 22 mijë të punësuar as gjysma nuk janë mantelbardhë, apo vetëm 12 mijë janë mantel bardhë, ndërsa në arsim nga 40 mijë të punësuar gjysma janë administratë, ndërsa gjysma tjetër ofrojnë shërbime. Pra, nga 130-140 mijë të punësuar në administratën publike mund të shkurtohen 30 për qind, edhe përmes diferencimit të kompetencave.

    Ndryshe, Ministria e Administratës në vitin e kaluar ndër të tjerash ka finalizuar disa ligje që janë thelbi i funksionimit efikas të administratës shtetërore, si Ligjin për Nëpunësit Administrativ dhe Ligjin për të Punësuarit në Sektor publik; versionet e reja të të cilave janë publikuar ne ENER në shtator të vitit 2022, e që mundësojnë de politizimin e administratës, sistem meritor të punësimit dhe vlerësimit, përfaqësim të drejtë dhe adekuat dhe profesionalizëm të administratës.

    Ka përfunduar edhe Strategjinë e Re për Reforma në Administratë Publike (2023-2030). Reforma për bashkimin e disa njësive dhe riorganizimin e tyre kanë filluar në Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Ministrinë e Ekonomisë të Bujqësisë. Pritet që deri në vitin 2024 gjitha ministritë të fillojnë me riorganizimin e punës së tyre. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    E dhimbshme: Tetova po zbrazet, për pesë muaj shuhen tetë paralele

    Lajmi i rradhës

    RAPORTI I BERZh: Qeverisja po dobësohet

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë