Mjekët amë kërkojnë zgjidhje për pikët shtesë

    Rritja e lartë e inflacionit në vend ka prekur thellë edhe në xhepat e mjekëve amë, dhe që prej njoftimit për rritje të pikës shtesë diçka për të cilën mjekët amë edhe protestuan para një kohe, akoma nuk ka asgjë. Gjatë një bisede me mediat drejtuesja e Shoqatës së Mjekëve Amë (SHMA) Dr. Lidija Colakova Dervishova tha se deri tani janë mbajtur takime me përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë dhe Fondit për Sigurim Shëndetësor, por që akoma nuk ka një marrëveshje konkrete sa i përket kësaj çështje.

    “Është diskutuar gjithçka, por nuk ka ndonjë dokument konkret dhe akoma nuk ka realizim të kërkesave. Për herë të fundit kjo çështje u ngrit para tre viteve, nga çmimi prej 55 denarë që kishte u propozua të rritet në 63 denarë. Në këto kushte kur inflacioni si kudo në botë ashtu edhe tek ne po merr një vrull të madh, është vështirë të përballosh jetën e përditshme.

    Për një numër të madh të mjekëve amë është normale që të shpërngulen nga vendi ku jetojnë në drejtim të vendit ku punojnë. Po e marrim si shembull, dikush që jeton në Prilep dhe udhëton deri në Makedonski Brod, ndërsa tjetri jeton në Veles por punon në klinikën në Novaci, dhe kështu e njëjtë është çdo ditë, pra mjekët amë kalojnë shumë kilometra sa që të ardhurat nuk ju mjaftojnë as për karburant. Për fat të keq, mund të konstatoj se inflacioni në derën e mjekëve amë nuk ka trokitur, por ka hyrë krejt papritur”, theksoi Dervishova.

    Ajo njëkohësisht tregoi se për shkak të një sërë problemesh, po vihet në pikëpyetje kujdesi parësor shëndetësor i cili për pacientët është jashtëzakonisht i rëndësishëm. “Në vend që të shkojmë përpara, ne prej vitesh po qëndrojmë në të njëjtin vend. Hipotetikisht, edhe nëse nga 1 janari i vitit të ardhshëm bëhet rritja prej 75 denarëve, ne në llogaritë tona bankare këtë do të mund ta shohim vetëm në muajin prill. Por unë them se kjo nuk ndodh pasi asgjë nuk është e përcaktuar. Pyetja është se si do ta kalojmë këtë dimër.

    Sa para harxhohen vetëm për ngrohjen e ordinancave, kështu që në këto kushte është më se normale që të ketë një numër të madh të ordinancave që janë para mbylljes. Mjekët thjeshtë nuk mund të përballojnë barrën financiare. Kurse nga ana tjetër ata që do jenë më të prekurit e kësaj situate janë pacientët, pasi për shkaqe të këtilla do të mbeten pa mjek amë, dhe do të jenë të detyruar të udhëtojnë deri tek vendbanimi më i afërt ku ka mjek.

    Është zinxhir i lidhur për shkak të së cilit do të thellohen edhe më shumë problemet. Nuk e di se kur autoritetet do të fillojnë të dëgjojnë dhe kur do të fillojnë me zbatimin e kërkesave”, tha ajo. Dervishova vlerëson se është koha e fundit që Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet tjera kompetente të gjejnë një zgjidhje sistematike dhe të përhershme, dhe që së bashku me Fondin e Sigurimit Shëndetësor të bëjnë ndryshime në vlerësimin e pikës shtesë për pacientë. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Vështirësi në hetimet për “bombat nëpër shkolla”

    Lajmi i rradhës

    VMRO-DPMNE paralajmëron interpelancë të mundshme për ministrin Spasovski

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë