Prodhuesit e duhanit në Maqedoni sivjet përskaj problemit të përvitshëm se me çfarë çmimi do të shesin duhanin, ballafaqohen edhe me thatësirën që do të ul sasinë dhe kualitetin, si dhe me koston e ë shtrenjtë të prodhimit. Sivjet toka po humbet lagështinë, nuk ka shi, andaj thatësira ka ndikuar negativisht edhe në korrjen e duhanit të këtij vit dhe është e qartë se rendimenti do të ulet. Pasojat e thatësirës afatgjatë pritet të ndikojnë negativisht edhe në cilësinë e produktit, por edhe në të mbjellat tjera bujqësore. Dy vite më parë, korrja vjetore e duhanit ishte zvogëluar me 30 deri në 40 për qind. Një trend i ngjashëm negativ po përsëritet edhe sivjet. Andaj, nga 24 milionë kilogramët e pritshëm, do të ketë nën 20 milionë tonë.
“Për shkak të thatësirës, korrja e vitit të kaluar nuk do të përsëritet, sepse patëm shira në fund të majit dhe fillim të qershorit, ndërsa këtë vit nuk do të ketë. Pra, nuk do të ketë as korrje të vonë të duhanit. Kjo më jep të drejtën të them se do të kemi vetëm rreth 18 deri në maksimum 19 milionë kilogramë duhan”, tha Kire Risteski, president i Unionit të Shoqatave të Duhanit. Rajoni i Dollnenit është prodhuesi më i madh i duhanit në vend. Vitin e kaluar, rendimentet ishin rekord, rreth 9000 ton. Por thatësira do t’i ulë ato me të paktën një të tretën, ose më shumë.
“Për këtë korrje, kemi mbjellë rreth 20 hektarë me duhan. Prisnim rreth katër ton duhan, por për shkak të thatësirës së madhe, toka është ngjeshur, kështu që rendimentet do të jenë shumë më të ulëta se sa pritej. Ato do të jenë rreth 2.5 deri në 3 ton, maksimumi. Thatësira është e rëndë në të gjithë rajonin e Dolnenit”, thotë Jusuf Ibraimi, prodhues duhani nga Zhitosha e Dollnenit. Sasitë përfundimtare të duhanit do të dihen në periudhën e ardhshme. Këtë vit, shitësit e duhanit kërkuan 510 denarë për klasin e parë, dhe morën vetëm 420 denarë nga blerësit. Nëse do të ketë rritje me shtojca të kontratave, do të dihet deri në fund të vitit.
Mbi 24 mijë tonë duhan janë grumbulluar sivjet nga korrjet e vitit të kaluar me një çmim mesatar prej 400 denarë që së bashku me 100 denarë subvencion – ka arritur në 500 den për kilogram duhan. Kultivuesit për këtë vit kanë kërkuar 510 denarë për klasën e parë, mirëpo tregtarët kanë ofruar vetëm 420 denarë. Andaj rritja eventuale e çmimit grumbullues do të presë periudhën e ardhshme. Sipas Unionit të Shoqatave të Duhanit, megjithëse këtë vit, ndryshe nga viti i kaluar, pati një rritje të hektarëve të mbjellë nga 13.700 në 14.300 hektarë, si dhe të kontratave të lidhura nga 27.000 në 33.000 kontrata, thatësira prapë ka lënë gjurmën e saj.
Ekspertët thonë se dy problemet madhore për rentabilitetin e prodhimit të duhanit në Maqedoni janë çmimi i blerjes, i cili duhet të ndjekë kostot e larta të prodhimit përfshi karburantin , plehrat artificialë dhe fuqinë punëtore si dhe ndryshimi në strukturën demografike për shkak të emigrimit.
Në dy vitet e fundit, numri i hektarëve me duhan luhatet nga 13.321 hektarë me duhan në vitin 2023, ku vitin e kaluar ishin 12.509 hektarë. Në vitin 2020 ishin 19.702 biznese dhe në vitin 2024 numri i ekonomive bujqësore që merren me duhan ra në 16.830 kultivues të duhanit. Në vitin 2022, për herë të parë duhani arriti çmim rekord prej gati 290 denarë/kg, që paraqet rritje prej plus 44 për qind në krahasim me korrjen e vitit 2021 kur çmimi ishte 200 denarë. Dy vite më parë, kultivuesit e duhanit në pranverën e 2023-ës kërkuan rritje të çmimeve të blerjes sipas klasave për së paku 20 për qind, ose 360 denarë në raport me 300 denarë që ofroheshin atëherë nga tregtarët. /Koha/






