Të dhënat e fundit të Agjencisë së Punësimit, por edhe të statistikës, tregojnë se në vend struktura e të papunëve nuk është për tu lëvduar. Gjithashtu përkundër ankesave të vazhdueshme të punëdhënësve për mungesën e punëtorëve të profileve të ndryshme ku vështirë plotësohen mijëra vende të pune të lira, në Agjencinë e punësimit janë të regjistruar mbi 100 mijë të papunë që kërkojnë punë në mënyrë aktive. Ekonomistët vlerësojnë se shteti nuk ka arritur mjaftueshëm të aktivizojnë tregun e punës, të papunët për një kohë më të gjatë apo ato që ju mungon arsimimi apo kanë nivel të ulët arsimor.
Të dhënat e fundit të Agjencisë së Punësimit tregojnë se është i madh numri i madh i njerëzve që presin një vend pune prej katër vitesh – 15.584 gjithsej. Edhe pse numri i të papunëve është në rënie, papunësia afatgjatë është ende aty. Gjithsej 13.207 nga të papunët kanë qenë të papunë për 8 vjet ose më shumë, dhe 14.140 kanë kërkuar punë për më shumë se tre vjet. Në muajin korrik të vitit 2023 janë regjistruar si punëkërkues aktivë 105948 persona, që krahasuar me muajin janar paraqet një rënie prej 5948 punëkërkues aktiv. Nga 105.948 të papunë që kanë deklaruar se kërkojnë punë në mënyrë aktive, 62.809 janë pa arsim dhe me arsim fillor. Situata është edhe më brengosëse nëse këtu llogariten edhe të 9242 të papunët me shkollë të mesme të pambaruar.
Njëherësh të dhëna shqetësuese, ka publikuar Enti i Statistikës, ku numri më i madh i popullsisë ka vetëm arsim të mesëm, një e katërta kanë vetëm shkollë fillore. Statistika zbardh se numri i popullsisë analfabete është i madh me 18897 analfabetë. Sipas nivelit më të lartë të shkollimit, në totalin e popullsisë rezidente të moshës 15 vjeç e lart, 23.192 persona ose 1.5 për qind nuk kanë arsim, 62 129 persona ose 4,1 për qind janë me arsim fillor të paplotë, 423.456 persona ose 27.8 për qind janë me arsim fillor. 672.375 persona ose 44.1 për qind me arsim të mesëm, 263.349 persona ose 17.3 për qind me arsim të lartë, 29.654 persona ose 1.9 për qind me diplomë master, 6037 persona ose 0.4 për qind me doktoraturë dhe mbi 45 mijë persona ose 3 për qind me shkollë të panjohur.
Nga ana tjetër në vend kërkohen mbi 8000 punëtorë çdo muaj, ku aktualisht në tregti kërkohen mbi 1700 punonjës, në fabrika kërkohen mbi 1300 punonjës, në shërbimet dhe administratë kërkohen mbi 1200 punonjës, etj.
Faktin se ka një numër të lartë punëkërkuesish dhe paralelisht pjesa dërmuese e pozicioneve janë ende të lira, ekspertët e shpjegojnë me mospërputhjen e kërkesës me ofertën, por edhe me shpërnguljen e madhe të fuqisë punëtorë jashtë shtetit, punën në të zezë, por edhe me pagat që nuk kënaqin kërkesat e punonjësve. Me fjalë të tjera, Maqedonia e Veriut nga njëra anë ka papunësi të madhe, ndërsa nga ana tjetër kompanitë nuk mund të sigurojnë kuadrin e nevojshëm që posedon kualifikimet dhe shkathtësitë e nevojshme.
Çështjet që kanë të bëjnë me arsimin dhe sigurimin e kuadrove profesionale për biznesin duhet të jenë në fokus të veprimit si të Odës ashtu edhe të shtetit, thonë nga Oda ekonomike.
“Kemi një mospërputhje mes nevojave të kompanive për punëtorë dhe kualifikimeve të tyre. Kjo është ajo që ne kemi identifikuar në sondazhet tona të deritanishme dhe në bazë të saj kemi konstatuar se ka profesione deficitare, për të çilat do të punojmë intensivisht në këtë periudhë përmes rikualifikimit dhe trajnimeve shtesë në mënyrë që ata të mund t’i bashkohen me sukses procesit të punës dhe në vend që ardhmërinë e tyre më të mirë ta kërkojnë jashtë vendit, një gjë e tillë t’ju mundësohet këtu”, vlerësojnë nga Oda ekonomike. /koha/