“Rreth 4000 vdekje si pasojë e ajrit të ndotur”

    Fotografi ilustruese: Tetova, ajri i ndotur

    Në Maqedoninë e Veriut në nivel vjetor rreth 4000 vdekje janë pasojë e ajrit të ndotur, thonë nga Qendra për Analiza dhe Hulumtime Juridike. Në mesin e qyteteve me ndotje alarmante, kryesojnë Shkupi, Tetova dhe Manastiri. Sipas hulumtimit të kësaj qendre në bashkëpunim me fondacionin Konrad Adenauer, Maqedonia e Veriut nuk ka plan kombëtar për ajër të pastër që nga viti 2018.

    “Qyteti i Shkupit dhe komunat e tjera janë ndër më të ndoturit në Evropë. Konkretisht Shkupi është ndër 10 më të ndoturit në disa vitet e fundit. Dhe duke marrë parasysh faktin që në nivel vjetor në shtetin tonë ka rreth 4000 persona që vdesin prej ndotjes. Shtrohet pyetja cila është mënyra dhe mundësitë për uljen e këtyre problemeve. Analiza tregoi se lidhja e përgjithshme është te Qeveria, gjithsesi në një pjesë të organeve drejtuese”, tha Nikolla Jovanovski, Qendra për Analiza dhe Hulumtime Juridike.

    Daniel Braun nga fondacioni Konrad Adenauer, tha se duhet të ndryshojë mënyra e ngrohjes gjatë sezonit dimëror me qëllim ruajtjen e shëndetit të qytetarëve.

    “Duhet të marrim parasysh mënyrën e ngrohjes. Sepse përdoret qymyri, që shkakton gazra të dëmshme në ajër. Mund t’ju theksoj se Maqedonia e Veriut ka 270 ditë me diell në vit, që nënkupton se ndoshta mund të vendosen panele diellore mbi shtëpi. Poashtu është e nevojshme të përdoren makina elektrike, si autobusë elektrik në transportin publik. E di se e gjithë kjo kërkon fonde, por nëse i marrim parasysh të gjitha pasojat ndaj shëndetit, organeve të frymëmarrjes dhe sëmundjet e lëkurës është e domosdoshme të gjendet zgjidhje”, deklaroi Daniel Braun, Fondacioni Konrad Adenauer.

    Hulumtimi vë në dukje nevojën e miratimit urgjent të një plani të ri kombëtar për ajër të pastër, si dhe domosdoshmërinë për më shumë aktivitete për përmirësimin e cilësisë së ajrit. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Çdo rritje e çmimeve nga 1 marsi do të gjobitet nga Inspektorati i Tregut dhe ai i Punës

    Lajmi i rradhës

    Heqja e grafës etnike në certifikatë / Lloga: gjykata të veprojë njëjtë edhe me rastet tjera

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë