RMV, shpenzojmë për ushqime disa herë më shumë sesa europianët!

    Të ardhurat e ulëta dhe çmimet relativisht të larta janë arsyet kryesore se pse familjet shpenzojnë një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave për tu ushqyer. Nëse mesatarja e Bashkimit Evropian për shpenzimet nominale për bukë dhe drithëra është sa 1.1 për qind e Prodhimit të brendshëm Bruto (të ardhurat e ekonomisë në një vit), në Maqedoni shpenzimet janë dy herë më të larta, ose 2.5 për qind e PPB. Sipas të dhënave të përditësuara të Eurostat Maqedonia dhe rajoni vijuan që të mbajnë rekordin e shpenzimeve për bukë dhe drithëra në Evropë edhe për vitin 2021.

    Sipas statistikave të Eurostat, çmimet mesatare të ushqimeve dhe pijeve alkoolike në Maqedoninë e Veriut janë sa 64.4% e mesatares evropiane, por më të lirat në rajon. Po t’i referohemi vendeve të tjera, si Serbi që është më e shtrenjta, (85.5%), Shqipëria 83.3% e mesatares së BE, duke u renditur e dyta më e shtrenjtë në rajon, Kosova (80.6%), Mali i Zi (82.2%), Bosnjë Hercegovina (78.8). Edhe për grupin “Ushqime dhe pije jo alkoolike”, po sipas Eurostat, mbi 20 për qind e të ardhurave që krijon ekonomia vendase në një vit shkon për tu ushqyer.

    Shpenzimet nominale për ushqime dhe pije jo alkoolike, ndaj PBB-së, në vitin 2021 për Maqedoninë ishin mbi 20 për qind, shifër kjo e lartë, sidomos po të krahasohet me mesataren e Bashkimit Evropian që është 7.1%. Por në krahasim me vendet e rajonit, Maqedonia pozicionohet më mirë sesa të tjerat, si Shqipëria ku gati një e treta e të ardhurave ( 31.6% e PBB-së) shkon për ushqim dhe pije, apo Mali e Zi, që e ka këtë tregues 23.7%. Por në vendet nordike, që kanë dhe të ardhurat më të larta për frymë, shpenzimet për ushqimet nuk kushtojnë më shumë sesa 5% e PBB-së. Në Evropë, më pak për bukë e drithëra në raport me PBB-në shpenzojnë Danimarka, Suedia, Gjermania, Norvegjia, Finlanda, Zvicra etj, me më pak se 1% të PBB-së.

    Çmimet e ushqimeve në botë u rritën me 14,3 për qind në vitin 2022, njoftoi Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO). Indeksi i çmimeve të ushqimeve, që mat ndryshimet mujore në çmimet ndërkombëtare të pesë grupeve kryesore të produkteve ushqimore – drithërat, mishi, produktet e qumështit, vajrat bimore dhe sheqeri, sipas FAO-s u rrit me 18 pikë krahasuar me vitin e kaluar 2021, në 143.7 pikë në 2022. Indeksi i çmimeve të qumështit të FAO u rrit në 19.6 për qind, duke regjistruar mesataren më të lartë vjetore që nga viti 1990 në 142.5 pikë. Indeksi i çmimeve të drithërave u rrit 17.9 për qind nga viti 2021 në një rekord të lartë në 2022 në 154.7 pikë, i karakterizuar me ndërprerje të konsiderueshme të tregut, rritje të pasigurisë, kosto më të larta të energjisë dhe inputeve, kushte të pafavorshme të motit në disa furnizues kryesorë dhe kërkesë të vazhdueshme të fortë globale për ushqim.

    Indeksi i çmimit të vajit vegjetal vitin e kaluar arriti një rekord prej 187.8 pikësh, që është një rritje prej 13.9 për qind krahasuar me një vit më parë. Indeksi i çmimeve të mishit gjithashtu u rrit 10.4 për qind nga viti 2021 në 118.9 pikë në vitin 2022, mesatarja më e lartë vjetore që nga viti 1990. Indeksi i çmimeve të sheqerit u rrit 4.7 për qind nga viti në vit në 114.5 pikë, mesatarja më e lartë vjetore që nga viti 2012. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Taksistët e papunë! | Kriza ekonomike bën që dibranët të mos shfrytëzojnë taksi

    Lajmi i rradhës

    Rritet importi, por edhe eksporti i rrymës në RMV

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë