Rritet numri i fëmijëve duhanpirës në RMV

    Edhe përkundër që ndalohet me ligj pirja e duhanit në ambiente të mbyllura një numër i madh i popullsisë në Maqedoninë e Veriut janë duhanpirës, ndërsa mosha e gjysmës së atyre që janë përdorues të duhanit janë të moshës nën 15 vjeç, apo nga 45,4% e popullatës duhanpirëse 12,4% janë nga mosha 13 deri në 15 vjeç, kjo bazuar në analizës e fundit të “Analitikës”. Nutricionistja Irina Llazarova sqaron se pirja e duhanit përveç që ka një efekt të dëmshëm në organizëm, ajo ul edhe oreksin e përdoruesit.

    “Pirja e duhanit përveç që bart një sërë rreziqe për shëndetin, më së shumti lidhet me problemin e peshës dhe konsumimit të ushqimit jo të shëndetshëm, pasi duhanpirësit kanë një dëshirë më të madhe për të ngrënë ushqime me përmbajtje të lartë të yndyrës, si dhe ushqime të shpejta. Pirja e duhanit zvogëlon oreksin dhe rrit ndjesinë e ngopjes në trup”, thotë Llazarova.

    Nikotina, siç thotë ajo, në fakt ndikon në tru dhe sistemin nervor qendror që bën të shtypet oreksi, ndërsa monoksidi i karbonit dhe katrani që janë gjithashtu pjesë përbërëse e cigares dëmton shëndetin dhe shkaktojnë sëmundje të frymëmarrjes dhe zemrës, madje edhe kancer. “Gjatë pirjes së duhanit, lëshohen gazra dhe grimca katrani që janë oksidantë dhe prooksidantë, të afta të krijojnë radikale të lira, por meqenëse vitamina E dhe C, beta karotina dhe seleniumi janë të përfshirë në mënyrë aktive në mbrojtjen qelizore si antioksidantë që ndikojnë në shkatërrimin e këtyre radikaleve të lira, tek duhanpirësit paraqitet nivel i ulët i vitaminës C dhe beta karotenit në plazmën e gjakut. Ndërsa, kadiumi i cili gjendet edhe në cigare zvogëlon efektin e selenit dhe tek duhanpirësit ndodhin edhe nivele të ulëta të vitaminës E”, sqaron ajo duke shtuar se konsumimi i ushqimit tek duhanpirësit zakonisht është më e dobët për shkak të ushqyerjes joadekuate.

    Ajo tregon gjithashtu se studimet kanë treguar se personat që konsumojnë duhanin nuk hanë fruta dhe perime që në fakt janë burimi më i madh i vitaminës C dhe beta karotenit të cilat reduktohen në organizëm kur konsumojnë duhan. Sipas saj, duhanpirësit kanë gjithashtu një rrezik më të lartë të osteoporozës pasi janë raportuar edhe efektet e përthithjes së reduktuar të vitaminës D.

    “Për ta luftuar këtë nevojitet një dietë e shëndetshme dhe e larmishme me shumë fruta dhe perime, e cila është edhe më e vështirë të hahet me oreks të reduktuar. Konkluzioni është se duhet të lini duhanin ose të paktën ta zvogëloni përdorimin e tij në mënyrë që oreksi të funksionojë”, tha Lazarova.

    Analizat treguan se 30% e të rinjve përdorimin e duhanit e nisin para moshës 14 vjeçare, ndërsa 80% e tyre nuk u parandaluan kur blinin cigare. Sipas këtij hulumtimi, prevalenca e pirjes së duhanit në vend është 48.4%, përderisa në vendet evropiane është shumë më e ulët, ose mesatarja e BE-së është 29%. Në Suedi është 8.7%, kurse në Greqi dhe Bullgari 27%. Sherrin duhanit sipas ekspertëve nuk ia shohin vetëm ata që e konsumojnë por edhe personat të cilët qëndrojnë në një ambient të mbyllur ku pihet duhani. Sipas OBSH-së për çdo vit mbi 8 milion njerëz humbin jetën si pasojë e pirjes së duhanit. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Mediat në RMV nuk kanë kapacitete për trajtimin e temave të dhunës në familje

    Lajmi i rradhës

    Sot fillon sezoni i skijimit në Kodrën e Diellit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë