Abdylmenaf Bexheti
Akademik
Bota kursesi të qetësohet! Akoma pa u shuar një vatër, hapet një tjetër më e madhe. Sulmi i fundit i ShBA-së dhe Izraelit në Iran, gjithmonë me pretekstin e neutralizimit të kërcënimit bërthamor dhe kontrollit të tij, dhe nga ana tjetër me qëllimin e rrëzimit të regjimit teokratik (gjoja për të çliruar popullin iranian), pasqyron gjithashtu interesat ekonomike, siç ka ndodhur edhe në Venezuelë dhe në vende të tjera të botës.
Irani posedon mbi 20% të potencialit global të naftës, duke u renditur pas Venezuelës, ose si vendi i tretë pas Arabisë Saudite – varësisht nga raportimet e statistikave energjetike. Sidoqoftë, me rreth 200 miliard barelë rezervë nafte dhe prodhim ditor prej rreth 20 milion barelësh, Irani trondit tregjet e ekonomisë globale.
Përveç rezervave të mëdha dhe prodhimit masiv ditor, Irani, për shkak të pozitës së tij gjeostrategjike – veçanërisht kontrollit të Ngushticës së Hormuzit (rreth 30 km e gjerë) – ka kontroll mbi transportin detar të mbi 25% të eksportit të naftës, kryesisht drejt Indisë, Kinës, Japonisë, Koresë së Jugut, por edhe pjesërisht drejt Evropës. Kjo ndikon drejtpërdrejt në kostot alternative të transportit.
Si reduktimi i prodhimit ashtu edhe ndërprerja e transportit do të prishin sërish zinxhirin e furnizimit të produktit më strategjik në botë – naftës dhe produkteve të saj. Ka parashikime se çmimi mund të arrijë mbi 100 dollarë për barel.
Kjo do të ndikojë jo vetëm në ekonomitë e vendeve importuese të përmendura më lart, por padyshim do të ketë efekt të madh edhe në ekonominë evropiane, ende e pa rikuperuar nga prishja e tregjeve të furnizimit nga gazi dhe nafta ruse për shkak të luftës në Ukrainë.
Pasiguria e shkaktuar nga prishja e tregjeve të naftës do të sjellë turbulenca dhe pasiguri edhe në tregjet financiare dhe kapitale. Së pari, mund të vazhdojë rritja e mëtejshme e çmimit të arit dhe forcimi i dollarit amerikan.
Kur llogaritet njëkohësisht ndikimi në eksport dhe import, efekti mbi ekonominë globale dyfishohet – dhe, fatkeqësisht, negativ.
Rajoni, dhe veçanërisht ekonomia e Maqedonisë, e hapur më shumë se duhet, do të ndikohen drejtpërdrejt nga rritja e çmimit të naftës dhe, indirekt, nga rënia e eksporteve drejt Evropës dhe botës.
Inflacioni i importuar do të rilindë gjerësisht, duke rritur rrezikun e dy fenomeneve negative njëkohësisht: tkurrje ekonomike dhe rritje çmimesh, që ekonomistët e quajnë stagflacion.
Prandaj, autoritetet rajonale, dhe veçanërisht ato vendore, në vend që të postojnë statuse mbi “në krah të kujt pozicionohen” në këtë konflikt (si të ishim të rëndësishëm!), më mirë të bëjnë detyrat e shtëpisë: të analizojnë ku, sa dhe si do të goditemi dhe të ndërtojnë strategji për të reduktuar pasojat e kësaj gjendjeje çmendurie që po përjeton bota.






