RMV, abuzime me vërtetimet për t’ju shmangur vaksinës

    Disa qytetarë kanë gjetur një mënyrë për t’ju shmangur vaksinimit dhe të lëvizin lirshëm pa u penguar nga masat restriktive. Mjekët amë janë në hall nga kërkesa të shumta të qytetarëve që duan të marrin vërtetime që nuk iu takojnë, për të dëshmuar kinse kanë probleme shëndetësore për të cilat nuk rekomandohet marrja e vaksinës. Megjithëse kjo procedurë është e rregulluar që vetëm disa kategori të lirohen nga vaksinimi përmes vendimit të specialistëve përkatës, mjekët amë shprehen se kërkesa të tilla ka shumë në gjithë vendin. Kjo formë e abuzimit me procesin e imunizimit akoma nuk ka marr përmasa shqetësuese në vend, por alarmin e ngritën nga mjekësia familjarë.

     “Po është e vërtetë se pacientët kërkojnë çdo ditë vërtetime shëndetësore se kanë komorbiditete, se kanë sëmundje tjera shoqëruese prej të cilave nuk mund të vaksinohen. Mirëpo për këtë vendosin Qendrat për Shëndet Publik që kanë marrë përsipër të vaksinojnë qytetarët, ndërsa ne si mjek familjarë e kemi për detyrë t’u japim vërtetime duke dëshmuar të gjitha sëmundjet që ata i kanë.”- deklaroi Sinkron – Liridon Disha, Mjek.

    Megjithëse edhe këto pacientë janë subjekt i bartjes së virusit, nga autoritetet shëndetësore nuk arritën të na gjejnë numrin e saktë të kësaj kategorie. Gjatë javës e pyetëm edhe Ministrin Filipçe, i cili tha se nuk janë në numër aq të lartë, të cilët do të ndikoj në imunitetin kolektiv.

     “Kjo është çështje që zgjidhet në kuadër të qasjes nacionale edhe për vaksinat tjera. Ka kategori të qytetarëve që nuk mund të vaksinohen për shkak të gjendjes shëndetësore dhe pas vlerësimit që vaksina ka kundër efekt mund të marrin vërtetim nga mjeku përkatës specialist, kjo ka të bëjë për sferën e sëmundjeve auto imune dhe vërtetimi është absolutisht valid. Do të vazhdoj mekanizmi njëjtë, por gjithnjë do të jetë i nevojshëm mendimi dhe vërtetimi i mjekut specialistë.”- pohoi Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.

    Me këto vërtetime, kjo kategori e qytetarëve supozojnë se përjashtohen nga masat restriktive brenda territorit, mund të ketë qasje brenda hapësirave të ndaluara për të pavaksinuarit e tjerë.

    Ata mund të hynë në kafene, restorante e qendra tregtare. Nuk dihet nëse personat e kësaj kategorie, që posedojnë vërtetim me të cilin lirohen nga marrja e vaksinës, do të duhet t’i nënshtrohen karantinës ose të posedojnë test negativ PCR, gjatë hyrjes në vend. Të gjitha këto i mohon Inspektorati i Shëndetësisë, sipas të cilëve, këto vendime nuk njihen dhe nuk pranohen.

     “Kjo nënkupton që vërtetime të tilla deri në këtë moment nuk ekzistojnë zyrtarisht nuk janë legale. Nuk mund të themi për diçka që nuk ekziston nëse sjell apo jo privilegje. Përderisa na jepni shembuj konkret se në cilat ambulantë private mjekët amë japin kështu vërtetime apo cilido qoftë specialistë jep vërtetime të tilla, atëherë sipas autorizimeve Inspektorati Shtetëror Sanitar Shëndetësor, do të bëj inspektim të jashtëzakonshëm për denoncimet për vërtetime të tilla.”- tha Sinkron – Irina Sotirova Buhova, Inspektorati Shtetëror Sanitar Shëndetësor.

    Gjithashtu, flitet se disa qytetarë shkojnë në pikat e vaksinimit sa për të figuruar formalisht në dokument por në praktikë nuk e marrin vaksinën. Kjo formë e abuzimit nuk është vërtetuar as nga Ministria e Punëve të Brendshme. Por, kjo e fundit ka ndalur disa persona për falsifikim të testeve dhe certifikatave të vaksinimit. Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se nuk kanë denoncime të tilla për abuzime të procesit të imunizimit. Ata inkurajojnë mjekët dhe infermierët që përderisa ka qytetarë të tillë t’i denoncojnë në polici./Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Prindërit, kundër digjitalizimit të librave dhe njësive të reja mësimore

    Lajmi i rradhës

    Dëmet nga zjarret vlerësohen në 32.5 milionë euro

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë