Pas përfundimit të vitit të ri akademik, studentët aktualisht kanë mundësi për punë studentore sezonale në dy shtete, SHBA dhe Gjermani. Të dy programet qeveritare që lejojnë studentët e huaj të punojnë gjatë pushimit midis semestrave janë të njohura në mesin e studentëve tanë për vite me radhë. Çdo verë mijëra studentë nga vendi shkojnë për të fituar para, duke punuar për kompani gjermane dhe amerikane.
Mirëpo, a duan të gjithë studentët të punojnë për kompani të huaj dhe të largohen jashtë vendit?! Në një bashkëbisedim që gazeta Koha pati me studentët e Universitetit të Tetovës, ata u shprehën të zhgënjyer duke thënë se institucionet po mundohen të përfitojnë shumë nga studentët me kërkesat e dokumentacioneve që janë të kushtueshme për të punuar jashtë vendit, si dhe gjatë periudhës së semestrave atyre u duhet të vrapojnë në qytete të ndryshme për të mbledhur dokumentet e nevojshme.
Edhe disa fakultete të Universitetit “Shën Klimenti Ohrit” në Manastir kanë rritur shpenzimet e studentëve për përgatitjen e dokumentacionit për punë studentore verore jashtë vendit. Nënshkrimi dhe vula e dokumentit të nevojshëm për punën studentore në Gjermani, tani kushton një mijë denarë.
Nga ana tjetër, Miradije Amziji, studente në Universitetin e Tetovës, tha për gazetën Koha se si shkak i asaj që institucionet nuk ofrojnë punë sezonale me kushte të mira në vend, ata detyrohen të punojnë në vende të papërshtatshme për studentët.
“Viti përfundoi, mirëpo përpos që na duhet një punë për të qenë të angazhuar gjatë pushimeve verore, neve si student na duhet edhe një punë sezonale për të mbledhur para për vitin që na pret. Duke qenë se bursat dhe vakti ushqimor i subvencionuar na jepet shumë pak, detyrohemi të kursejmë dhe të punojmë në vende të papërshtatshme për studentët”, theksoi studentja. Ajo shtoi se universitetet dhe institucionet duhet të ofrojnë punë sezonale me kushte të mira, me qëllim ti mbajnë studentët në vend dhe tu japin motiv për një vit më të mirë akademik.
Ndryshe, gjithsej kemi 102.523 qytetarë të papunë, ku sipas të dhënave të Agjencisë për Punësim rreth 17.462 persona kanë qenë në pritje të punës për pesë deri në shtatë vjet. Domethënë, si pasojë e këtyre statistikave, studentët detyrohen të largohen pa humbur kohë, drejtë vendeve evropiane apo edhe shteteve të Amerikës.
Ndër të tjera, studentët që largohen për punë sezonale në Gjermani apo SHBA zakonisht punojnë në fushën e gastronomisë, hotelerisë dhe shitjes me pakicë. Gjithashtu, psikologët rekomandojnë të punohet gjatë pushimeve verore, me qëllim të mos bie kreativiteti i tyre në fillim të semestrit. Ata sugjerojnë të angazhohen me punë që rrisin aftësitë e përgjithshme dhe e rëndësishme është zgjimi herët dhe udhëtimet.