RMV-në e presin ndryshimet kushtetuese ose zgjedhjet e parakohshme parlamentare

    Do të jenë të parat zgjedhjet e parakohshme ose ndryshimet kushtetuese, përgjigja varet nga pozita e partive politike. Deri sa kreu i opozitës maqedonase Hrisitjan Mickoski thotë se është shumë afër arritjes së numrit prej 61 deputetëve që janë për zgjedhje të reja, LSDM-ja thotë se ky skenar nuk do të jetë i suksesshëm.

    “Të motivuar nga frika, nga sallat e mbushura me njerëz anembanë vendit nga të cilat gjëmonte mbështetja për një të ardhme evropiane, Mickoski dhe VMRO-DPMNE-ja vazhdojnë me gënjeshtra dhe manipulime, duke e ditur se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2024, me tandemin e Kovaçevski dhe Zeçeviq, i pret një tjetër debakli elektoral. VMRO-DPMNE nuk do të ketë sukses të rrezikojë të ardhmen evropiane të vendit me asnjë gënjeshtër, shkatërrim dhe manipulim”, thonë nga LSDM.

    VMRO-DPMNE-ja mendon se ka mbështetje për idenë e zgjedhjeve të parakohshme.

    “Shumica në LSD janë për zgjedhje, dhe Kovaçevski dhe Zeçeviq e dinë këtë dhe prandaj kanë frikë për karrierën e tyre. Nëse dikush i frikësohej Kovaçevskit dhe Zeçeviqit, gjysma e partisë nuk do të kishte kërkuar zgjedhje. Më shumë se gjysma e LSD-së nuk shohin rrugëdalje nga ngërçi në të cilin Kovaçevski dhe Zeçeviq e kanë zhytur shtetin”, theksojnë nga VMRO-DPMNE.

    Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, thotë se partitë duhet të ulen për të ndarë temën e ndryshimeve kushtetuese nga zgjedhjet.

    “Debati për ndryshimet kushtetuese duhet të fillojë sa më shpejt për shkak se koha kalon. Obligim e kemi qe deri në nëntor të përmbyllim procesin e ndryshimeve kushtetuese. Ky proces merr diku 3 deri 6 muaj në parlament dhe kjo nënkupton që veçmë duhet të hyjë formalisht në parlament diku në pranverë. Kujtoj se nëse nuk arrijmë deri në nëntor të mbyllim ndryshimet kushtetuese, do të ndërpriten bisedimet me BE-në”, deklaroi Bujar Osmani, ministër i Jashtëm.

    VMRO-DPMNE-ja thotë se zgjedhje duhet të ketë në maj dhe në fushatë partitë të promovojnë idenë e tyre për ndryshimet kushtetuese për të matur mbështetjen e qytetarëve. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Ministri Sali jep lajmin e mirë për një tjetër transplant të mëlçisë, veshkave dhe indeve kockore

    Lajmi i rradhës

    Viti i Ri na gjeti me xhepa të zbrazur dhe fatura të papaguara

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë