RMV, ka filluar mbikëqyrja e çdo transaksioni

    Zbatimi pilot i projektit të faturave elektronike ka nisur nga 1 janari, duke krijuar kushte për shkëmbim automatik të të dhënave midis kompanive dhe shtetit. Faza testuese e këtij sistemi pritet të minimizojë rrezikun e abuzimeve tatimore dhe të faturave fiktive, duke forcuar transparencën dhe disiplinën fiskale. Zgjidhjet softuerike për faturimin elektronik do të jenë falas për kompanitë më të vogla, ndërsa testimi i plotë i sistemit pritet të përfundojë deri në fund të tremujorit të tretë.

    Nga Drejtoria e të Ardhurave Publike theksojnë se ky projekt përfaqëson një instrument kyç për zbulimin e abuzimeve në sistem dhe për uljen e ekonomisë gri, e cila sipas vlerësimeve vazhdon të tejkalojë 30 për qind. Fatura elektronike do të jetë një dokument dixhital me funksion të dyfishtë – komercial dhe tatimor – që do të zëvendësojë sistemin aktual të raportimit mujor ose tremujor të të dhënave. Me futjen e këtij sistemi, çdo transaksion jo-kesh do të regjistrohet dhe kontrollohet në kohë reale, duke mundësuar ulje të ndjeshme të evazionit tatimor dhe forcim të kontrollit fiskal.

    ZGJIDHJE MODERNE DHE STANDARDE NDËRKOMBËTARE

    Drejtoresha e Drejtorisë së të Ardhurave Publike (DAP), Elena Petrova, thekson se është zgjedhur një model modern, në përputhje me standardet ndërkombëtare, i cili do të jetë i lehtë për t’u zbatuar dhe integruar nga kompanitë me sistemet e tyre ekzistuese.

    “Kjo reformë do të përmirësojë menaxhimin e financave publike, do të rrisë pajtueshmërinë tatimore, do të zbulojë më shpejt abuzimet me TVSH-në, shpenzimet e deklaruara në mënyrë të papërshtatshme dhe do të kontribuojë në uljen e ekonomisë në hije, duke siguruar një kontroll më efikas tatimor”, thekson Petrova. Sipas saj, fatura elektronike është ndër reformat më të rëndësishme digjitale të DAP-së dhe për komunitetin e biznesit, ndaj po zbatohet me kujdes të shtuar për të garantuar gatishmërinë e operatorëve ekonomikë.

    Në fazën e parë, do të përgatitet dokumentacioni teknik që do t’u mundësojë kompanive të përshtatin softuerët e tyre, të realizojnë integrimin teknik dhe të testojnë lëshimin e faturave në një mjedis të kontrolluar. Kjo fazë do të jetë e dedikuar për kompanitë IT dhe operatorët ekonomikë që posedojnë sisteme të veta faturimi. Deri në fund të tremujorit të parë të vitit 2026 pritet publikimi i aplikacioneve klient dhe web, të destinuara për kompanitë më të vogla që nuk kanë sisteme të faturimit. Në tremujorin e dytë do të vendoset serveri i prodhimit, ndërsa deri në fund të tremujorit të tretë pritet përfundimi i testimit dhe fillimi i zbatimit të plotë.

    Një veçori e rëndësishme e këtij modeli është dakordësia me Ministria e Financave, sipas së cilës përmes këtij sistemi do të lëshohen edhe dokumente shoqëruese si fletëdërgesa, deklarata të përkohshme dhe dokumente të tjera, duke krijuar një gjurmë të plotë dhe të dokumentuar të çdo ngjarjeje biznesi.

    PËRFITIME DHE SFIDA

    Sfidat kryesore lidhen me sigurinë e sistemit, mbrojtjen e të dhënave, autenticitetin e faturave, parandalimin e ndryshimeve të paautorizuara, si dhe mbrojtjen nga sulmet kibernetike apo bllokimet e mundshme. Për bizneset, fatura elektronike nuk është vetëm një detyrim i ri ligjor, por një ndryshim rrënjësor në mënyrën e funksionimit. Ajo ofron mundësi për eliminimin e letrës, uljen e barrës administrative, përmirësimin e kontrollit të brendshëm dhe përshpejtimin e përpunimit të transaksioneve.

    Për shtetin, sistemi i faturimit elektronik nënkupton kontroll më efikas të taksave dhe luftë më të fortë kundër ekonomisë informale. Sipas ekspertëve, sistemi i centralizuar do të automatizojë deklarimin e TVSH-së, do të eliminojë rimbursimet fiktive dhe do të mundësojë monitorim më të saktë të të ardhurave dhe tatimit mbi fitimin.

    PËRVOJAT E SHQIPËRISË DHE RAJONIT

    Fiskalizimi i faturave elektronike është zbatuar tashmë në Shqipëri dhe Serbi, ndërsa Kroacia nga 1 janari 2026 hyn në fazën Fiskalizimi 2.0, që përfshin edhe regjistrimin në kohë reale të transaksioneve jo-kesh. Në Shqipëri, ky proces ka dhënë efekte pozitive në uljen e informalitetit dhe rritjen e mbledhjes së tatimeve.

    Sipas të dhënave zyrtare, të ardhurat bruto nga TVSH-ja në vitin 2022 u rritën me 5 për qind krahasuar me vitin 2021, ndërsa në periudhën janar-15 tetor 2024, numri i faturave të fiskalizuara u rrit me 6 për qind, duke arritur mbi 518 milionë fatura. Ekspertët vlerësojnë se ndikimi fiskal i Fiskalizimit 2.0 në Kroaci do të arrijë rreth 120 milionë euro në vit, ose 0.2 për qind të PBB-së, duke konfirmuar rolin e faturimit elektronik si instrument efektiv kundër ekonomisë gri. /Koha/

    Lajmi Paraprak

    Nga rrugët e Baselit te yll i Sunderlandit, historia e fortë e Granit Xhakës

    Lajmi i rradhës

    Bilanci arsimor i vitit 2025: pa libra, pa bursa dhe pa barazi

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë