RMV do të mbetet pa mësues nëse nuk rriten pagat!

    Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SASHK), ka paralajmëruar grevë të përgjithshme në sektorin e arsimit duke filluar që nga 11 prilli. Vendimin e SASHK-ut për të shkuar në grevë të përgjithshme po mbështetet edhe nga Sindikata e Pavarur e Arsimit dhe Shkencës dhe shoqata tjera të arsimtareve.  Njohësit e fushës së Arsimit dhe ekspertët thonë se kërkesat e Sindikatave janë legjitime dhe se duhet të arrihet sa më shpejt një marrëveshje mes Qeverisë dhe Sindikatave për rritjen e pagave të arsimtareve dhe punonjësve tjerë në arsim.

    Profesori universitar Avzi Mustafa, për gazetën Koha, deklaroi se kërkesa e SASHK-ut është legjitime dhe përmes një kërkese të tillë ata po mbrojnë dinjitetin e arsimtareve dhe punonjësve në arsim. Sipas tij, nëse nuk rriten pagat e mësimdhënëseve atëherë mund të kemi një deficit të arsimtareve pasi me pagat aktuale nuk mund të mbulohen harxhimet elementare të tyre.

    “Arsimtarët si armatë janë kategori kryesore dhe e veçantë e shoqërisë tonë dhe autoritetet shtetërore duhet të angazhohen më shumë për t’i mbrojtur ata dhe kjo bëhet duke e krijuar një status të veçantë për ata. Statusi i arsimtareve mbrohet edhe nga konventat ndërkombëtare mbi të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore dhe këto duhet të respektohen nga Qeveria dhe MASH. Në situata të këtilla në vendin tonë duhet të merren parasysh tre aspekte për statusin e arsimtareve. E para është të rriten pagat në raport me rritjen e çmimeve, të përcaktohet minimumi jetik dhe liberalizimi i pagave”, deklaroi Mustafa.

    Nga ana tjetër, kryetari i Lidhjes së Arsimtareve Shqiptar (LASH) nga Kumanova, Samet Jahiu, për gazetën Koha, ka thënë se mbështet grevën e SASHK-ut deri në rritjen e pagave të mësimdhënëseve.

    “Ne mbështesim grevën e SASHK-ut, por shfrytëzoj rastin që të bëjë thirrje deri te Sindikata të jetë më e qartë me kërkesat e saj me shifra më të sakta dhe të këmbëngulë në rritjen e pagës dhe arritjen e implementimit të marrëveshjes kolektive dhe të mos bëjë lëshime”, tha Jahiu. Ai duke folur për përvojat e mëparshme të procesit të negociatave mes Sindikatës dhe Qeverisë, shpreson që kësaj here të mos përsëritet e njëjta situatë.

    Gjithashtu edhe mësimdhënësit tjerë kanë shprehur mbështetje të parezervë ndaj kërkesës së SASHK-ut sepse siç thonë ata, standardi i jetës është shtrenjtuar ndërsa pagat e mësimdhënëseve nuk janë rritur aspak.

    SASHK nga Qeveria dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ka kërkuar që rritja e pagës të bëhet menjëherë dhe punonjësit në arsim të marrin rrogë më të madhe për 18 për qind duke filluar që nga paga e marsit. Ndërsa ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri, ka lutur Sindikatën të ketë kohë më shumë deri në arritjen e një marrëveshje dhe të mos shpejtojnë me grevë sepse fëmijët do të jenë ata të parët të cilët do të dëmtohen. Ndryshe, gjatë këtij muaji, para Qeverisë, Sindikata e Pavarur e Arsimit protestoi duke kërkuar paga më të larta në sektorin e arsimit. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Kontrollet në rrjetet e mëdha të supermarketeve kanë ardhur nga ankesat e qytetarëve në DAP

    Lajmi i rradhës

    Ilmi Selami: Shqiptarët në Maqedoni janë mbi 31%

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë