Komuna e Tetovës planifikon shumë shpejt të fillojë me rikonstruimin e rrugës “Strasho Pinxhur”. Përgjatë kësaj rruge gravitojnë rreth 100 biznese duke mos llogaritur edhe qendrën e vjetër tregtare, ku ka me dhjetëra lokale. Pronarët e këtyre bizneseve kanë drejtuar një peticion me mbi 100 nënshkrime deri tek kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, që të prolongohen punimet për dy muaj derisa të kalojë sezoni veror. Sipas tyre, gati se 15 muaj këta biznese nuk kanë punuar për shkak të pandemisë dhe tash kur ka filluar puna, sërish do të detyrohen që të mbyllen. Ata thonë se kanë kërkuar takim me kryetaren e Komunës së Tetovës, por një takim i tillë nuk është mbajtur. “Ne nuk jemi kundër rregullimit të rrugës, as kundër komunës, apo kush do qoftë që e rregullon, por ne vetëm kërkojmë që punët të mos bëhen të paktën këta dy muaj, sepse në këta dy muaj punojmë më shumë. Ne nuk kemi punuar pothuajse 15 muaj për shkak të pandemisë dhe tash kur ka filluar të përmirësohet gjendja, do të mbyllet për shkak të punimeve dhe ne do të detyrohemi që të mbyllim bizneset tona”, thonë pronarë të bizneseve në këtë rrugë.
Ata janë shprehur se nëse në të ardhmen nuk prolongohen punët, atëherë do të bllokojnë makinerinë për të mos lejuar kryerjen e punëve. Nga Komuna e Tetovës shkurt janë përgjigjur se nuk do të ketë prolongim të punëve. “Shumë shpejt pritet që të fillojnë punët dhe nuk do të ketë prolongim të rikonstruimit të kësaj rruge”, njoftuan nga Komuna e Tetovës. Tashmë janë vendosur edhe tabelat informuese se do të fillohet me rikonstriuimin e kësaj rruge. Gjatë dy muajve të verës, është periudha kur kthehen mërgimtarët në vendlindje dhe këtë vit pritet që të ketë edhe më shumë të kthyer, dhe pronarët e bizneseve theksojnë se në këta dy muaj punojnë më shumë. Krahas kësaj, me mbylljen e kësaj rruge pritet që të përkeqësohet gjendja edhe me trafikun rrugor, kur dihet se kjo rrugë është arterie kryesore që lidh qytetin me pjesën tek stadiumi dhe lagjet përreth tij./Kohamk/