RMV, deri më tani janë legalizuar pothuajse 300 mijë ndërtime pa leje

    Deri më tani në vend janë legalizuar 296 810 objekte të ndërtuara pa leje dhe për to janë dhënë vendime me dokumentacion që përfshinte kërkesën nga komuna, përgatitjen e raportit gjeodezik dhe vërtetimin e faturave të paguara komunale. Ligji i ri për legalizim ka kohë që është në procedurë në Kuvend, ndërsa Shoqata për ndërtimtari pranë Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut thotë për AIM se nuk duhet ligj i ri, por nëse do të sillet duhet të mos lejohet të bëhet vetëm me elaborat gjeodezik, por me projekt arkitektonik dhe kontroll të elementeve statike për të garantuar që ato ndërtesa të jenë të sigurta për banim.

    “Kishte një keqkuptim me profesionin kur u miratua ligji, nuk kishte asnjë projekt, vetëm me raport gjeodezik. Ne si profesion ishim të përjashtuar nga ai proces, ndërsa kërkesa jonë e parë ishte që të kishte projekt arkitektonik, të kishte kontroll të elementeve statike për të garantuar që ato ndërtesa të jenë të sigurta për banim. Ata nuk e bënë këtë dhe u mundësua vetëm elaborat gjeodezik dhe këtu u përjashtuam. Tani insistojmë që nëse dikush mendon se duhet miratuar, ndërsa sipas nesh nuk duhet, ajo që ndodhi në Turqi dhe Siri duhet të jetë mësim dhe të bëhen projekte arkitekturore dhe kontroll ekspert dhe inspektim të sistemit të ndërtimit”, deklaruan për AIM nga Shoqata për ndërtimtari.

    Rrethanë pozitive, siç thonë ata, është se në pjesën më të madhe deri më tani janë legalizuar ndërtesat individuale dhe janë të pakta ndërtesat e banimit me shtesa dhe përmirësime, por gjithçka është lënë në ndërgjegjen e pronarëve dhe kontraktorëve.

    “Ligji i ri i mundshëm është i padrejtë ndaj atyre që kanë ndjekur procedurat dhe kanë paguar. Bëhet fjalë për stabilitetin dhe sigurinë si të objekteve ashtu edhe të qiramarrësve në ato objekte. Nëse merret diçka dhe miratohet ai ligj, duhet të ketë projekt arkitektonik”, thotë anëtari i Asociacionit, Nikolla Velkovski.

    Edhe drejtori i Institutit për inxhinieri të tërmeteve Vlatko Sheshov në një intervistë për MIA-n theksoi se kur është fjala për sigurinë e objekteve, hallka e dobët janë ndërtimet pa leje, shtesat dhe rrënimi i mureve të brendshme nëpër banesa.

    “Këto janë disa, do të thosha, nga segmentet kyçe ku ne duhet patjetër të punojmë më shumë që të mund të flasim për një pamje të përgjithshme të ndërtesave të sigurta. Për këto ndërtime pa leje, më lejoni të them  – mund të jenë të mira, mund të mos jenë të mira, por nuk ka asnjë provë për besueshmërinë e tyre. Informacioni është shumë i pakët, ndaj vetëm me raport gjeodezik, me deklaratë nga pronari dhe me faturat e shërbimeve dhe energjisë elektrike legalizohen dhe vendosen në fondin e objekteve”, thotë Sheshov.

    Në Agjencinë për Kadastër të patundshmërive, siç kanë bërë të ditur për MIA-n, deri më tani janë regjistruar pronat e 296.810 objekteve që kanë marrë vendim për legalizim nga komunat.

    Legalizimi i ndërtimeve pa leje në vend u mundësua për herë të parë me Ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje nga viti 2011. Ligji dhe afati i paraqitjes së kërkesave për legalizim kanë pësuar disa herë ndryshime dhe me të fundit në vitin 2021, u mundësua zbatimi i tij edhe për pesë vite të tjera për të proceduar çështjet për rreth 140 mijë kërkesa, të cilat për arsye të ndryshme ngeci. Njëkohësisht me ato ndryshime, me propozim të Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, në Kuvend u paraqit një ligj i ri legalizimi, i cili do të mbulonte ndërtimet pa leje të ndërtuara deri në janar 2021, por me pagesën e gjobave ndëshkuese. Sipas vlerësimeve fillestare, ai do të mbulonte mbi 50 mijë kërkesa, por numri përfundimtar do të dihet nëse eventualisht votohet dhe hapet mundësia për paraqitjen e kërkesave.

    Lajmi Paraprak

    Spasovski: IP-adresat e kërcënuesve me bomba çojnë në Iran dhe Rusi

    Lajmi i rradhës

    Vëllai i Adem Jasharit: Të ndahemi njëherë e përgjithmonë nga Serbia

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë