RMV, TRANSPORTI QË TA “DJEG” XHEPIN!

    Në një periudhë kur çmimet vazhdojnë të luhaten dhe fuqia blerëse mbetet e brishtë, të dhënat më të fundit të Entit Shtetëror të Statistikës (EShS) për muajin korrik tregojnë se inflacioni mujor ka arritur në 1.1 për qind.

    Kjo rritje e çmimeve të konsumit, e matur përmes indeksit zyrtar, përfaqëson një kthesë të dukshme pas muajve relativisht më të qëndrueshëm dhe përqendrohet kryesisht në disa kategori të caktuara që ndjehen drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve, shkruan gazeta Koha.

    Sipas të dhënave zyrtare, rritja më e madhe është regjistruar te transporti, ku çmimet janë rritur me gjithsej 9.9 për qind në krahasim me qershorin. Ky sektor historikisht ndikon në zinxhirë të tjerë ekonomikë dhe ngritja e tij përbën një alarm serioz për ndikim të përgjithshëm në koston e jetesës. Nga ana tjetër, çmime më të larta janë regjistruar edhe në rekreacion dhe kulturë me 2.1 për qind, si dhe në restorante dhe hotele me 1.2 për qind, një tendencë që mund të lidhet edhe me sezonin veror dhe fluksin e rritur të lëvizjeve turistike. Rritje më të lehta janë evidentuar te mobiljet dhe mirëmbajtja shtëpiake me 0.7 për qind, te ushqimet dhe shëndetësia 0.3 për qind, si dhe në sektorë si veshmbathjet dhe energjia, ku ndryshimet janë të kufizuara në 0.1 për qind.

    Por ndonëse shumica e kategorive kanë shënuar rritje, te mallrat dhe shërbimet e ndryshme dhe pijet alkoolike, duhan dhe narkotikë është regjistruar një ulje prej 0.1 për qind. Në të njëjtën kohë, çmimet për komunikim dhe arsim nuk kanë ndryshuar krahasuar me muajin paraprak.

    Në aspektin më të gjerë, krahasimi me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar jep një tablo më të zymtë. Indeksi i çmimeve të konsumit në korrik 2025, krahasuar me korrikun 2024, ka shënuar një rritje prej 4.8 për qind. Në të njëjtën kohë, indeksi i çmimeve me pakicë është rritur edhe më shumë, me 5.3 për qind. Këto të dhëna flasin për një përshkallëzim të kostos së jetesës, sidomos kur merret parasysh se shumë nga çmimet që ndikojnë në këto indekse janë të lidhura ngushtë me shpenzimet bazë të qytetarëve.

    Ndërkohë, vetë indeksi i çmimeve me pakicë për muajin korrik arriti vlerën 103.1, që përkthehet në një rritje të çmimeve edhe në këtë segment. Diferenca mes indeksit të çmimeve të konsumit dhe atij të çmimeve me pakicë sugjeron se çmimet në tregun final të produkteve po rriten më shpejt se sa çmimet që konsumatori i ndjen në mënyrë të drejtpërdrejtë përmes shportës bazë mujore. Kjo mund të reflektojë faktorë të tjerë si zinxhiri i furnizimit, marzhat e tregtisë apo dinamika të tjera të brendshme të tregut.

    Ndryshe, në mungesë të masave konkrete për frenimin e inflacionit dhe me një konsumator që tashmë ka përjetuar disa valë rritjesh gjatë viteve të fundit, këto të dhëna të korrikut përbëjnë një tjetër sinjal për nevojën e ndërhyrjeve afatshkurtra dhe strategjike. Përndryshe, rritja e vazhdueshme e çmimeve në sektorë kyç si transporti, ushqimet apo energjia do të vazhdojë të ushqejë pasigurinë ekonomike të familjeve, veçanërisht në prag të sezonit vjeshtor.

    Lajmi Paraprak

    MIGRIMI MASIV NË DIBËR / Nga gjithsej 17 fshatra, nëntë janë pa as edhe një banor! 

    Lajmi i rradhës

    Ujëmatësit në Tetovë do të vendosen nga ndërmarrja “Sharri”, komuna tërhiqet nga ideja e PPP

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë