RMV SËRISH NË KREDI | Borxh për borxh!

    Maqedonia sivjet duhet të paguajë 594 milionë euro në emër të borxhit kryesor dhe 138 milionë euro për kamatat ndaj kreditorëve të huaj. Apo duhet të kthejë mbi 600 milionë euro borxhe jashtë shtetit. Pjesa më e madhe e këtij borxhi ka të bëjë me eurobondin shtatëvjeçar të emetuar në vitin 2016 dhe për të cilin vetëm këtë vit duhet të paguhen 450 milionë euro, së bashku me kamatat shtesë prej 25 milionë euro.

    Për pagesën e borxheve të vjetra, por edhe financimin e buxhetit aktual si dhe për mbuluar edhe vrimat në arkën e shtetit, qeveria në pranverë emetoi një eurobond prej 500 milionë eurosh me një normë më të lartë interesi, në vend të eurobondit të dështuar prej 600 milionë eurosh. Për të kompensuar interesin më të lartë, ajo mori 100 milionë euro të tjera nga Komisioni Evropian me një normë më të ulët interesi.

    Megjithatë, nga jashtë duhet të sigurohen edhe 500 milionë euro të tjera. Sivjet shteti planifikon të marrë 1.1 miliardë euro hua jashtë vendit. Nga ekzekutivi kanë paralajmëruar se nuk do ketë Eurobond të ri, ndërsa hua e re do të merret nga Banka Botërore. Kryeministri Dimitar Kovaçevski sqaron se huamarrja në tregun e brendshëm dhe atë ndërkombëtar të shtetit rregullohet me Strategjinë e Borxhit Publik, e cila miratohet në Parlament kur miratohet buxheti.

    “Ne emetuam një eurobond në fillim të vitit, në fund të tremujorit të parë dhe ai u përdor për të shlyer eurobondin që ishte marrë në vitin 2016. Është shfrytëzuar për të paguar të gjithë ata stiropor që shpërbëhen, palma në Vardar, statuja në ura që janë paguar nën dy-tre milionë euro. Pra, ne e kemi paguar tashmë atë. eurobond i ri nuk do të emetohet deri në fund të vitit dhe huamarrja do të bëhet në përputhje me Strategjinë e Borxhit Publik, qoftë me obligacione qeveritare apo financim të projekteve” thekson Kovaçevski. Sipas tij kësaj jave në SHBA në takime të nivelit të lartë në Bankën Botërore pritet të sigurohen fonde për financimin e projekteve në vend.

    “Tashmë jemi duke diskutuar për projekte të rëndësishme për avancimin e një numri të madh fushash në vend që do të financohen nga Banka Botërore. Negociatat janë finalizuar dhe pas takimit pres lajme të mira sa i përket procedurave që do të nisin. Me këtë Maqedonia do të jetë në dispozicion të mjeteve, shuma e të cilave nuk doja të them me këtë rast, por do të jetë vërtet e konsiderueshme. Ato mjete do të përdoren për të punuar në projekte në nivel shtetëror dhe lokal”, nënvizoi kryeministri Kovaçevski.

    Mjetet e planifikuara për nevojat buxhetore për vitin 2023 pra do të sigurohen nëpërmjet kredive favorizuese nga institucionet financiare ndërkombëtare, me interesa më të ulëta, të cilat në të njëjtën kohë do të mbështesin politikat që zbatohen , dhe të cilat në afat të mesëm dhe afatgjatë do të kontribuojnë në rritje më të madhe.

    Ndryshe, nevojat për financim për këtë vit i referohen mbulimit të deficitit buxhetor prej 694 milionë euro, i cili vlerësohet të zvogëlohet për shkak të flukseve hyrëse më të larta nga tatimi i solidaritetit), si dhe shlyerjes së borxhit prej 847 milionë euro, prej të cilave borxhi i jashtëm është 593 milionë euro dhe borxhi i brendshëm është 254 milionë euro. /koha/

    Lajmi Paraprak

    RAPORTI I KERI-t: Shqetësime për tensionet ndëretnike

    Lajmi i rradhës

    Vetëdije e ulët në Dibër për mirëmbajtjen e mjedisit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë