Posta e Maqedonisë është me miliona borxhe, por drejtorët në shtator të vitit të kaluar i kanë rritur pagat në mënyrë të paligjshme, konstatuan revizorët. Punonjësit, të cilët herë pas here protestojnë për shkak të pagave të ulëta, ankohen se ka mungesë postierësh dhe punonjës sportelesh, ndërsa për çdo punonjës ka një shef.
Derisa punëtorët e SHA Posta e Maqedonisë ishin në grevë me muaj të tërë për paga të ulëta të papaguara dhe të parregullta, tashmë ish-drejtoresha Bujare Abazi, zëvendësja e saj dhe drejtorët e drejtorive në mënyrë të kundërligjshme i ngritën pagat për rreth 50 përqind, thuhet në raportin e Entit Shtetëror të Revizionit. Auditorët konstatuan se rritja e pagave në shtator të vitit të kaluar ishte e paligjshme, pasi kompania ka vite që shënon humbje, më e madhja prej të cilave është 3.7 milionë euro.
“Sipas ligjit, në rast të uljes së fitimeve ose përkeqësimit të ndjeshëm të gjendjes financiare të kompanisë, kompensimi i pagës dhe përfitimet e tjera të parashikuara nga kontrata e menaxhimit mund të reduktohen”, thuhet në raportin për punën e Postës në vitin 2023.