Gjykata Kushtetuese të shfuqizojë Rezolutën antikushtetuese dhe të mbrojë Kushtetutën dhe lirinë e fjalës, kërkuan sërish nga LSDM e Venko Filipçes, duke vlerësuar se vendimi i Parlamentit për miratimin e kësaj Rezolute përbën rrezik serioz për rendin kushtetues dhe të drejtat themelore të njeriut. Sipas LSDM-së, në momentet kur cenohet rendi kushtetues dhe kur vihen në pikëpyetje liritë themelore, nevojitet reagim i përbashkët institucional dhe shoqëror.
LSDM DORËZON ANKESË NË GJYKATËN KUSHTETUESE
Në këtë kontekst, LSDM njoftoi se ka dorëzuar zyrtarisht iniciativë në Gjykatën Kushtetuese kundër Rezolutës së miratuar në Parlament nga shumica parlamentare VMRO-VLEN-ZNAM, duke e cilësuar atë si antikushtetuese dhe në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Kushtetutën. Sekretari i përgjithshëm i LSDM-së, Aleksandar Sasha Dimitrijeviq, sqaroi se iniciativa bazohet konkretisht në shkeljen e nenit 16 të Kushtetutës, i cili garanton lirinë e fjalës, lirinë e paraqitjes publike, lirinë e bindjes dhe shprehjes publike, si dhe ndalon censurën në çfarëdo forme. Sipas Dimitrijeviqit, Rezoluta në fjalë përbën një sulm të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së shprehjes dhe lirisë së veprimit politik të opozitës, duke vendosur mekanizma censurues dhe duke krijuar presion politik e institucional.
“Bëhet fjalë për një temë me interes të jashtëzakonshëm publik. Qytetarët e dinë shumë mirë se për çfarë bëhet fjalë, për një marrëveshje me Britaninë e Madhe, për të cilën opinioni publik mësoi fillimisht nga mediat britanike dhe e cila lidhet edhe me një hua prej 6 miliardë eurosh. Kjo temë nuk mund të trajtohet si krijim paniku apo si kërcënim për stabilitetin publik. Nuk mund një Rezolutë e Kuvendit të jetë kundër ‘narrativës së opozitës’ dhe të kërcënojë duke u thirrur në Kodin Penal, kundërvajtje apo kallëzime penale vetëm për shkak të një fjale të shprehur publikisht”, deklaroi Dimitrijeviq.
Ai theksoi se miratimi i Rezolutës krijon precedent të rrezikshëm, ku shumica parlamentare tenton të kufizojë debatin publik dhe të kriminalizojë kritikën politike, gjë që, sipas tij, është në kundërshtim të plotë me parimet demokratike dhe funksionimin e shtetit të së drejtës.
VMRO: REAGIMET E LSDM-së TË MOTIVUARA NGA FRIKA
Nga VMRO-DPMNE reaguan menjëherë me një deklaratë të shkurtër, duke hedhur poshtë akuzat e LSDM-së dhe duke theksuar se Rezoluta nuk është antikushtetuese. Sipas partisë në pushtet, reagimet e LSDM-së janë të motivuara nga frika, pasi, siç thuhet, është zbuluar se kjo parti ka gënjyer lidhur me çështjen e migrantëve. “Rezoluta nuk është antikushtetuese. LSDM-ja është e frikësuar sepse u zbulua se gënjejnë për migrantët. Jo vetëm që migrantë nuk ka, por LSDM-ja është bërë viktimë e propagandës së vet”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.
Në këtë përplasje politike paraprakisht është përfshirë edhe kryeministri Hristijan Mickoski, i cili përmes një deklarate të gjatë akuzoi LSDM-në për ndërtimin e veprimit politik mbi shpifje, gënjeshtra dhe konstruksione të fabrikuara.
“Në politikë ekzistojnë parti që garojnë me ide dhe vizion dhe parti që mbijetojnë përmes shpifjeve, gënjeshtrave dhe konstruktimeve të fabrikuara. LSDM-ja prej kohësh e ka zgjedhur rrugën e dytë”, deklaroi Mickoski.
Ai bëri të ditur se Gjykata e Apelit, me vendim të formës së prerë, ka konstatuar se LSDM-ja ka paraqitur të pavërteta dhe shpifje të rënda ndaj tij, pa prova dhe pa bazë ligjore. Sipas Mickoskit, me këtë vendim është konfirmuar edhe vendimi i shkallës së parë, duke e përcaktuar LSDM-në, siç tha ai, “zyrtarisht si parti shpifëse”.
“Sjellja që për vite me radhë është paraqitur si ‘luftë politike’, sot është konstatuar zyrtarisht si e papranueshme dhe në kundërshtim me shtetin e së drejtës. Kritika politike është legjitime dhe e nevojshme, por shpifja dhe gënjeshtra nuk janë politikë, por keqpërdorim i hapësirës publike”, theksoi kryeministri.
Mickoski vlerësoi se kjo aktgjykim zbulon qartë modelin politik të LSDM-së, i cili, sipas tij, bazohet jo në argumente dhe programe, por në sulme personale, diskreditime dhe manipulime të opinionit publik. Ai shtoi se Maqedonia duhet të ecë përpara me politika të bazuara në të vërtetën, ide dhe përgjegjësi, e jo me fabrikime dhe sulme personale, duke akuzuar LSDM-në se vazhdon të nënçmojë qytetarët dhe të luajë me ndjenjat e tyre përmes dezinformatave.
“Kjo nuk është vetëm një zgjedhje politike, por një tradhti e rëndë ndaj moralit dhe vlerave në politikë dhe një formë e veçantë tradhtie ndaj popullit. Ata mendojnë se kështu do të kenë sukses, por koha do t’ua dëshmojë të kundërtën. Populli do të tregojë se është më i fortë se gënjeshtrat dhe se këto manipulime nuk do t’u kalojnë”, përfundoi Mickoski.
Përndryshe me 65 vota “Për”, Parlamenti ka miratuar Rezolutën e propozuar nga grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së për dënimin e manipulimeve të opozitës dhe për konfirmim të politikave kundër emigrimit të paligjshëm. /Koha/






