RMV në të ardhmen do të ketë edhe burime të tjera të furnizimit me gaz

    Bullgaria më 13 tetor, vendosi një tarifë për transitin e gazit rus përmes territorit të saj në shumën 10 euro për megavat orë, nga e cila pret të ardhura vjetore prej 1.2 deri në 1.5 miliard euro. Këto fonde sipas kryeministrit bullgar Nikolai Denkov, mund të përfundojnë drejtpërdrejt në buxhetin e BE-së. Ai thotë se qëllimi i taksave të reja nuk është rritja e çmimit të gazit për Serbinë dhe Hungarinë, por ulja e fitimit të Gazpromit. Kostot mund të rriten edhe për Greqinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje-Hercegovinën,përskaj Serbisë dhe Hungarisë. Nga ana tjetër, Bullgaria nuk importon gaz nga Rusia që nga prilli 2022. Pasi refuzoi kërkesën e Moskës për të paguar atë energji në rubla dy muaj pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës.

    Megjithatë, ai mbetet një vend transit për gazin rus në Serbi, Hungari dhe vende të tjera evropiane. Taksa bullgare për transitin e gazit rus mund të rezultojë në një rritje të çmimit të energjisë ruse për përdoruesit e fundit , e cila, nga ana tjetër, do të shkaktojë rritje të çmimit të ngrohjes dhe energjisë elektrike për Maqedoninë dhe shtetet e tjera të rajonit që furnizohen me këtë energjens.

    TETO PROBLEMI ME GAZIN

    Gazi që vjen në vend konsumohet kryesisht nga industria dhe tre impiantet e kompanisë për prodhimin e energjisë elektrike dhe termike TE-TO, ndërsa pjesëmarrja e familjeve është pothuajse e parëndësishme në konsumin total për shkak të zgjerimit të kufizuar të rrjetin e shpërndarjes. Por duke pasur parasysh që TE-TO jep energji termike, por edhe mbi 20 për qind të energjisë elektrike vend vendoset në pikëpyetje edhe rritja e çmimit të rrymës së bashku me atë të ngrohjes. Vetëm në vitin 2021, TE-TO vitin e kaluar ka mbuluar 20 për qind të konsumit të përgjithshëm të energjisë elektrike në vend ose 30 për qind të prodhimit vendor ka ardhur nga centrali i gazit.

    Kryeministri Dimitar Kovaçevski thotë se nuk do të heqim dorë nga kërkesa për lirimin e kapaciteteve të gazit , duke kërkuar që tatimi të zhvlerësohet sepse është vendosur në mënyrë të padrejtë dhe nuk ka asgjë të përbashkët me parimet e tregut dhe direktivat e Bashkimit Evropian. Është kërkuar edhe zgjerim i kapaciteteve për furnizim nga burimet e tjera, ndërsa është kërkuar nga BE që të mos miratohet një detyrim i tillë financiar, duke marrë parasysh se gazi rus i Gazpromit po hyn në Maqedoni nga Bullgaria.

    “Kjo do të thotë se një tarifë e tillë do të shkaktojë rritje të çmimit të energjisë elektrike dhe ngrohjes në vendin tonë me 20 për qind. Kjo është arsyeja pse ne kërkuam që të lirohet kapaciteti në mënyrë që Maqedonia e Veriut të mund të blejë gaz nga burime të tjera, të cilat nuk do të jenë ruse dhe për këtë arsye nuk do të ngarkohen me atë taksë shtesë. Për momentin po zhvillohen bisedime si në nivel të Bashkimit Evropian, ashtu edhe me Bullgarinë, me ministrinë përkatëse, që kjo të bëhet. Vitin e kaluar, së bashku me Komisionin Evropian dhe Bullgarinë, arritëm të çlirojmë kapacitetin e prokurimit të gazit që nuk është ekskluzivisht në pronësi të Gazprom dhe shpresoj se do të mund ta bëjmë edhe këtë vit”, thekson Kovaçevski.

    Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi bëri të ditur se deri në fund të këtij muaji do të pritet një përgjigje për kërkesën drejtuar Komisionit Evropian për taksën për transitin e gazit rus. “Deri në fund të nëntorit do të presim një përgjigje për reagimin tonë dhe kërkesën tonë drejtuar Komisionit Evropian në lidhje me taksën e vendosur për transitin e gazit rus nga Bullgaria. Kërkesa jonë është që të lirohen kapacitete shtesë të gazsjellësit që kemi me Bullgarinë dhe të cilin Gazprom e ka marrë plotësisht me qira. Nëse nuk lëshohen sasitë e nevojshme për nevojat tona, do të kërkojmë dëmshpërblim nga Komisioni Evropian për mosrespektimin e direktivave të tyre dhe pse jo të kërkojmë drejtësi në një kontest ndërkombëtare me Komisionin Evropian dhe ‘Bulgargastrans’”, thekson Bekteshi. Komisioni Evropian dje deklaroi se Bullgaria ka të drejtë të vendosë vetë se si do t’i përdorë të ardhurat nga mbledhja e tarifës.

    TARIFAT DHE RAJONI

    Tarifat e ngarkuara nga Bullgaria për tranzitin e gazit rus në Serbi, Hungari dhe Maqedoninë e Veriut janë një masë kombëtare dhe për këtë arsye është e drejta e Bullgarisë të vendosë se ku t’i drejtojë këto të ardhura, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian për veprimin klimatik dhe energjinë. Tim Mek Fi duke kujtuar se në 11 paketat-masat që BE-ja ka vendosur ndaj Rusisë, në pjesën e sanksioneve energjetike parashikohet vetëm nafta dhe qymyri, por jo edhe gazi. “Ne jemi në kontakt të ngushtë me Bullgarinë dhe me vendet e tjera të prekura për të vlerësuar dhe diskutuar efektet e mundshme të kësaj mase,” tha ai . “Sigurisht, në kuadër të planit tonë REPoverEU, ne jemi të përkushtuar që të reduktojmë importet tona të të gjitha lëndëve djegëse fosile ruse sa më shpejt të jetë e mundur”, theksoi zëdhënësi.

    Më 26 tetor, Presidenti i Bullgarisë Rumen Radev kundërshtoi taksën duke iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Ndër argumente të tjera, ai vuri në dukje se pagesa shtesë quhet “kontribut” ndërsa ligji kombëtar përcakton vetëm taksat, tarifat dhe detyrimet.

    Qeveria pretendoi se masa do të prekte vetëm Gazprom, importuesin e gazit, dhe se ajo nuk kishte për qëllim rritjen e kostove për konsumatorët në Hungari dhe Serbi.​ Por lëvizja e Bullgarisë tashmë ka zemëruar Hungarinë dhe Serbinë, të cilat varen nga gazi rus i transportuar përmes zgjerimit të Rrjedhës Turke. Ndërsa Budapesti dhe Beogradi thonë se taksa e gazit do ta bëjë gazin rus 20 për qind më të shtrenjtë, ndërsa Sofja thotë se Gazprom duhet të paguajë paratë. Bullgaria pret që të ardhurat nga tarifa e re të paguhen më 14 nëntor, por disa ekspertë bullgarë të energjisë dyshojnë nëse vendi do të marrë fare para. Kjo është për shkak se gazi i tubacionit vështirë se mund të certifikohet si rus pasi kombinon disa burime, tha eksperti i energjisë Kalojan Staykov për Euraktiv Bulgaria. Gazprom ende nuk ka komentuar publikisht për taksën e sapo futur të energjisë dhe nuk është ende e qartë nëse ata synojnë ta paguajnë atë.

    Një javë më parë, ministri bullgar i financave Asen Vasilev, tha se nëse Gazprom refuzon të paguajë, kolaterali i tij financiar nga kontratat në Bullgari ose asetet në vend do të sekuestrohen. Si përfundim, vendosja e taksës së tranzitit mbi gazin rus nga Bullgaria ka ndezur një diskutim kompleks mbi sigurinë energjetike, dinamikën e tregut dhe strategjinë gjeopolitike.

    Maqedonia e Veriut në vitet e ardhshme do të ketë edhe burime të tjera të furnizimit me gaz .Përskaj furnizimit me gaz të lëngshëm ashtu edhe me një lidhje tjetër. Vendi po investon në një central gazi dhe terminal gazi në Greqi për stabilitet afatgjatë energjetik. Pra, Maqedonia e Veriut po hyn në centralin e madh energjetik në Aleksandropolis përmes të cilit do të sigurohet gazi natyror që vjen nga Azerbajxhani, gjegjësisht gaz i lëngshëm nga SHBA-ja dhe vendet e tjera. Gjithashtu Interkonektori i gazit natyror ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë është planifikuar të jetë 123 kilometra i gjatë dhe të shtrihet nga Nea Mesimvria në Negotinë përmes Gjevgjelisë dhe të lidhë dy sistemet kombëtare të transmetimit të gazit natyror dhe planifikohet të përfundojë deri në mesin e vitit 2025. /koha/

    Lajmi Paraprak

    NDOTJET NË DIBËR SHKAKTOJNË PROBLEME EKOLOGJIKE

    Lajmi i rradhës

    Shkrijel: ligji për amnisti nuk do ta zgjidhte problemin me mbipopullimin e burgjeve

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë