RMV, FËMIJËT PA FËMIJËRI!

    Pothuajse në të gjitha qytetet e vendit në rrugë gjenden çdo ditë fëmijë pa mbikëqyrje prindërore. Ata shesin produkte të vogla, lypin ose mbledhin sende të vjetra nga kontejnerët dhe jo rrallëherë pastrojnë xhamin e përparmë nga makinat nëpër kryqëzimet e frekuentuara, duke rrezikuar jetën e tyre, por edhe të përdoruesve të tjerë të rrugës.

    Mbi 160 fëmijë enden dhe lypin në rrugët e vendit tonë. Këtë e tregojnë të dhënat të regjistruar për fëmijët në rrugë, por supozohet se numri i tyre është shumë më i madh. Vetëm vitin e kaluar janë regjistruar 90 raste të reja, ndërsa institucionet kompetente janë duke punuar me 78 raste të tjera të evidentuara më herët. Prej tyre, 60 fëmijë u kujdesën në një qendër ditore dhe katër fëmijë u vendosën në një shtëpi të vogël grupore. Janë paralajmëruar 22 prindër për neglizhimin e fëmijëve të lënë në mëshirë të rrugës, por shfrytëzimi i më të pambrojturve vazhdon.

    Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, në mars të këtij viti tha se synimi i institucioneve kompetente është që të ndihmojnë që ky vend të jetë një botë më e mirë për ta, në mënyrë që ata të jetojnë, jo vetëm të mbijetojnë.

    “Edhe këta fëmijë në rrugë janë fëmijët e dikujt. Në thelb, analizat e këtyre fëmijëve të rrugës në vendin tonë treguan se ata kanë shtëpi dhe familje, por gjendja ekonomike e familjeve është në nivel shumë të ulët dhe nuk ka kujdes dhe mbrojtje prindërore. Pra, në vend që të jenë në shkollë ata bredhin kot, në vend që të jenë në shtëpi apo të rriten duke luajtur me moshatarët e tyre, ata lypin, bëjnë punë. Fëmijët nuk i përkasin rrugës, por shkollave, procesit arsimor”, thotë Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.

    Ai shtoi se është e nevojshme përfshirja e tyre e plotë në flukset sociale, si dhe mbrojtja e organizuar, shëndetësore dhe sociale. Pikërisht këtu e njohëm obligimin tonë që asnjë fëmijë të mos privohet nga nevojat dhe komoditetet elementare njerëzore.

    Nga Ambasada e Fëmijëve “Megjashi”, për gazetën KOHA, kanë deklaruar se është e rëndësishme të theksohet se abuzimi me punën e fëmijëve nuk nënkupton vetëm punën fizike, por edhe abuzimin tregtar dhe seksual (prostitucioni dhe pornografia e fëmijëve), trafikimi i fëmijëve etj. Sipas tyre, këto janë vetëm një pjesë e “labirinteve kriminale” në të cilat përfshihen fëmijët.  

    “Është punë që bëhet në dëm dhe rrezikim të fëmijës, në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe legjislacionin shtetëror. Konventa për të drejtat e fëmijës dhe Konventa për format më të këqija të punës së fëmijëve, e detyrojnë shtetin të mbrojë fëmijët nga të gjitha format e dhunës, abuzimit dhe neglizhencës nga prindërit/kujdestarët e tyre ose nga familja e ngushtë dhe e gjerë”, deklarojnë nga “Megjashi”.

    Nga atje shtojnë se shteti duhet t’i mbrojë fëmijët nga puna që është e rrezikshme ose që mund të dëmtojë shëndetin e tyre, ose nga puna që nga natyra ose rrethanat e saj është e dëmshme për shëndetin, sigurinë dhe moralin e fëmijëve. Sipas tyre, shteti duhet të marrë urgjentisht masat e duhura legjislative, administrative, sociale dhe edukative për të mbrojtur fëmijën nga të gjitha format e abuzimit me punën e fëmijëve.

    “Vazhdimisht apelojmë që të mos u japim para fëmijëve në udhëkryq, por t’u japim ushqim apo të bisedojmë me ta, sepse paratë përfundojnë tek të rriturit dhe fëmijët janë sërish të uritur dhe të pastrehë”, thonë për fund nga atje.

    Në shtator të vitit të kaluar, Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Fëmijëve kërkoi mbrojtje më të madhe të fëmijëve nga të gjitha format e abuzimit seksual dhe të punës, diskriminimit dhe dhunës në shkollat ​​në Maqedoninë e Veriut. Komiteti kërkoi t’i jepet fund martesave të mitur, lypjes dhe shfrytëzimit për punë të fëmijëve dhe rekomandoi që çdo fëmijë të mund të marrë një certifikatë lindjeje falas, por edhe që fëmijët pa shtetësi të marrin dokumente.

    Lajmi Paraprak

    Çka do të përfitojnë bullgarët nga përfshirja në kushtetutën e RMV!

    Lajmi i rradhës

    Dislokimi pamundëson funksionimin e bibliotekës në Tetovë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë