Gazetar | Adrian Kerimi
Hapja e kufijve ka rritur numrin e emigrantëve transit në vend. Autoritetet thonë se situata nuk është alarmante, por pranojnë se paralajmërimet për rritjen e fluksit mund të jenë serioze, posaçërisht në periudhën e verës. Së fundi është vërejtur prezencë e emigrantëve nga India, vend ky i cili aktualisht po përballet me kulmin e pandemisë. Në Qendrën Transituese në Tabanoc ndodhen tre emigrantë nga India, të cilët për Nistori thonë se janë mirë me shëndet, por duan të shkojnë në njërin nga vendet europiane.
Nga 1 janari i vitit 2021 deri më 15 qershor në Maqedoni të Veriut kanë transituar gjithsej 402 emigrantë nga India të cilët janë kapur ilegalisht në territorin e Maqedonisë së Veriut. Nuk dihet numri i shtetasve indian të cilët kanë frekuentuar jashtëligjshëm.
Ilegalisht nga 01.01.2021 | Gjevgjeli deri më 16.06.2021 | Tabanovc deri më 16.06.2021 |
402 | 1 | 0 |
Më 19 qershor në Tabanovc janë pranuar tre shtetas indian të cilët janë vendosur në dhomën C-18. Njëri prej tyre 23 vjeç dhe dy të tjerë nga 26 vjeç. Në Tabanovc kishte edhe shtetas të vendeve të cilat akoma ndodhen në zonat e kuqe të hartës epidemiologjike. Sipas tyre kushtet në kamp janë të mira dhe respektohen protokollet. Por sa lëvizja e tyre në territorin e Maqedonisë së Veriut rrezikon përkeqësimin e gjendjes epidemiologjike, përkatësisht shpërndarjen e varianit të virusit të Indisë. Ministria e Shëndetësisë nuk mban llogari për nivelin rrezikut që mund ta transmetojnë emigrantët nga India.
Sipas tyre, kjo çështje bie në kompetencë të Ministrisë së Brendshme.
“Emigrantët, protokollet dhe mbrojtja nga Kovic-19 dhe rastet që lidhen me të janë nën kompetencë të MPB-së”, thuhet në qëndrimin e tyre me shkrim.
Ndërkohë MPB garanton se çdo emigrant i regjistruar ose i kapur gjatë trafikimit, i nënshtrohet protokolleve të parapara me vendim të Qeverisë.
Nga organizata humanitare “Legis” thonë se mos nënshtrimi i emigrantëve në protokolle anti-Covid dhe masat e domosdoshme për parandalimin e shpërndarjes së virusit, vjen si rezultat i statusit të pa rregulluar të emigrantëve në vendin tonë. Jasmin Rexhepi thotë se për të pritur një fluks të ri, duhet së pari të monitorohet gjendja në kufirin mes Turqisë dhe Greqisë.
“Duke pasur parasysh se emigrantët kanë ardhur vazhdimisht në kufijtë tanë gjatë vitit
2020-2021, me intensitet pak më të lartë gjatë vitit 2019, konsiderojmë se masat shtrënguese për qytetarët nga rajoni nuk zbatohen edhe për emigrantët. Pse? Sepse frekuentimi i tyre transit në vend nuk është i rregulluar me ligj dhe në të shumtën e rasteve ata frekuentojnë larg syve të opinionit. Për të pritur një fluks të ri, duhet të fillon rritja e ardhjeve të emigrantëve nga Turqia për në Greqi, më pas ai fluks mund të pritet edhe në vendin tonë, por një rast të tillë nuk kemi regjistruar nga marsi i vitit 2016”, deklaron Rexhepi për Nistori.
Rexhepi shton se kapacitetet e “Legis” garantojnë ndihmë adekuate ushqimore, higjienike dhe mjekësore për emigrantët, duke shtuar se për fluks të mundshëm janë në kontakt të përditshëm me organizatat simotra nga rajoni.
“Legis si organizatë çdo ditë merr pjesë në ndarjen e ndihmave humanitare në dy qendrat tranzituese, Gjevgjeli dhe Tabanovc, si dhe në Qendrës për Azil në Vizbeg dhe Qendrën për të huajt në Gazi Babë. Për gjendjen aktuale ka projekte mbi bazën e të cilave “Legis” i plotëson nevojat e emigrantëve. Në rast krize ose gjendje alarmante, zbatohet protokolle të veçanta për veprime në ato momente. Por duhet dihet një gjë, ato lëvizje të mëdha nuk krijohen shpejtë. Si organizatë rajonale jemi në kontakt me organizatat nga ruta Ballkanike dhe ndjekim çdo lëvizje dhe ndryshim”, shton ndër të tjera Rexhepi.
Nëpër kampet e vendit ndodhen edhe emigrantë nga Tunizi, Afganistani, Nigeria, Bangladeshi, Somalia dhe Pakistani. /Nistori/