Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit ka përgatitur një raport për zgjedhjet presidenciale dhe ato lokale. Të njëjtën e ka dorëzuar deri te Parlamenti për ta informuar rreth situatës në lidhje me financimin e fushatës zgjedhore të vitit 2024.
“Raporti është rezultat i hulumtimit tonë të detajuar dhe monitorimit të procesit zgjedhor. Qëllimi është të identifikohen të gjitha sfidat dhe dobësitë e mundshme që mund të cenojnë legjitimitetin e zgjedhjeve, si dhe të propozohen masa dhe rekomandime konkrete për tejkalimin e tyre. Këto masa synojnë të sigurojnë transparencë dhe drejtësi në procesin zgjedhor, i cili është kyç për ruajtjen e standardeve demokratike dhe besimin e qytetarëve në institucionet zgjedhore. Me dorëzimin e këtij raporti, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit përmbush obligimin e tij për të informuar rregullisht dhe objektivisht Kuvendin dhe opinionin për gjendjen dhe progresin në fushën e parandalimit të korrupsionit dhe avancimin e procesit zgjedhor. Ne presim që gjetjet dhe rekomandimet tona të kontribuojnë në përmirësimin e procesit zgjedhor dhe të ndihmojnë në krijimin e një mjedisi zgjedhor të drejtë dhe transparent”, kanë thënë nga Anti-korrupsioni.
Ky raport ka evidentuar se rreth 800 institucione nuk i kanë dorëzuar informacionet e duhura në Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Sipas raportit, kjo ngre alarmin për mungesë serioze të transparencës dhe mund të interpretohet si përpjekje për fshirjen e parregullsive të mundshme. Në bazë të Kodit Zgjedhor, nëse subjektet nuk dorëzojnë të dhënat e kërkuara, Anti-korrupsioni është i detyruar të fillojë procedimin penal brenda 15 ditëve nga data e afatit për dorëzimin e të dhënave. Megjithatë, në Kodin Zgjedhor nuk ka sanksione kundërvajtje për mosplotësimin e formularit të parashikuar, për çka KShPK nuk ka mundësi të ngrejë procedim kundërvajtës mbi këtë bazë.
“Pavarësisht ekzistimit të legjislacionit, problemet e konsiderueshme në zbatim krijojnë rrezik korrupsioni. Kjo posaçërisht shprehet në zbatimin joadekuat të dispozitave ligjore, gjë që çon në rritjen e rrezikut të keqpërdorimit të mjeteve. Procedurat administrative, si raportimi i donacioneve dhe shpenzimeve nga partitë politike, janë vlerësuar si tepër komplekse dhe joefikase, duke çuar në rritje të kostove administrative dhe vonesa. Reforma e këtyre proceseve është e nevojshme për të arritur një efikasitet më të madh dhe për të reduktuar mundësitë për korrupsion. Raporti tregon nevojën për të forcuar sistemet e monitorimit dhe mbikëqyrjes për të siguruar transparencë dhe llogaridhënie më të madhe në financimin e fushatave zgjedhore”, thuhet në raportin e Anti-korrupsionit.
Nga atje thekson se kjo situatë kërkon një reagim të menjëhershëm, si dhe se është e nevojshme të forcohen mekanizmat për mbikëqyrje dhe kontroll, të vendosen sanksione më të rrepta për institucionet që nuk përmbushin detyrimet e tyre në lidhje me ofrimin e informacionit.
Kryetari i Organizatës Pulsi i Demokracisë, Enver Salihi, për gazetën Koha, ka deklaruar se raporti i Anti-korrupsionit është një fakt shqetësues dhe alarmant sa i përket luftës kundër kësaj dukurie dhe më shqetësuese është kur raste të tilla bëhen nga organe shtetërore dhe parti politke të cilat duhet të jenë shembull për të gjithë të tjerët.
“Këtu behet fjalë për shkelje konstante dhe jotransparente. Por duke parë angazhimin e udhëheqësish së re besoj se këto shkelje do të sanksionohen dhe nuk do të ngelen pa adresuar si më parë. Sipas mendimit tim Komisioni i Anti-korrupsionit është vonë me shumë veprime që i merr sikur e humbi elanin e anëtarëve të kaluar por edhe Qeveria do të sjell akte përkatëse që të mundet të sanksionohen shkelësit e normave ligjore. Shpresojmë se këtë herë do të kemi veprim e jo vetëm deklarata se do të luftohet korrupsioni kurse ata që duhet të jenë transparentë gjejnë zbrazëtira ligjore dhe bëhen një shembull i keq për qytetaret e vendit”, ka deklaruar Salihi.
Sipas nenit 8-b paragrafi 2 i Kodit Zgjedhor, fondet publike, ndërmarrjet publike dhe të gjithë personat e tjerë juridikë që kanë kapital shtetëror, kanë për detyrimin që brenda 10 ditëve nga marrja e vendimit për shpalljen e zgjedhjeve t’i dorëzojnë deri te Anti-korrupsioni të dhënat për numrin, llojin, targat dhe gjendjen e mjeteve motorike zyrtare që disponojnë. Derisa në një raport organizata ndërkombëtare Freedom House ka vendosur Maqedoninë e Veriut në taborin e shteteve me regjim hibrid bashkë me 11 vende të tjera.