KOMUNAT DERI NË FYT ME BORXHE | Shlyerja e borxhit me fletëobligacione nuk i zhbllokon komunat

    Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka vendosur që përmes instrumentit financiar të fletëobligacioneve të ndihmojë Komunën e Tetovës dhe Zhelinën për shlyerjen e detyrimeve të papaguara. Lajmin e ka bërë të ditur vet zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi përmes një postimi në Facebook, me ç’rast ka ndarë dhe detaje më të hollësishme nga ky vendim.

    “Qeveria përmes instrumentit financiar të fletëobligacioneve strukturore të emetuara nga Ministria e Financave, do të ndihmojë Komunën e Tetovës dhe Zhelinës në shlyerjen e detyrimeve të maturuara dhe të papaguara të tyre. Vlera e fletëobligacionit financiar për Komunën e Tetovës është mbi 250 milionë denarë, ndërsa për Komunën e Zhelinës mbi 21 milionë denarë. Shfrytëzues të këtyre fletëobligacioneve do të jenë kreditorët ndaj të cilëve komunat në fjalë kanë detyrime të papaguara dhe ata do të mund t’i shfrytëzojnë këto fletëobligacione për shlyerjen e tatimeve nga Drejtoria e të Hyrave Publike, respektivisht për pagesën e borxhit tatimor të maturuar në bazë të TVSH-së përveç TVSH-së gjatë importit dhe tatimin mbi fitimin. Afati i maturimit të fletëobligacioneve është 10 vjet dhe komunat detyrohen që ta kthejnë vlerën nominale të përgjithshme të fletëobligacionit në këste të barabarta 10 vjeçare në llogarinë e Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, njoftoi Grubi.

    Por, dy komunat që udhëhiqen nga kryetarë të opozitës, nuk janë aq entuziaste ndaj këtij vendimi qeveritar. Sipas tyre, me këtë rast nuk shlyhet tërë borxhi dhe ka kompani që nuk pranojnë që në këtë formë të shlyhet borxhi përmes fletëobligacionit. Nga komuna e Zhelinës thonë se nuk shlyhet tërësisht borxhi.

    “Në nivel shtetëror, vetëm 4 ose 5 komuna kanë aplikuar në thirrjen e Ministrisë Financave për mundësinë e marrjes së fletëobligacioneve financiare. Kjo thirrje ka qenë e afatizuar dhe është dashur të plotësohen disa kritere ligjore. Komunat kanë mundur të aplikojnë për fletobligacione financiare vetëm për borxhet e regjistruara deri më datën 31.09.2021. Mund të aplikohet për fletobligacione financiare vetëm nëse pajtohet kompania ndaj të cilës ke detyrime. Nëse kompania të cilës komuna i ka borxh, nuk pajtohet të merr fletobligacione, atëherë nuk vlen fletobligacioni, respektivisht nuk mund as të aplikosh për atë borxh. Është mundësi e mirë, por nëse ne kemi 1.5 milion euro borxh, shlyhen vetëm 300 mijë euro, pra nuk shlyhet tërësisht borxhi”, thotë Blerim Sejdiu, kryetar i Zhelinës.

    Komunës së Tetovës me këtë rast i shlyhet katër milionë euro nga borxhi prej 24 milionë euro – aq sa edhe zyrtarisht thuhet se ka borxh komuna së bashku me ndërmarrjet. Sipas informacioneve, kanë aplikuar vetëm 4 komuna, ndërsa kanë marrë fletëobligacion vetëm dy komuna. Ndërkohë, shumë komuna në vend vazhdojnë të funksionojnë me xhiro-llogari të bllokuara. /koha/

    Lajmi Paraprak

    NDËRMJET TRADICIONALES DHE DIGJITALIZIMIT | Sa jemi të gatshëm për reforma në arsim?

    Lajmi i rradhës

    RISHQYRTIMI I BUXHETIT | Ku shkurtohen mjetet?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë