Romët e Tetovës që “nuk i njeh” askush!

    Dy gra rome / Fotografia: Ilustruese/Arkiv

    Dhjetëra persona të komunitetit rom në Tetovë nuk kanë asnjë dokument identifikimi. Procedura për këta persona edhe pse filloi kohë më parë, megjithatë nuk ka shënuar ndonjë progres. Me këtë, shumë qytetarë të komunitetit rom nuk mund të realizojnë të drejtat elementare si mbrojtja sociale, shëndetësore, e drejta për punësim dhe e drejta për arsim. Përfaqësues të këtij komuniteti sqarojnë se fillimisht është dhënë një shifër identifikuese, por më pas, sistemi ka hasur në shumë probleme. Tashmë zgjidhja kërkohet që të intervenohet në ligj që më lehtë këta persona të kenë numër amë sikurse të tjerët.

    “Komisioni mbikqyrës parlamentar që merret me implementimin e Ligjit për personat e paevidentuar në Librat Amë, ka konstatuar se nuk ka përparim në implementimin e këtij ligji, prandaj kërkohen mënyra tjera dhe Ministria e Drejtësisë është e obliguar që të përgatisë amandament të ri që më pas deputetët të vazhdojnë procedurën në kuvend, që të bëhet ndryshim në ligjin për evidencë amë,që do të hap derën për zgjidhjen e këtij problemi”, tha Muhamed Toçi, sekretar shtetëror në Ministrinë e Drejtesisë.

    Edhe pse Ligji është sjellur në vitin 2022 dhe kishte shpresë se personat e paevidentuar të komunitetit rom do të mund të regjistrohen, megjithatë implementimi është duke shkuar shumë ngadalë, vlerësojnë nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.

    “Do të duhet që të bëhen ndryshime të caktuara në Ligjin ekzistues, sepse Ministria e Drejtësisë përgatit ndryshim në ligjin për evidencë, por kjo do të marrë kohë dhe më pas drejtoria për udhëheqjen e libravë amë, do të bëjë ndryshime me çka do t’ju mundësohet këtyre njerëzve të regjistrohen nga evidenca e përkohshme në atë të përhershme. Menjëherë pas kësaj, mendojmë se nuk do të ketë probleme më tutje që edhe këta qytetarë të mundet të realizojnë të drejtat e tyre”, tha Mabera Kamberi, përfaqësuese e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale.

    Probleme me mos pasjen e dokumenteve përballen shumë qytetarë të komunitetit rom. Me rastin e shënimit të 8 Prillit – Ditës Ndërkombëtare të Romëve, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka pritur një delegacion të këtij komuniteti. Kasami tha se me këtë rast tha se një ndër prioritetet e Komunës së Tetovës është avancimi i kushteve të përgjithshme për këtë komunitet. Përfaqësues të këtij komuniteti theksuan se janë të kënaqur me angazhimin e komunës së Tetovës për të përmirësuar jetën e komunitetit rom. Në ndërkohë, problem në vete mbetet evidentimi i romëve. Për shkak të kësaj, ata nuk mund të marrin shërbimet kryesore që garantohen edhe me kushtetutë.Komuna e Tetovës kohë më parë ka krijuar një njësi të veçantë për komunitetin rom dhe kjo njësi tashmë koordinon aktivitetet së bashku me pushtetin qendror. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Çfarë ishte Rruga e Mëndafshit dhe çfarë ndodhi me të?

    Lajmi i rradhës

    Të huajt që flasin shqip | Si po e mësojnë të ardhurit nga Afrika e jugut deri në Australi

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë