RMV TË MOS LUAJ ME ZJARR! Vazhdojnë mesazhet nga diplomatët e huaj

    Në atmosferën e pritshme të tensionuar të këshillit ministror të OSBE-së, i cili u mbajt në Shkup javën e kaluar, si përfundim i kryesimit të Maqedonisë me këtë organizatë rajonale të sigurisë, disa nga diplomatët e huaj të pranishëm në samit e shfrytëzuan momentin për t’i bërë edhe një herë rekomandime vendit pritës, përkatësisht Maqedonisë, në kuadër të sfidave të tij lidhur me integrimin evropian. Në prononcime për disa media të vendit, disa nga diplomatët e lartë, për shembull, ambasadori holandez në Maqedoni, Dirk Jan Kop, si dhe ndihmës sekretari i ri amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euroazi, James O’Brien, përsëritën që i ashtuquajturi  propozimi francez i kornizës negociuese është në një farë mënyre një ofertë “merre ose lëre”, përpara se BE në ndonjë moment mund ta mbyll derën!

    “Është në interesin e vendit tim që ta mbështes Maqedoninë në rrugën e saj drejt BE-së. Ne duam që ky vend të jetë në BE. Pas zgjedhjeve të javës së kaluar në Holandë, shohim një rritje të shpejtë të partive që janë kundër zgjerimit, ose nëse janë ende pro zgjerimit, atëherë vetëm nëse plotësohen kushtet dhe këtu ato janë shumë strikte. Përshtypja ime është se Maqedonia po luan me shpejtësi me zjarrin, duke luajtur një lojë të rrezikshme. Vitin e ardhshëm kemi zgjedhje për Parlamentin Evropian, do të ketë zgjedhje në ShBA dhe, siç thashë, në Holandë mbështetja për zgjerimin është në rënie dhe ju nuk mund të vazhdoni ta merrni këtë mbështetje si të mirëqenë. Duhet të hyni në BE tani, sa më shpejt që të jetë e mundur, ose siç kam frikë, ajo mundësi mund të zhduket dhe në një moment të mbyllet dera”, paralajmëroi ambasadori holandez në Maqedoni, Dirk Jan Kop, sipas të cilit, është joreale të pritet dhe pas zgjedhjeve në Maqedoni vitin e ardhshëm, të arrihet një marrëveshje më e mirë me BE-në për vazhdimin e negociatave.

    Me një ton të ngjashëm paralajmërues për integrimet evropiane ka folur edhe ndihmës sekretari amerikan i shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien.

    “Ka një ofertë në tavolinë, duhet ta pranoni. Nëse nuk e pranoni, po i ktheni shpinën historisë, sinqerisht. Kjo rrugë mund të duket e kënaqshme, por do t’i kushtojë ekonomisë suaj, do të bëjë që më shumë njerëz të duan të largohen nga vendi dhe, në përgjithësi, do ta kthejë vendin prapa”, tha në një intervistë Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O. Brian, duke kujtuar se BE-ja është ndërtuar mbi kompromise dhe lënien mënjanë të konflikteve. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Taravari: po përgatitemi të shkojmë vet në zgjedhje

    Lajmi i rradhës

    Hipotekat në RMV ulen, ndërtimi dhe kreditë nuk ndalen  

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë