Reklamimi i partive nga arka e shtetit!

    Partitë politike në vend me vite kanë marrë miliona euro para publike për reklama në prag të çdo cikli zgjedhor. Në këmbim, qytetarët marrin një fushatë të zezë, në të cilën në vend që të flasin për programe, projekte dhe ide, dëgjojnë vetëm fyerje, shpifje dhe fjalë denigruese mes kundërshtarëve të caktuar politikë. Ndoshta e gjithë kjo në këto kohë vlerash krejtësisht të devalvuara, do të ishte disi e kuptueshme nëse partitë vetë do të financonin reklamat e tyre në media, por është e paarsyeshme që shteti të financojë partitë për të luftuar me njëra-tjetrën, dhe që populli të paguajë faturat e tyre dhe të duhet të shohin dhe dëgjojnë të gjitha këto, thonë njohësit e proceseve politike në vend.

    Analisti politik dhe njohës i marrëdhënieve me opinionin, Sinisha Pekevski konsideron se është absurde që shteti të financojë fushatat reklamuese të partive politike, por nga ana tjetër shton se ka përshtypjen se ka një konsensus të heshtur se gjërat nuk duhet të ndryshojnë. Pse?

    “Profesioni i politikanit u mbrojt me ndryshimet e fundit të Kodit penal, të nënshkruar dhe miratuar nga presidenti Stevo Pendarovski. Pra, politikani është profesioni më i mirë në të cilin ke vetëm përfitime pa reperkusione. Është krejtësisht e papërgjegjshme politikisht që shteti t’i financojë partitë politike dhe ato t’i shpenzojnë si të duan, por këtu është Maqedonia ku absurdi është realitet”, thotë Pekevski.

    Sipas tij, realisht ka ardhur koha që shteti t’i zvogëlojë paratë për reklama politike parazgjedhore të partive dhe ato mjete t’i ndajë për qëllime shumë më të dobishme.

    “Besoj se këto fonde që u jepen partive duhet të përdoren për gjëra më të rëndësishme. Që të fillojmë të kemi një fushatë pozitive cilësore para çdo zgjedhjeje duhet të maturohemi si shoqëri dhe qasja pozitive do të ekzistojë edhe kur të vendoset një shtet i vërtetë ligjor që nënkupton ndëshkimin e krimit”, thekson Pekevski.

    Me ndryshimin e Kodit Zgjedhor në vitin 2018, buxheti përmes Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) mbulon të gjitha shpenzimet e propagandës parazgjedhore të partive, dhe duke pasur parasysh se bëhet fjalë për mjete buxhetore, orekset e partive për reklamim janë rritur ndjeshëm.

    Mundësinë për të shpenzuar shuma të mëdha buxhetore për reklamat parazgjedhore për partitë e ofron Kodi Zgjedhor, të cilin partitë e shmangin me ngulm ndryshimin, pavarësisht rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, të cilat insistojnë në ndalimin e praktikës së financimit të reklamave politike. Më 11 dhjetor të vitit të kaluar, Ministria e Drejtësisë bëri me dije se ndryshimet në Kodin Zgjedhor, duke përfshirë rekomandimet e OSBE/ODIHR, të cilat parashikojnë se reklamat politike me pagesë nuk do të jenë më barrë e shtetit, janë gati dhe versioni i punës do t’u dorëzohet të gjitha partive parlamentare, por atje puna ka ngecur dhe nuk ka sinjale se tani, dy muaj para zgjedhjeve, do të preket ndonjë gjë në Kodin Zgjedhor. Ndryshe, ndryshimet parashikojnë fshirjen e nenit 76-d të Kodit Zgjedhor, pra propozohet të braktiset modeli ekzistues për financimin e reklamave politike me pagesë me fonde nga buxheti i shtetit. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Partitë maqedonase kundër partive shqiptare për zgjedhjen e presidentit në Kuvend

    Lajmi i rradhës

    Si të kuptoni nëse keni gurë në veshka

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë