Rekomandimet e Antikorrupsionit çojnë drejt robërimit të institucioneve

    Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KShPK) javën që shkoi njoftoi se kishte bërë një kontroll antikorrupsion të gjashtë ligjeve, përfshirë këtu edhe Ligjin për Qasje të Lirë në Informatat me Karakter Publik, i vetmi mekanizëm përmes të cilit gazetarët dhe qytetarët mund të kërkojnë informacion për punën e institucioneve, shkruan Prizma.

    Këto rekomandime vijnë në një kohë kur janë publikuar draft-amendamentet e Ligjit, me të cilat lehtësohet edhe më tej procedura për marrjen e informacionit dhe shkurtohen afatet për tu përgjigjur.

    Por, KShPK-ja doli me rekomandime me të cilat praktikisht hapet rruga për mbylljen e institucioneve, akt që të kujton punën e përbërjeve të kaluara të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, të cilët nuk treguan integritet dhe funksionuan në një linjë me Qeverinë.

    Një nga rekomandimet e KShPK-së është që të rishqyrtohet obligimi për publikimin e të gjithë dokumentacionit për prokurimet publike, sepse termi nuk ka qenë i definuar saktë, ka ekzistuar mundësia që të publikohen informacione konfidenciale dhe të shkelen të drejtat e palëve të treta. Ata janë të mendimit se nuk ka kritere të sakta se çfarë informacioni duhet të publikojnë institucionet në uebfaqet e tyre.

    Përveç kësaj ata rekomandojnë rregullimin e procedurës për përfundimin e detyrës dhe shkarkimin e drejtorit dhe zëvendësit të tij në Agjencinë për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë në Informacion me Karakter Publik para përfundimit të mandatit.

    Rekomandimet e këtilla u pritën me kritika të shpejta dhe të ashpra nga Platforma e Organizatave të Shoqërisë Civile për Luftë Kundër Korrupsionit. Ata kanë frikë se në vend që të promovojnë transparencë, këto rekomandime mund të rezultojnë në një heshtje institucionale. Ata theksuan se rekomandimet mund t’i mbyllin institucionet, sepse i bllokojnë kanalet ligjore përmes të cilave publiku ka të drejtë të kërkojë dhe të marrë përgjigje.

    Për atë se çfarë nënkuptojnë këto rekomandime për transparencën ne biseduam me Dançe Danillovska-Bajdevska, drejtore programi në Fondacionin “Metamorfozis”, i cili është pjesë e Platformës së Organizatave të Shoqërisë Civile për Luftë Kundër Korrupsionit.

    BIRN: Ju keni një kohë të gjatë që e ndiqni Ligjin për Qasje të Lirë në Informacion me Karakter Publik dhe ndryshimet e tij, si dhe jeni përfshirë në grupin e punës për ndryshimet e reja të propozuara. Si e interpretoni faktin që Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit vendosi ta analizojë pikërisht këtë ligj, i cili konsiderohet si një nga më të harmonizuarit me legjislacionin evropian?

    Danillovska – Bajdevska: Ligji për Qasje të Lirë në Informacion me Karakter Publik në Maqedoni i vitit 2019 është ranguar lart, në vendin e 13 në Indeksin Global të rangimit të ligjeve që e rregullojnë qasjen në informacion me karakter publik. E njëjta gjë vlente edhe për Ligjin e vitit 2006, i cili u rendit i 26-ti në botë, që do të thotë se bazohet në parimet ndërkombëtare për realizimin e qasjes në informacion. Kjo do të thotë se e drejta rregullohet me respektimin e parimeve të “publikimit maksimal” (që do të thotë se informacioni në të cilin duhet të sigurohet qasje i referohet të gjithë informacionit që e posedojnë institucionet shtetërore), “transparencës proaktive” (publikimi i informacionit pa e kërkuar atë), “listës së kufizuar e përjashtimeve” (gjatë kufizimit të qasjes të ketë një test të detyrueshëm për kontrollin e dëmit ose test të “interesit publik”), “promovimit aktiv të pushtetit të hapur” ,  “qasjes pa pagesë në informacion”, “ushtrimin e së drejtës në një procedurë me afate të shkurtra”, etj.

    Këto parime nuk janë vetëm formale – ato luajnë një rol kyç në rritjen e transparencës, luftën kundër korrupsionit dhe ndërtimin e besimit tek institucionet. Falë tyre organizatat e shoqërisë civile, gazetarët dhe publiku kanë qasje në informacion që ka ndihmuar në zbulimin dhe parandalimin e keqpërdorimeve, veçanërisht në proceset e prokurimeve publike. Ideja e KShPK-së për të kryer një kontroll kundër korrupsionit, të cilin e kishte paraparë në Planin Vjetor për vitin 2024, ishte të rekomandonte masa për përmirësimin e transparencës gjatë punësimeve në sektorin publik.

    Mirëpo, nga ajo që u prezantua në seancën publike të KShPK-së, kontrolli nuk është bërë në atë drejtim, e posaçërisht më shqetëson rekomandimi që të shqyrtohet termi “dokumentacion i plotë” në lidhje me prokurimet publike. Pastaj, vendosja e kritereve për mënyrën dhe formën e publikimit të informacionit është një rekomandim tjetër i KShPK-së, i cili mund ta rrezikojë transparencën tashmë të vendosur. Dua të theksoj se pa këto rekomandime të dhëna nga KShPK-ja, në matjen e vitit të kaluar të Indeksit rajonal të hapjes  (për vitin 2024) nga “Metamorfozis”, në mesin e qeverive në rajon Qeveria e Maqedonisë së Veriut arriti rezultatet më të mira.

    BIRN: Çfarë do të thotë për publikun nëse miratohen ndryshime të tilla si ato të cilat i rekomandon KShPK-ja?

    Danillovska – Bajdevska: Rrezikun e shoh tek kufizimet e tepërta, arbitrare dhe të pajustifikuara të qasjes në informacion për prokurimet publike. KShPK-ja është dashur të ketë parasysh se mbrojtja e të dhënave konfidenciale në prokurimet publike tashmë është e rregulluar me Ligjin për Prokurimet Publike (neni 30), ndërsa qasja e kufizuar në nivele të ndryshme të informacionit të klasifikuar tashmë është paraparë me Ligjin për Qasje të Lirë, në përputhje me Ligjin për Informacionin e Klasifikuar.

    Drejtimi që jep hap mundësi për kufizimin e qasjes në çdo informacion, ndërsa zbatimi i kësaj dispozite deri më tani ka mundësuar rritjen e transparencës dhe qasjes në dokumentet përkatëse nga organizatat e shoqërisë civile dhe mediat, gjë që ka zbuluar abuzime të kryera në një numër të madh të procedurave të tenderimit për të cilat zhvillohen procedura gjyqësore, por edhe ka parandaluar prokurimet e mundshme korruptive dhe të dëmshme publike.

    BIRN: Në shkurt të këtij viti VMRO-DPMNE-ja në pushtet propozoi që drejtori i Agjencisë për qasje të mund të shkarkohet nëse Kuvendi nuk e miraton raportin vjetor të punës. Më pas partia e tërhoqi këtë propozim. Tani KShPK-ja po del me një propozim identik. Si e interpretoni ju këtë gjë?

    Danillovska – Bajdevska: Unë jam e mendimit se rekomandime të tilla, si ato që i prezantoi KShPK-ja gjatë kontrollit të Ligjit për Qasje të Lirë, jo vetëm që nuk e avancojnë sistemin për parandalimin e korrupsionit, por rrezikojnë t’i japin legjitimitet politikave dhe praktikave që çojnë në kapjen e institucioneve dhe mosqasjen në informacion me interes publik, që për momentin është informacion me karakter publik.

    Të bëhet një kontroll antikorrupsion i një ligji, i cili sipas definicionit ekziston për të siguruar qasje në të gjitha informacionet nga institucionet shtetërore, si dhe të jepen rekomandime për dispozita që do ta zmbrapsin pavarësinë e Agjencisë për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë është alarmante dhe kontradiktore. Drejtori i Agjencisë, si dhe vetë kryetari dhe anëtarët e KShPK-së, kanë mandat më të gjatë se mandati i të zgjedhurve në pushtetin ekzekutiv me qëllim që të jenë të pavarur. Prandaj, argumenti për t’i evituar “vonesat e mundshme, selektivitetin dhe pasigurinë në menaxhimin e institucionit” është i pabazuar. Ligji tashmë e trajton këtë çështje në atë mënyrë që në rast të përfundimit të detyrës apo shkarkimit të drejtorit të Agjencisë, deri në zgjedhjen e drejtorit të ri të Agjencisë funksionin e kryen zëvendësdrejtori me të gjitha kompetencat që i ka pasur.

    Kështu që me rekomandime të tilla vetë KShPK-ja po e minon rolin e saj si një institucion kyç për parandalimin e korrupsionit.

    Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) në  seancë të mbajtur më 15 prill ka identifikuar rreziqet rregullatore në Ligjin për Qasje të Lirë në Informacione Publike. Rekomandohet rishikimi i nenit që rregullon detyrimin për publikimin e të gjithë dokumentacionit të prokurimit publik në përputhje me Ligjin e Prokurimit Publik, i cili parashikon publikimin e dokumenteve përkatëse, si dhe saktësimin e mëtejshëm të procedurës për përcaktimin e përfundimit të funksionit të Drejtorit të Agjencisë për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë në Informacionet Publike dhe zëvendësit të tij.

    Lajmi Paraprak

    Mbi tre mijë doktorë shkencash në RMV janë në arsimin e lartë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë