UDHËHEQËSIT STUDENTORË: TË RINJTË NDRYSHOJNË INSTITUCIONET

    Institucionet duhet të hapen plotësisht ndaj të rinjve, kërkesave dhe ideve të tyre dhe studentët duhet të demonstrojnë me aktivitete konkrete për përmirësimin e shërbimeve publike se kanë vërtet diçka për të ofruar për ndryshime pozitive në shoqëri”, kështu u përfundua debati me titull “Bileta me një drejtim – A po ndërmarrin institucionet masa për ta ndryshuar këtë?”, aktivitet publik i cili u organizua nga Instituti për Qeverisje të Mirë dhe Perspektivë Euro-Atlantike dhe Parlamentit Studentorë të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”.

    Në këtë debat u prezantuan dy ide specifike për përmirësimin e cilësisë së jetës së studentëve dhe përfshirjen e tyre në proceset vendimmarrëse. E para, krijimi i platformës së parë studentore për përgjegjësi sociale e mbështetur nga kompanitë vendase, e cila do të prezantohet para odave ekonomike dhe do të kërkohet përfshirja e tyre në mbështetjen e studentëve. Dhe e dyta, një iniciativë për institucionet qeveritare dhe komunat për përfshirjen e studentëve në punën e tyre përmes së cilës bashkërisht do të ndikojnë në përmirësimin e shërbimeve publike për qytetarët.

    Mund të jetë vonë, tha kryetari i Parlamentit Studentëve të UKM, Sllavço Temelkovski, por duhet të përpiqemi dhe t’i japim një shans çdo të riu, por edhe të përfshijmë të rinjtë në procese për të ndryshuar mentalitetin e sistemit, “Qentë lehin, karvani ecën, pra shohim shumë biseda, por pak veprim dhe realizim. Ndërkohë të rinjtë largohen dhe institucionet vazhdojnë sikur asgjë nuk po ndodh. Prandaj, së bashku me IDUEP-in, po iniciojmë përfshirjen maksimale të të rinjve të interesuar në marrjen e vendimeve institucionale, duke ndryshuar sistemin nga brenda dhe me hapa e zgjidhje konkrete, të mbështetura më së shumti nga digjitalizimi”, tha Temelkovski.

    Iniciativat e tilla dhe debatet konstruktive duhet të jenë motiv dhe arsye për një vullnet më të madh për të kontribuar në politikën rinore, është mendimi i Aleksandar Nikollovskit, i cili është kryetar i Parlamentit të Studentëve të Fakultetit Ekonomik në Shkup. “Element kyç që të rinjtë të blejnë një biletë vajtje-ardhje dhe të investojnë njohuritë e fituara në shoqërinë tonë është ndryshimi i fokusit në sjelljen e politikës kombëtare ndaj çdo sfere shoqërore”, tha Nikollovski.

    Institucionet, si dhe politikanët, duhet t’i kushtojnë vëmendje të vërtetë të rinjve dhe t’u japin të rinjve mundësinë për të marrë përgjegjësi, tha Bojan Kordallov, kryetar i  Institutit për Qeverisje të Mirë dhe Perspektivë Euro-Atlantike.

    “Ka shembuj pozitivë mes institucioneve, por nuk mjafton. Për momentin flasin vetëm për të rinjtë ose i thërrasin si dekor dhe justifikim për të bërë diçka për të ndryshuar situatën në të cilën jetojnë, studiojnë dhe punojnë të rinjtë. Ne po japim iniciativa konkrete dhe sinqerisht shpresoj që institucionet të kuptojnë se duhet të ndryshojnë, të ‘përveshin mëngët’, të dalin në terren, mes të rinjve dhe të veprojnë së bashku. Strategjitë dhe debatet duhet dhe udhëhiqen nga ne si organizata të shoqërisë civile. Nga institucionet pritet veprim, sepse mjetet për të ndryshuar gjërat janë në duart e tyre”, tha Kordallov. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Në shkollat e Dibrës tre lëndë të gjuhëve të huaja

    Lajmi i rradhës

    RMV ka burime të bollshme të ujit, por harxhon 2.5 herë më shumë në raport me banorët e BE

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë