RISHQYRTIMI I BUXHETIT | Ku shkurtohen mjetet?

    Të hollat për rritjen e pagave me 10 për qind për të punësuarit që paguhen nga arka e shtetit së bashku me kompensimin për pushim dhe për rritjen e pensioneve do të sigurohen nga rishpërndarja e mjeteve të buxhetit. Njëherësh do të sigurohen më shumë mjete për ndihmë sociale, mjete për blerje të medikamenteve, subvencione për bujqit, përkrahje për kompanitë, si dhe pako të re, respektivisht pakon e nëntë të masave antikrizë.

    Ministri i Financave, Fatmir Besimi, thotë se mjetet këto qëllime sigurohen me anë të rialokimit, respektivisht kjo do të bëhet me vendim për rishpërndarje, e jo me rishikim të Buxhetit, sepse deri në fund të vitit pritet realizimi i anës së të hyrave dhe shpenzimeve në vlerë nominale të njëjtë, sipas projektimit në Buxhetin për vitin 2023. Përshtatjet e nevojshme në Buxhet, sipas ministrit Besimi, janë realizuar përmes rialokimit të mjeteve nga pozitat ku ka dinamikë më të dobët dhe ku proceset lejojnë rishpërndarjen në pozitat ku janë ndërmarrë detyrimet. Njëkohësisht ai thekson se asnjë projekt kapital nuk do të lihet anash, si dhe se shpenzimet kapitale mbeten në nivel më të lartë se deficiti buxhetor, respektivisht sipas rregullit të artë në financa – të merret hua vetëm për investime dhe qëllime zhvillimore.

    Me këtë propozim për rishpërndarjen e mjeteve sigurohen: 4.25 miliardë denarë shtesë për rritjen e pagave të të punësuarve në sektorin publik për 10% dhe për pagesën e regresit për pushim vjetor në vlerë prej 10.000 denarëve; 3.5 miliardë denarë shtesë për rritjen e pensioneve për rreth 6% për 336 mijë pensionistë, duke filluar nga muaji shtator i vitit 2023; 600 milionë denarë për pagesën e të drejtave sociale për 36.000 shfrytëzues të të hyrave të garantuara mujore; 800 milionë denarë të destinuara për subvencionet bujqësore, kryesisht për subvencionet për qumësht, prodhimtari blegtorale, si dhe për financimin përmes avancit të bujqve për prodhimin bimor dhe blegtoral.

    Gjithsej rishpërndarjet në Vendim janë në vlerë prej 18.2 miliardë denarëve, të cilat janë të siguruara përmes kursimeve, kudo ku e lejon mbarëvajtja e proceseve, rritjes së arkëtimit të kontributeve, si dhe reduktimeve nga pozitat ku ka dinamikë më të dobët të realizimit.

    Rishpërndarja e planifikuar është dorëzuar në Parlament, dhe pas shqyrtimit në Komisionin për Financim dhe Buxhet, pritet edhe të votohet nga deputetët. Mjetet pritet të shkurtohen nga gati të gjitha institucionet duke filluar nga Presidenti i shtetit ku rezerva për shpenzime kapitale zvogëlohet për 124.960 denarë, nga zëri Shërbime komunale, ngrohje, komunikim dhe transport zvogëlohet për 2.000.000 denarë, ndërsa nga zëri Objektet ndërtimore zvogëlohet për 125.040 denarë.

    Mjetet janë shkurtuar edhe për Parlamentin, për shërbime komunale, ngrohje etj, për 10 milionë denarë, kontraktet me qytetarët me 2 milionë denarë, punët ndërtimore me 2.5 milionë denarë.

    Në Komisionin Shtetëror Zgjedhorë po zvogëlohen edhe paratë e planifikuara për shërbime të ndryshme komunale, ngrohje, në vlerë prej një milion denarë, ndërsa ka edhe shkurtime të tjera, përfshirë uljen e parave të planifikuara për paga prej 1.2 milion denarë dhe në segmente të tjera. Në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, zëri më i madh që shkurtohet janë Investimet dhe mjetet jofinanciare në vlerë prej 6.033.000 denarë.

    Zvogëlim është planifikuar edhe për paratë e parapara për Qeverinë, ku pagat janë shkurtuar për 445 mijë denarë, në zërin rezerva për shpenzime kapitale ka ulje prej 2.254 mijë denarë. Shërbimet kontraktuale janë shkurtuar për 30 milionë denarë, shkurtohen punësimet te përkohshme për pesë milionë denarë, ndërsa ka edhe ulje të zërit të pagës bazë për 2.5 milionë denarë.

    Me rishqyrtimin e mjeteve, gjithashtu, sigurohen 110 milionë denarë për ballafaqim me murtajën afrikane, 100 milionë denarë për prokurim të medikamentit “Trikafta” për 55 pacientë, 20 milionë denarë për senzorë digjitalë për matjen e sëmundjes së diabetit, 200 milionë denarë për pagesën e rregullt të pushimit të lindjes, 166 milionë denarë për përkthime, shtypje dhe blerje të librave për arsimin fillor dhe të mesëm.

    Janë siguruar 290 milionë denarë për pagesën e shujtës së studentëve për 29.000 shfrytëzues, bursa për 6.900 studentë dhe bursa për 9.600 nxënës, 650 milionë denarë për pagesën e “TVSH-ja Ime”, për tremujorin e tretë për shkak të rritjes së limitit të kthimit, ndërsa me këtë propozim të vendimit bëhen edhe alokime shtesë për ndihmë shtetërore ndaj kompanive në vlerë prej 1.081 miliardë denarëve edhe atë për kompanitë vendase – 581 milionë denarë, për kompanitë e huaja – 200 milionë denarë dhe për kompanitë dhe rregullimin e infrastrukturës në Zonat Industriale ZHTI – 300 milionë denarë. Njëherësh me propozimin e vendimit janë siguruar mjete për zbatimin e masave nga pakoja e nëntë e masave antikrizë në kuadër të mjeteve të planifikuara në vlerë prej 4.55 miliardë denarëve në programin P1.

    Mjetet shkurtohen edhe për më shumë dikastere tjera si në Ministrinë e Mbrojtjes shkurtohen ndër të tjerash mjetet për udhëtime për 20 milionë denarë, material dhe inventar për 30 milionë denarë, riparime dhe mirëmbajtje për mbi 72 milionl denarë. Shkurtohen edhe mjete për blerjen e makinerive dhe pajisjeve dhe ndërtimin e objeketeve të ndryshme. Mbi 200 milionë denarë me një pjesë të madhe të shpenzimeve kapitale shkurtohen edhe në Ministrinë e Brendshme. Në Ministrinë e Drejtësisë shkurtohen mbi 10 milionë denarë. Në Ministrinë e Jashtme shkurtohen mbi 50 milionë denarë. Njëherësh në Ministrinë e Financave shkurtohen mbi 60 milionë denarë. Dogana do të shkurtojë mbi 15 milionë denarë për objekte ndërtimore dhe shpenzime të tjera.

    Mbi 160 milionë denarë do të shkurtohen në Drejtorinë e të Ardhurave publike në pjesën e pagave dhe harxhimeve të tjera. Mbi 100 milionë denarë do të shkurtohen në Ministrinë e Ekonomisë si subvencionet për ndërmarrjet private për 29 milionë denarë. Afër 200 milionë denarë do të shkurtohen edhe në Ministrinë e Mjedisit, ndërsa mbi 120 milionë denarë janë shkurtuar në Ministrinë e Transportit. Në Ministrinë e Bujqësisë janë shkurtuar mbi 240 milionë denarë. Në Ministrinë e Punëve Sociale janë shkurtuar mbi 400 milionë denarë përfshi edhe transfere të ndryshme ndaj institucioneve tjera e kështu me radhë. /koha/

    Lajmi Paraprak

    KOMUNAT DERI NË FYT ME BORXHE | Shlyerja e borxhit me fletëobligacione nuk i zhbllokon komunat

    Lajmi i rradhës

    Nobeli për Mjekësi ndahet për teknologjinë e vaksinave për Covid-19

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë