RMV ka burime të bollshme të ujit, por harxhon 2.5 herë më shumë në raport me banorët e BE

    Maqedonia ka të burime bollshme të ujit, por që harxhon bile 2.5 herë më shumë ujë në raport me banorët e Bashkimit Evropian, mirëpo në vend më shumë banorë përgjatë vitit kanë edhe restrikcione të ujit. Gjithashtu në këto përllogaritje përfshihen edhe humbjet, për shkak se dy të tretat e ujit harxhohet dhe nuk faturohet. Kështu, sipas llogaritjeve të tilla me humbjet, banorët e Unionit konsumojnë mesatarisht rreth 125 litra ujë në ditë, ndërsa qytetarët e Maqedonisë konsumojnë 323 litra në ditë. Në periudhën e verës shifrat janë më të larta.

    Në vend për çdo vit, banorët e më shumë qyteteve ankohen për periudha të caktuara gjatë vitit për mungesë të ujit për pije. Vetëm në Tetovë nuk po gjen zgjidhje një herë e përgjithmonë, problemi me ujin për pije, edhe pse se qyteti ndodhet nën Malin e Sharrit sërish jo vetëm verës por edhe muajt e tjerë ndodh që çezmat thahen dhe ka restrikcione shumë orëshe. Edhe Dibër si rrjedhojë e shtresimit të problemeve të vjetra me dekada , gjatë muajve të verës nuk mungojnë restrikcionet e ujit

    Në ndërkohë kërkesa për ndryshimin e çmimit të shërbimeve të ujit në Komisionin Rregullator të Energjisë kanë paraqitur edhe kompanitë nga Dibra, Koçani dhe Resnja për të cilat do të vendoset më tej nga Komisioni Rregullator.

    Uji në Shkup mund të shtrenjtohet për 30 denarë në faturë në rast se ndërmarrja e ujit në kryeqytetin e Maqedonisë e pranon çmimin maksimal të miratuar nga Komisioni Rregullator për Energjetikë. Për këtë çmim duhet që verdiktin e fundit ta japë Këshilli i qytetit të Shkupit, ndërsa kjo ndërmarrje që vitin e kaluar ka kërkuar rritje të çmimit për 30 denarë, thotë kreu i rregullatorit, Marko Bislimovski.

    Në ndërkohë kjo ndërmarrje ka borxhe të shumta dhe probleme të mëdha me humbjet e ujit në rrjetin e vjetër. Kërkesa për shtrenjtimin e ujit vijnë edhe nga ndërmarrje të tjera në vend. Kreu i Komisionit Regullator, Marko Bislimoski thotë është kërkuar rritje e çmimit të ujit edhe për 70 për qind. Ndonëse ato nevojën për një rritje kaq të madhe të çmimeve e shpjegojnë me rritjen e kostos së energjisë elektrike, organi rregullator theksoi se problemi më i madh me të cilin ballafaqohen ndërmarrjet publike është mbi punësimi.

    Bislimoski është i prerë se kur vendosin për shpenzimet e ndërmarrjeve komunale nuk i njohin shpenzimet e pajustifikuara, apo i njohin vetëm shpenzimet e arsyetuara ekonomikisht në mënyrë që qytetarët të paguajnë shpenzimet që duhet t’i ketë secila kompani. “Në të njëjtën kohë, kur të marrim vendimet tona në periudhën e ardhshme, do të kujdesemi që ato të jenë brenda kornizës që do të lejojë që çështja e tarifave të ujit të mos politizohet”, thotë ai.

    Për krahasim, në Elektro Distribuimin apo një kompani që shpërndan energji elektrike në të gjithë vendin, punojnë rreth 1750 punonjës, ndërsa në ndërmarrje në vetëm disa qytete ka disa herë më shumë të punësuar. “Ju garantoj që nëse marrim pesë qytetet më të mëdha të vendit, në këto ndërmarrje të ujësjellësit punojnë rreth 5300. Secili vendos sa ka nevojë, por duhet pasur kujdes. Nëse një aktivitet siç është distribucioni në nivel të një shteti të tërë mund të funksionojë me 1700 deri në 1800 njerëz, është e nevojshme që ndërmarrjet publike të ujësjellësit të përmirësojnë efikasitetin e punës së tyre”, thekson Bislimoski.

    Ndërmarrjet publike të ekonomizimit me ujë në Maqedoni me vite kanë problemeve me punën joefikase të tyre, me borxhet e trashëguara apo të vjetra, dhe borxhet e reja, pagesës të as gjysmës së ujit të shfrytëzuar, apo vonesën e pagesave për një pjesë të ujit të harxhuar, etj. Problemet në menaxhimin e tyre pasqyrohen edhe me humbjen të më shumë se gjysmës së ujit të pijshëm në vend. Njëherësh edhe rrjeti i vjetër i ujësjellësit, rritja e kostos së mirëmbajtjes dhe pjesëve rezervë si dhe çmimit të rrymës, mbi punësimet vështirësojnë edhe më tej punën e ndërmarrjeve komunale në tërë vendin.

    Nga Enti Rregullator për Energjetikë, që prej disa vitesh përskaj rrymës, përkujdeset edhe për ujin në vend, thonë se në përgjithësi na mungon një raport më i mirë ndaj ujit si një pasuri natyrore. Nga atje thonë se në nivel kombëtar humbjet e ujit arrijnë bile 60 për qind si rrjedhojë e infrastrukturës së keqe dhe mungesës së investimeve të ndërmarrjeve publike. Duke shtuar se çdo herë kur përcaktohet tarifa e ujit, këshillat komunal si zakonisht e zgjedhin tarifën që përfshin nivelin më të ulët të investimeve dhe nënkupton vetëm mirëmbajtjen bazike, që si problem mundon tërë rajonin. “Andaj është e domosdoshme të shpjegohet se për harxhohet çdo denarë dhe sa arrijnë investimet në ndërmarrjet komunale”, thonë nga Komisioni Rregullator.

    Probleme ekzistojnë edhe me faturimin e ujit. Në rajonin lindor ku bëjnë pjesë Berova, Koçani, Shtipi, etj, në vitin 2021 është faturuar uji me 31.43 për qind, ndërsa niveli i ujit për të çilin nuk realizohen të ardhura është 68.57 për qind. Në rajonin e Pollogut që mbulon pjesërisht apo tërësisht nevoja për ujë të pijshëm për komunat Bërvenicë, Vrapçishtë, Gostivar, Zhelinë dhe Tetovë, në vitin 2021 është faturuar uji me 26. 6 për qind, ndërsa niveli i ujit për të cilin nuk realizohen të ardhura është 73.40 për qind. Në rajonin e Shkupit në vitin 2021 është faturuar uji me 40.37 për qind, ndërsa niveli i ujit për të cilin nuk realizohen të ardhura është 59.63 për qind. Në rajonin e Vardarit ku bëjnë pjesë Kavadari, Shën Nikolli, Velesi, Demir Kapia dhe disa komuna të tjera në vitin 2021 është faturuar uji me 38.61 për qind, ndërsa niveli i ujit për të cilin nuk realizohen të ardhura është 61.39 për qind. Në rajonin Jug perëndimor në Dibër, Strugë, Ohër dhe Kërçovë në vitin 2021 është faturuar uji me 42.09 për qind, ndërsa niveli i ujit për të cilin nuk realizohen të ardhura është 57.91 për qind.

    Në rajonin Juglindor ku bëjnë pjesë edhe Strumica, Gjevgjelia, Radovshi, në vitin 2021 është faturuar uji me 48.89 për qind, ndërsa niveli i ujit për të cilin nuk realizohen të ardhura është 51. 11 për qind.

    Në rajonin e Pellagonisë ku bëjnë pjesë Prilepi, Manastiri, Resnja etj në vitin 2021 është faturuar uji me 51.16 për qind, ndërsa niveli i ujit për të cilin nuk realizohen të ardhura është 48.84 për qind. /koha/

    Lajmi Paraprak

    UDHËHEQËSIT STUDENTORË: TË RINJTË NDRYSHOJNË INSTITUCIONET

    Lajmi i rradhës

    Çfarë duhet të dini për dhimbjen në njërën anë të kokës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë